MENU
klinika

"Autostradë e kategorisë A"

Aksi Milot-Balldren/ 520 mln lekë nga buxheti për 3 vjet

20.11.2019 - 14:17

Ndërtimi i aksit rrugor Milot-Balldren konsiderohet i rëndësishëm, ndaj dhe pagesa për detyrimet ka gjetur mbështetje në buxhet në 3 vitet në vijim.

“Në vitin 2020 parashikohet të paguhen 100 milionë lekë, po kaq edhe në 2021 ndërsa në vitin 2022 parashikohet të paguhen 320 milionë lekë, që në total në 3 vite pagesa shkon në 520 milionë lekë”,- tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë diskutimit të kontratave koncesionare në komisionin e Ekonomisë.

Një ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se kompania fituese ka një vit afat që nga miratimi i koncesionit për të nisur zbatimin e kontratës.

Ministrja deklaroi se koncesioni i rrugës Milot -Balldren do të anulohet në rast se fituesi nuk plotëson dokumentacionin dhe financimin e duhur brenda afatit të caktuar.

Autostrada e re Milot-Balldren do të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian. Ajo fillon tek kryqëzimi i Rrugës së Kombit në Milot dhe përfundon në afërsi të fshatit Balldre, në dalje të qytetit të Lezhës, në rrugën që të çon në Shkodër.

Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët jo vetëm për hyrje-daljet e automjeteve dhe këmbësorëve por e mbyllur në të gjithë gjatësinë me rrjetë teli për të penguar edhe hyrjen e kafshëve. Gjerësia e saj do të jetë nga tre korsi në të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.

Do të ketë shumë vepra arti, si urën mbi lumin Mat me një gjatësi 625 metra, urën mbi lumin Drin me gjatësi prej 225 metra.