Presidenti Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh të fortë, sa i takon debatit për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Teksa në Kuvendi po diskutohet pikërisht kjo çështje, Presidenti Meta ka paralajmëruar se po afron dita e referendumit.
“Është tërësisht e zgjidhur për të gjithë ata që dinë të lexojnë kushtetutën dhe meqë po afron 22 nëntori dita kur populli shqiptar votoi me referendum kushtetutën dhe këto parime të kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara, pavarësisht deformimeve të pandershme, kam një paralajmërim të fundit për ata që mendojnë se betimi Ilir Metës me dorë mbi kushtetutë si president ka qenë një proces formal apo ceremonial.
Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri sesa kushtetuta, e cila ka vetëm një garant, të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm që është Gjykata Kushtetuese.
Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën dhe për të kapur gjithë sistemin e drejtësisë në republikën e Shqipërisë, me kapjen e Gjykatës Kushtetuese janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese, është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi. Parlamenti me një dekret të shpërndahet, qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet, Presidenti përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale do ti bëj të qartë se kjo është kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë. Do jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe e Presidentit që ti tregojnë vendit, kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve. Besoj se jam i qartë. Secili të shikojë detyrën e vet, të zbatojë kompetencat e veta. Veprimet do vazhdojnë të jenë nga presidenti institucionale dhe në momentin e duhur, presidenti do ti drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë për interesin e popullit që është dhunuar në mënyrën më barbare sidomos këto dy vite, kur u la pa Gjykatë Kushtetuese.”