MENU
klinika

"Do të eleminojmë pengesat gjinore"

BB financon rritjen ekonomike të grave në Shqipëri

15.11.2019 - 08:37

Shqipëria do të përmirësojë më tej barazinë gjinore duke rritur mundësitë ekonomike për gratë, me mbështetjen e një huaje prej 10 milionë USD aprovuar sot nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore.

Ky financim do të mbështesë përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e barazisë gjinore përmes njohjes së bashkëpronësisë së gruas në pasuritë e paluajtshme, krijimit të mundësive për to në aktivitete që gjenerojnë të ardhura, si dhe forcimit të politikave mbi barazinë gjinore.

“Qeveria e Shqipërisë ka shënuar arritje të rëndësishme për të zvogëluar hendekun gjinor në fushat sociale dhe ekonomike. Shqipëria ka arritur barazi pothuaj të plotë gjinore në arsim dhe shëndetësi. Shkalla e përfaqësimit politik dhe vendimmarrës i grave është mbresëlënës në nivelin e lartë qeverisës dhe atë të shërbimit civil. Aktualisht qeveria po trajton pabarazinë gjinore në qasjen ndaj mundësive ekonomike për gratë. Ne besojmë se programi i Bankës Botërore do të ndihmojë në kapërcimin e pengesave që lidhen me punësimin dhe përfaqësimin e tyre të suksesshëm në tregun e punës”– tha Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.

Pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit, kufizime ligjore apo rregullatore së bashku me mangësi në zbatimin e ligjit, ende pengojnë shfrytëzimin e plotë të mundësive ekonomike për gratë.

Sipas vlerësimeve, vendi humbet çdo vit rreth 20% të PBB-së për shkak të të përfaqësimit të ulët të grave në forcën e punës, numrit të lartë të punëve të paguara jo në shkallën e duhur në disa nga sektorët si dhe pagës mesatare më të ulët se burrat në disa nga pozicionet ngjashme pune.

“Shqipëria mund të arrijë potencialet e veta vetëm atëherë kur çdokush mund të marrë pjesë dhe kontribuojë aktivisht në ekonomi”, tha Linda van Gelder, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore është e angazhuar të punojë me Qeverinë e Shqipërisë që barazia ekzistuese gjinore të përkthehet në rezultate në tregun e punës dhe mundësi sipërmarrëse për gratë”- shtoi ajo.

Huaja për politikat e zhvillimit është një instrument i Bankës Botërore që mbështet politikat programore dhe masat institucionale të një vendi për të nxitur rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.

Kjo hua është programi i parë i këtij lloji në Bankën Botërore që ka në fokus barazinë gjinore duke synuar të tregojë se reformat e fokusuara në këtë drejtim mund të sjellin ndikim të dukshëm.

Ai është ngushtësisht i lidhur me Planin Kombëtar të Zhvillimit të Shqipërisë për vitet 2016-2020 dhe mbështet plotësimin e kushteve për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Disa nga veprimet tashmë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në lidhje me këtë program përfshijnë: Rritje të numrit të regjistrimeve me gratë bashkëpronare, si dhe një legjislacion e rregulla të përmirësuara që i mundësojnë grave të përdorin pronën për të siguruar financime; Krijimi i kushteve më të mira për gratë për të marrë pjesë në tregun e punës duke i kërkuar tenderuesve në tenderat e prokurimit publik të nënshkruajnë një deklaratë mosdiskriminimi; Rritje të incentivave për gratë me fëmijë që të përfshihen në tregun e punës duke përmirësuar raportin student-mësues në ciklin parashkollor në disa bashki, çka do të rrisë cilësinë në arsimin parashkollor; Rritje të numrit të grave, përfshirë edhe ato të kategorizuara si vulnerabël, që punësohen përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit; Rritje të programeve të buxhetimit që mundësojnë reflektimin mbi politika që lidhen me rritjen e rolit të grave në ekonomi.

Financimi që pritet të mbështetë këtë hua shkon deri në 50 milion euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit.