MENU
klinika

Me nivel ndotje të lartë

Nga 1 janari nuk zhdoganohen më makina të përdorura

09.11.2019 - 12:56

31 dhjetori 2019 është afati i fundit kur do të lejohet që në vendin tonë të hyjnë makina të përdorura që nuk janë të pajisura me sistemin EURO 4.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka njoftuar të gjithë qytetarët që duke filluar nga 1 janari 2020 do të lejohet të zhdoganohen vetëm makinat që përmbushin kriterin EURO 4 e lart.

Ky vendim është marrë në tetor të vitit 2018 si një masë e nevojshme për të ndaluar ndotjen mjedisore nga makinat e prodhuara përpara vitit 2009 dhe që nivelin e ndotjes e kanë më të lartë.

Ndërkohë sa i takon makinave me kilometrazh zero, ato duhet të përmbushin kategorinë mjedisore EURO 5 dhe EURO 6, të gjitha këto kritere që janë të parashikuara në VKM Nr. 633, dt. 26.10.2018.

Vendimi për të ndaluar importin e makinave të përdorura ishte parashikuar të hynte në fuqi në janar të këtij viti, por që u shty për në 1 janar 2020 për shkak se tregtarët e vegjël ngritën shqetësimin se shumë makina të blera kishin mbetur të bllokuara në pikat doganore, pasi ishin më vit prodhimi përpara 2009-ës.

Sipas të dhënave zyrtare të DPSHTRR-së, në 8 muaj kanë hyrë në vendin tonë 5.209 mjete me vit prodhimi mbi 2009 / Euro 4 e lart, ose 45% më shumë mjete më të reja, çka sjell ulje direkt të ndotjes së ajrit.