Përfaqësuesi më i lartë evropian për migrimin, Dimitris Avramopulos ka deklaruar se shpreson që liderët e BE-së do të rishikojnë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Avramopulos është shprehur se BE dhe Brukseli do të vazhdoje të përkrahë aspiratën e anëtarësimit në familjen evropiane jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut por për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Këtë deklaratë Avramopulos e bëri në takimin vjetor të ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme të Ballkanit Perëndimor dhe BE që u mbajt të hënën dhe të martën në Maqedoninë e Veriut.
Avramopoulos në fjalën e tij ndër të tjera ka theksuar se Ballkani Perëndimor ka qenë historikisht, politikisht dhe kulturalisht me qasje ndaj Evropës.
“E ardhmja e vetme e vërtetë dhe e ndjeshme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është Evropa – sepse ato janë pjesë e Evropës. Për kolegët në BE që janë në mëdyshje ose kanë frikë për këtë proces, unë i paralajmëroj ata se ata duhet të kenë më shumë frikë nga e kundërta dhe të largojnë partnerët tanë më të afërt.
Për interesin e të gjithë Evropës që ky rajon historikisht i ndjeshëm bëhet në një të ardhme të afërt një model i bashkëpunimit, paqes, stabilitetit dhe zhvillimit. Dhe kjo duhet të mbetet një përparësi politike strategjike e BE-së.
Shpresoj që liderët e BE-së do të rishqyrtojnë vendimin e tyre në mënyrë që të fillojnë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por mbi të gjitha, unë shpresoj dhe uroj që dita kur ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian të vijë sa më shpejtë.”- tha Avramopulos.
Liderët e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim unanim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, më 18 tetor, duke e lënë këtë për një moment tjetër.