MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Këmishë daneze, brekë ruandeze…

09.11.2019 - 14:19

Kur moderatori i emisionit, po na tregonte punën e bërë gjatë kësaj kohe, për Reformën zgjedhore, më erdhi t’ia plasja gazit.

Në një nga pikat, ishin kujdesur të shpreheshin qartësisht… Komisioneri, më duket, ai që merrej me numërimin e votave, duhet të plotësonte kushtin… Të dinte shqip!

M’u kujtua nga dikur, një artikull gjenial i shkruajtur për Reformën ushtarake në Gjermani, në kohërat pas Napoleonit. Të shushatur nga humbjet ndaj francezëve, në shtabin perandorak që kryesonte Reformën, vinin në tavolinë propozime nga më çuditshmet që në kohëra normale mund të quheshin të çmendura… por, jo në këtë kohë. Thuajse të gjitha propozimet, kishin të bënin me uniformën ushtarake… Dhe në fund, ushtari hijerëndë dhe i karfosur prusian, u pajis me kapelë franceze, këpucë austriake, rripa rusë etj., etj.

Asnjërit, nuk i shkoi në mendje, për shembull, thoshte autori i shkrimit – se në kohë lufte, prusianët përdornin topa të kalibrave të ndryshëm dhe kur njërit regjiment i mbaronin municionet, nuk kërkonte dot ndihmë te tjetri, sepse nuk ishin predha të të njëjtit kalibër… Mbeteshe, të ishe nën mëshirën e fatit.

Nuk do të zgjatem shumë në mrekullinë tonë, por po ilustroj me dy shembuj:

Në Shqipëri, pas vitit 1990, janë provuar të gjitha llojet e sistemeve zgjedhore – mazhoritar, proporcional, me lista të hapura me lista të mbyllura etj.,  etj. Së fundmi, d.m.th para disa viteve, propozuan një sistem që duket se e emërojnë si spanjoll. Po çfarë harruan, kur iu përveshën kësaj strategjie?

Çdo sistem zgjedhor, ka veçoritë e tij, me të mira dhe të këqija. Ai është në të gjitha rastet i lidhur me vendin, kohën dhe situatën që ai kalon. Spanjollët që kopjuam ne, zgjodhën sistemin që kanë, sepse i detyronte problemi i baskëve… Ne, që jemi popull pa të tillë problem, natyrisht që nuk kishim arsye ta bënim një hyner të tillë.

Shembulli tjetër, ka të bëjë me numurin e grave që duhet të jenë në parlament, për të ruajtur e zhvilluar çështjet e lidhura me barazinë gjinore. Ndërkaq, dy vendet e para në botë, që e kanë të zhvilluar këtë ndjesi, janë Ruanda faktkeqe dhe Danimarka madhështore.

Po t’i besosh popullit, duhet të thuash… Ekstremet takohen. Ne, që nuk jemi asnjëri vend dhe as tjetri, mund të shprehemi, se kemi veshur këmishë daneze dhe brekë ruandeze…

Për mendjen time, që i përbuz gjithë kohën gjithë këto lloj eksperimentesh, besoj që në Komisionin e Reformës zgjedhore, duhet të jenë në plan të parë, dy çështje.

Së pari, ai që ka të bëjë me numërimin e votave. Dhe së dyti, ai që ka të bëjë me Reformën territoriale.

Në lidhje me çështjen e parë:

Shqipëria, ndoshta ashtu si Ruanda, apo vende të botës së tretë, i numëron votat thjesht si në kohën e komunizimit. Me mijëra njerëz, që u përkasin dhjetëra partive, bëjnë pozitën e komisionerit, vëzhguesit të numëruesit, etj., etj. Po të llogaritësh që, partitë e mëdha kanë një pakt me të voglat, për zgjedhjet kombëtare dhe lokale, kupton lemerinë e vërtetë që buron nga kjo strategji. Partitë e vogla vihen në shërbim të të mëdhave në zgjedhjet kombëtare dhe presin shpërblimin në kohë lokale. Ky aliazh i çuditshëm, po të shtoje këtu dhe numrin e pafundmë të komunave dikur, është nga shkaqet e batërdisë që u bë mbi terrenin e vendit.

Kryetarë komunash që bashkë me militantët e fisin, ndihmonin të mëdhenjtë në garën kombëtare, merrnin shpërblimin në atë lokale, duke filluar paskësaj të ndanin plaçkën e luftës që ishin toka në bregdet, pyje e kullota, ujëra e burime ujërash etj. Këto, pa i trazuar njeri.

Një njeri i arsyeshëm, që po dëgjonte këtë logjikë, më tha një ditë: Eh, eh… Është më e madhe hileja. Të mëdhenjtë vjedhin nëpërmjet duarve të të vegjëlve, apo presin të ardhurat prej të vegjëlve në provincë, pa u hyr vetë gjemb në këmbë. Kjo lloj tollovie, që ka në bazë numrimin e votave, të shpie në një lloj kohe shumë të largët të Perandorisë Osmane, apo ca më keq. Quhet vetëbastisje kombëtare, thënë ca më thjesht.

Për t’i rënë shkurt, problemi i numrimit të votave, që po na bën gazin e botës, zgjidhet me ca njerëz rruge, a studentë, apo po të doni me ca mësues të cilët, me siguri plotësojnë dhe atë kushtin e të diturit shqip.

Çështja e dytë, ajo e Reformës territoriale:

Këto tridhjetë vjet, kaluam nga 26 njësi në rreth 400 të tilla, shpesh për politika zgjedhore dhe vendi u bë copë e cikë. Procesi që duket sikur u normalizua disi me Reformën territoriale, u zhvillua pa opozitën, që akuzon prapë dhe ndoshta me të drejtë, se ndarja është bërë në favor të PS-së etj., etj.

Referuar logjikës së përgjithshme, zgjedhjet dhe mënyra e ndarjes së qarqeve për të marrë deputetët e rinj, duhet të marrë parasysh edhe bashkëpunimin e zonave të Shqipërisë, me njëra-tjetrën.

Thënë shkurt, duhet një ndarje e tillë, ku pasuritë a potencialet e zonave që mund të jenë të pasura a të varfra, të integrohen me njëra-tjetrën.

Kjo do ta bënte efiçente punën e deputetit të zonave dhe do ta bashkonte vendin më shpejt, në zgjidhjen e problemeve ekonomike. Po të shtosh këtu, që, në kohën e socializmit, në hartë u shtuan aq shumë qytete dhe që, pas rënies së tij, do të jenë të detyruara të ikin dhe ata, atëherë kuptohet pse ndarja e zonave, për shembull, jo në 12 po në 6 apo më pak, do të bënte punë më të madhe.

Thelbi i këtyre vërejtjeve të shkurtra, është që problemet në lidhje me Reformën zgjedhore kanë shumë pak të bëjnë me fatin e partive, por me ato që vënë në një lidhje të brendshme dhe funksionale tërë vendin. Të diskutosh me zjarr e pathos, për kushtet që përmenda në fillim, do vesh me detyrim në frazën që përmenda në titullin e këtij shkrimi.

Kështu, do t’i vishni Shqipërisë, këmishë daneze dhe brekë ruandeze…