Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, njoftoi se do të kallëzojë penalisht në prokurori të hënën kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtesi, Ardian Dvorani, për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Meta tha se prej afro dy vjetësh ka bërë përpjekje dhe thirrje gjithë institucioneve për respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, në mënyrë që zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të ishin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Por kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, sipas tij, ka bërë disa shkelje të rënda, që cenuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, uljen e besimit të publikut te kjo gjykatë dhe zbatimin të reformës në sistemin e drejtësisë.
“Presidenti i Republikës pasi ka konstatuar këto veprime dhe mosveprime të zotit Dvorani vlerëson se ato përbëjnë jo vetëm shkelje disiplinore, por edhe vepra të qarta penale. Bazuar në nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, presidenti I Republikës parashtron përpara organit të akuzës këtë padi me qëllim fillimin e hetimeve ndaj zotit Ardian Dvorani për veprat penale të shpërdorimit të detyrës parashkiuar nga Kodi Penal dhe përvetësimi I titullit apo detyrës shtetërore. Nga tërësia e rrethanave Presidenti vlerëson se gjatë detyrës së kryetarit të KED-së ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik që iu ngarkua dhe ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz”, – tha zoti Meta.
Sipas Presidentit Meta, kryetari i KED-së, Dvorani, gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i ka dërguar qëllimisht presidentit në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vakanca. Me këtë veprim, sipas tij, zoti Dvorani synoi krijimin e një gjendje anti-kushtetutshmërie, duke e vendosur presidentin e Republikës në pamundësi kushtetuese dhe u përpoq të krijojë një gjendje të faktit të kryer ndaj presidentit, duke e shtyrë të shprehej edhe për vakancën e dytë përpara se të shprehej Kuvendi për zgjedhjet e veta.
Parlamenti me shumicë socialiste miratoi sot (dje) një rezolutë, sipas të cilës, dekretimi i zonjës Xhaferllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga presidenti Meta është vlerësuar si një akt “i paprecedent” dhe “një përpjekje për të bllokuar dhe zvarritur procesin e formimit të Gjykatës Kushtetuese”.