Është zhvilluar gara e parafundit sezonale në Formula 1, edhe pse tashmë gjithcka është vendosur sa i përket titullit kampion për pilotë (Lewis Hamilton) dhe për skuderi (Mercedes).
Max Verstappen ka bërë një garë fantastike në Brazil. Pas tij, në vend të dytë, është renditur surpriza Gasly me Toro Rosso, ndërsa Hamilton ka zënë vendin e fundit të podiumit.
Por e gjithë vëmendja ishte te përplasja në xhiron e 63-të mes dy makinave Ferrari. Leclerc dhe Vettel janë përplasur me njëri-tjetrin në pjesën e drejtë të pistës dhe, si pasojë, të dy janë detyruar të largohen nga gara me probleme me gomat.
Vettel so finished dawg,,,, who does this pic.twitter.com/9v5v99mVxo
— Para (@Paracelsus) November 17, 2019
Një incident i pabesueshëm dhe tepër komik për shigjetat e kuqe. Asnjë nga dy pilotët e Ferrarit nuk merr përsipër përgjegjësitë për atë që ndodhi në garën e Brazilit.
Ndaj, drejtori sportiv i Ferrarit, Mattia Binotto, shprehet se askush nuk ka për t’u toleruar pas asaj që ndodhi në pistën e Interlagos: “Jemi të gjithë të mërzitur, të zhgënjyer. Pilotët duhet të kuptojnë se në radhë të parë dëmtuan skuadrën dhe kjo nuk tolerohet.
Nuk dua të gjykoj tani se kush gaboi shumë e kush pak, këtë gjë do ta bëjmë më vonë. Të dy pilotët ishin të lirë të garonin. Vërtet jemi të dytët në botërorin për makina, por kjo gjë nuk duhej të ndodhte.
Do ta paguajnë shtrenjtë këtë që ndodhi në Brazil. Unë kam folur me të dy pilotët dhe ata duhet të kuptojnë se në incidente të tilla të dy kanë përgjegjësitë e tyre.”