“Pas disa vitesh me rritje të dobët, huadhënia u rimëkëmb në 2019, duke u rritur me më shumë se 6% në terma vjetorë”– thotë Komisioni Europian.
Në raportin më të fundit për ekonomitë europiane, e ku në analizë merret edhe ekonomia shqiptare në tërësi. Në pjesën dedikuar sektorit bankar, Komisioni Europian thotë se është biznesi i vogël ai që ka shtyrë rritjen e kreditimit gjatë këtij viti.
“Kushtet e favorshme të financimit si dhe konsolidimi i kohëve të fundit i sektorit bankar pritet të vazhdojnë të mbështesin aktivitetin kreditues përgjatë viteve 2020-2021”- nënvizon krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian.
Sa i përket politikave monetare ndërkohë, raporti e vë theksin te mos arritja e objektivit të çmimeve, pasi presionet e brendshme inflacioniste që vijnë nga rritja e pagave dhe e çmimeve të ushqimeve janë “shtypur” nga dinamika e çmimeve të importit.
Mos arritja e objektivit të inflacionit shtyn edhe më tej ciklin shtrëngues të politikave monetare, thotë më tej Komisioni Europian për ekonominë shqiptare.