Nga spitali i Traumës, ku vizitoi nga afër 7 banorët që ngelën të plagosur pas përplasjes me policinë tek Astiri, ku IKMT aktualisht po shemb disa ndërtime, Lulzim Basha paralajmëron kryeministrin Edi Rama.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbërritur në spitalin e Traumës në kryeqytet ku po viziton banorët e Astirit të lënduar gjatë tensioneve të krijuar mëngjesin e sotëm.
Por ndonëse kishte premtuar se do të ishte pranë tyre, lideri demokrat ka munguar mëngjesin e sotëm krah banorëve të Astirit edhe pse ishte njoftuar se do niste aksioni për shembjen e banesave të tyre.
Krah kryedemokratit janë parë edhe ish-deputetët e PD, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Jorida Tabaku.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së tha se të gjithë përgjegjësit për dhunën e ushtruar sot ndaj banorëve të Unazës do të përballen me ligjin, duke nisur nga kryeministri Rama deri tek kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Do t’i bëj thirrje qytetarëve e cdo punonjësi të ndershëm të policisë të mos bjerë pre e skenarit që synon të zhvendosë lajmin nga vjeshja e miliona eurove, te dhuna e banorëve të unazës. Jeta është e çmuar dhe do bëjmë gjithcka për të mbrojtur jetën e banorëve tanë.
Kemi një zotim politik me shkrim, cdo centimetër katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD-së në pushtet. Asnjë qindarkë nuk do të humbasë, cdo centimetër katror edhe i atyre të përjashtuara në mënyrë kriminale do kompensohen me vlerën e tregut.
Të gjithë ata të përfshirë në këtë akt kriminal, shtarazak do të përgjigjen deri në aktin e fundit. Dita nuk do të vonojë kur ata do të marrin dënimin e merituar nga ligji.
Opozita është e ka qënë në krah të banorëve të Astirit. ka qënë dhe është me ta, pa asnjë privilegj pa asnjë mandat. Opozita është njësh me qytetarët për të mbrojtur ligjin dhe kushtetën interesin publik, jo vetëm shtëpitë e tyre.” – tha Basha, në një prononcim për mediat nga spitali i Traumës.