Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, me kërkesën e këtij të fundit.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë e informoi Kreun e Shtetit për hapat e mëtejshëm dhe koordinimin ndërmjet të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e konstituimit të Prokurorisë së Posaçme. Presidenti Meta e siguroi kreun e KLP-së, Gent Ibrahimin për mbështetjen e pa kursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Kreu i shtetit, Ilir Meta i bëri me dije Kryetarit të KLP-së, se pavarësisht rezervave që ai ka patur në lidhje me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur.
Zyra e shtypit të kreut të shtetit bën me dije se në këtë drejtim Presidenti i Republikës do të përmbushë çdo detyrim që do t’i kërkohet sa më parë të jetë e mundur, në përputhje me ligjin dhe frymën e Kushtetutës.