“Miss Mary Edith Durham” zuri vend sot në ekspozitën me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së “Mbretëreshës së Maleve”, Mary Edith Durham (1863-1944), artiste, shkrimtare e shquar britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antroplogjike rreth jetës së Shqipërisë në fund të shek. XIX dhe fillim shekullit XX.
Ekspozita në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar përmban fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durhami, gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi u shpreh se kjo ekspozitë me fotografi nderon figurën Edith Durham. Ai u ndal në veçanti, në rolin dhe kontributin e çmuar të Edith Durham në çështjen shqiptare dhe veprimtarinë e saj të dendur në Shqipëri, ku Durham ndërmori rreth 7 udhëtime, duke lënë pas një histori të tërë në pasqyrimin e jetës së shqiptarëve dhe rolit të tyre në rajonin e Ballkanit.
Ekspozita është një pasqyrë e qartë e kontributit të Miss Edith Durham, si një pjesë e pandashme e historisë moderne të kombit shqiptar.
“Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, sepse nga dita që shkeli në tokën shqiptare, ajo u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti dhe vlerat e shqiptarëve.
Durham u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja, pse ne e konsiderojmë atë si bijën tonë dhe i dhamë titullin e lartë “Mbretëresha e maleve”. Edith Durham është pjesë e historisë së Shqipërisë”, – ka theksuar drejtori Koçi.
Ekspozita në nder të figurës së një prej njerëzve që pati shumë përkushtim për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të vijojë për publikun, deri më datë 30 nëntor.