MENU
klinika

"Kërkuam autorizim për në Tiranë, na thanë…"

Vdes babai i dy fëmijëve në spital, vëllai akuza mjekëve…

14.11.2019 - 14:49

Telha Kelo, nga fshati Pojan, ka ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës në ambientet e spitalit ku ishte shtruar, sepse kishte shfaqur dhimbje koke dhe barku. Pasi familjarët kishin parë gjendjen e tij, kishin kërkuar që të transportohej drejt kryeqytetit për mjekim të specializuar.

Mirëpo, mjekët e Spitalit të Korçës nuk e kanë autorizuar largimin për në Tiranë. Babai i dy fëmijëve ishte paraqitur në spital me dhimbje të forta, ndërsa mjekët e kanë diagnostikuar me gurë në tëmth.

“E solli pardje vëllai tjetër me dhimbje koke. E shtruan këtu në spital, e mbajtën këtu dy ditë dhe në mëngjes mbaroi. Pretendimet tona janë për mjekun. A mund të vdesë njeriu nga dhimbja e kokës?! Normale që jo. Ai nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje më parë. Mjekët i bënin serume dhe thoshin do bëhet më mirë, kaq. U kërkuam mjekëve që ta çonim në Tiranë, por ata na thanë se nuk e kishin përcaktuar ende diagnozën që ta çonin në Tiranë. Të gjithë përgjegjësinë e ka mjeku sepse po të na e kishte dhënë diagnozën, ne do kishim shkuar në Tiranë ta mjekonim. Drejtësia duhet të veprojë, presim të përcaktohet shkaku i vdekjes nga autopsia dhe më pas të kërkojmë drejtësinë”, shprehet Fluturim Kelo, vëllai i viktimës.

Pas denoncimit të bërë nga vëllai i viktimës, oficerë të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Korçës kanë marrë në hetim mjekun që trajtoi viktimën. Bëhet fjalë për V.K., 47 vjeç, i cili akuzohet për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.

Hetuesit kanë kryer të gjitha veprimet procedurale, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës kartelat mjekësore të 57-vjeçarit, deklarimet e familjarëve të tij dhe të mjekëve të spitalit, si edhe u dërguan vendimet e ekspertimit mjeko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të priten aktekspertimet përkatëse për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Spitali i Korçës pranon se pacienti është trajtuar për gurë në tëmth, por pavarësisht kësaj nuk kanë qenë në gjendje që ta parandalojnë komplikacionin serioz, që më pas i solli vdekjen 57-vjeçarit. Në mjekësinë botërore, guri në tëmth konsiderohet i lehtë për t’u trajtuar në 95% të rasteve.

Mostrajtimi sjell gangrenë në fshikëzën e tëmthit dhe kjo e fundit në vdekjen e pacientit. Ka dyshime se mjeku mund të ketë zgjedhur mjekim konservator me antibiotikë dhe jo ndërhyrje kirurgjikale, gjë e cila ka rezultuar fatale për 57- vjeçarin nga Pojani.

Reagimi i spitalit: I dhamë ndihmë maksimale

Spitali i Korçës, përmes një reagimi ka hedhur poshtë pretendimet e familjarëve të 57- vjeçarit për mjekim të pakujdesshëm.

“Drejtoria e Shërbimit të Spitalit Rajonal Korçë u shpreh ngushëllimet familjarëve, duke sqaruar opinionin publik si më poshtë: Pacienti Telha Kelo është paraqitur përpara dy ditësh në spital me ankesë dhimbje të kokës, menjëherë është kryer ekzaminimi i plotë, duke përfshirë analiza laboratorike, EKG, eko abdominale, CT koke me contrast etj. Pas kryerjes së ekzaminimeve, pacienti ka rezultuar me Kolecistit Kalkuloz.

Pas kësaj, pacienti është shtruar në kirurgji. Gjendja e tij është rënduar mëngjesin e së mërkurës dhe është dërguar menjëherë në reanimacion, ku për rreth dy orë është trajtuar nga reanimatori.

Spitali Rajonal Korçë sqaron se, bazuar në protokollet e mjekimit pacientit i është dhënë ndihma maksimale nga personeli i spitalit. Jemi në pritje të autopsisë”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Shërbimit të Spitalit Rajonal Korçë.