Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka komentuar për herë të parë konfliktin mes mazhorancës, presidentit dhe opozitës për Gjykatën Kushtetuese.
Ai apeloi institucionet të lënë mënjanë konfliktet dhe të ngrenë një institucion të besueshëm.
Soreca përsëriti thirrjen për dialog mes palëve, teksa kërkoi që të përmbyllet sa më shpejt edhe paketa me ndryshimet për reformën zgjedhore.
“Të gjithë duhet të investojnë për të arritur një kompromis politik. Është për të mirën e Shqipërisë.U bëjmë thirrje të gjithë institucioneve në Shqipëri të lënë mënjanë konfliktet sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe të ngrenë një institucion të besueshëm. Reforma zgjedhore është një tjetër aspekt i rëndësishëm. BE kërkon rezultate konkrete në këtë drejtim. Sa më shpejt të jetë e mundur të përmbyllet paketa e reformës zgjedhore, BE do të investohet me kapacitetet më të larta teknike.”– tha Soreca.
Deklaratat Soreca i bëri gjatë hapjes së shkollës së integrimit europian.