Banka e Shqipërisë duket se i ka humbur shpresat pë rritje ekonomike nga gjysma e dytë e këtij viti,por ngelet optimiste për të ardhmen e afërt.
Gjatë prezantimit të raportit të politikës monetare për tremujorin e katërt, ekspertët e Bankës së Shqipërisë thanë se rritja ekonomike në tremujorin e tretë ka qenë në nivele të përafërta me gjysmën e parë të vitit, pranë nivelit 2.3%.
Në ngadalësimin e rritjes së këtij viti faktori me peshën kryesore ka qenë rënia e prodhimit të energjisë, e ndjekur nga mbyllja e lojërave të fatit dhe nga përfundimi i projekteve madhore të investimit në energjetikë.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë i qëndron mendimit se këta faktorë janë kalimtarë dhe, duke filluar nga viti i ardhshëm, ekonomia shqiptare do të rritet me ritme më të larta, pranë potencialit të saj. Rritja potenciale e ekonomisë shqiptare vlerësohet aktualisht pranë nivelit 3.5%.
Optimizmi i Bankës së Shqipërisë buron sidomos nga përmirësimi i ambientit të brendshëm ekonomik, sidomos në ecurinë e mirë të tregut të punës dhe në përmirësimin e ndjeshëm të kreditimit të ekonomisë.
Të dhënat e Instat e vendosin papunësinë në minimumin historik prej 11.5%, ndërkohë që paga mesatare për tremujorin e dytë të vitit u rrit me 4.5%. Ndërkohë, rritja vjetore e portofolit të kredisë ka arritur në kufijtë e 7%, pas një periudhë disavjeçare stanjacioni.
Banka Qendrore vlerëson se këta faktorë do të rrisin më tej kërkesën e brendshme dhe do të nxisin përdorimin e plotë të kapaciteteve prodhuese të biznesit. Rritja e pagave dhe kostove të prodhimit mendohet se do ta rrisë inflacionin gradualisht drejt objektivit prej 3% në vitin 2021.
I rëndësishëm për objektivin e inflacionit pritet të jetë edhe stabilizimi i kursit të këmbimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mungesë të mbiçmimit të lekut, inflacioni do të ishte sot rreth 1 pikë përqindje më i lartë.
Sidoqoftë, megjithëse ngelet optimiste, Banka e Shqipërisë gjykon se rreziqet për ekonominë janë në rritje dhe lidhen sidomos me mjedisin ende të zymtë ekonomik në Europë.
Ekonomia e Eurozonës vazhdon të ketë rritje të dobët ekonomike dhe inflacion të ulët.
Shqipëria ngelet e ndjeshme ndaj këtyre zhvillimeve që përcillen në kanalet e tregtisë së mallrave, shërbimeve dhe investimeve të huaja direkte.