MENU
klinika

Pse trembej SHBA-ja dhe Evropa pas vdekjes së diktatorit

CIA: Ramiz Alia vendosi të hapë Shqipërinë me porosi të Enver Hoxhës

21.11.2019 - 07:45

CIA ka zbardhur situatën politike në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.

Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, thuhet se pasardhësi i tij Ramiz Alai vendosi të hapë Shqipërinë me Perëndimin dhe Evropën për shkak të porosive që i kishte lënë diktatorit. Nga ana tjetër, tregohet se të gjitha vendet fqinje dhe më tej kishin frikë se me vdekjen e Hoxhës do të tensionohej situata në Ballkan. Frika e tyre ishte rikthimi i Bashkimit Sovjetik, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Korrik 1975

  • Refuzimi i hapjeve sovjetike

Tirana ka përsëritur me forcë indiferencën e saj ndaj interesit sovjetik për riafrim diplomatik. Në një editorial autoritar të të përditshmes “Zëri i Popullit”, ajo jo vetëm shprehte indiferencën e saj ndaj BRSS, por dhe paralajmëronte çdo anëtar të lidershipit që mund të jetë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve. Në komentet e saj të mbushura me zjarr politik, Tirana thoshte se joshjet apo presionet e Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të tij nuk do të ndryshonin qëndrimin antisovjetik.

Artikulli pretendonte se populli shqiptar ishte i vendosur për të bërë “çdo sakrificë, siç kemi bërë në të kaluarën, për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë”, përfshi dhe mbështetja në forcat veta për shtimin e zhvillimit ekonomik. Koha e publikimit të këtij komenti është interesante, pasi vjen gjatë tentativave të Moskës për normalizim të marrëdhënieve dhe sinjaleve për sfida të brendshme ndaj udhëheqjes së Hoxhës. Artikulli paralajmëron kolegët prosovjetikë të mos ushqejnë shpresa për bashkëpunim me Moskën ose ndryshe të përballen me pasojat. Artikulli thotë se politikat e sugjeruara të kreditit të huaj nuk do të shërojnë problemet ekonomike.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, u largua nga posti në korrik 1974 pasi favorizonte qëndrime të tilla. Komenti i lëshua në prag të samitit të Helsinkit dhe jep një arsyetim të mungesës së Tiranës në bisedimet evropiane të sigurisë. Shqipëria i ka përshkruar më parë këto bisedime si një “demonstrim komik i superfuqive” dhe shfrytëzoi rastin për të përçmuar diplomacinë sekrete të vendeve që “nxjerrin në ankand” interesat kombëtare.

  • Raport inteligjence

Nëntor 1978

Pikat kryesore:

Që prej pranimit publik të mbylljes së asistencës kineze në korrik, Shqipëria ka nisur një politikë të jashtme të vetmisë, duke abstenuar ndaj afrimit me dy armiqtë e saj kryesore ideologjikë, Kina dhe BRSS. Ajo as nuk ka treguar shenja të zbutjes së armiqësisë ndaj SHBA. Por Tirana ka shtuar përpjekjet e nisura vitin e kaluar për zgjerimin e lidhjeve ekonomike me disa vende të caktuara, si nga Lindja ashtu deh nga Perëndimi. Deri tani Shqipëria ka treguar se nuk mund të gjejnë një sponsor që mund të japë mbështetjen e dhënë më parë nga Kina. Shqipëria përballet me rënie të ndjeshme në rritjen e saj ekonomike, nëse nuk hapet ndaj kreditit të huaj, për të cilin qeveria duhet të heqë ndalimin kushtetues ndaj huamarrjes nga jashtë.

Pasojat e prishjes me Kinën

Shqipëria, si një vend i vogël me burime të pakta, do të jetë gjithmonë i varur nga tregtia apo asistenca e jashtme për zhvillimi ekonomik. Gjatë dy dekadave të aleancës me Kinën, Tirana u mbështet thuajse tërësisht te Kina për asistencë ekonomike, teknologjike dhe ushtarake, prandaj pasojat e ndarjes do të jetë të rënda dhe kanë nisur tashmë të duken.

Ne nuk kemi parë prova se regjimi i Hoxhës ka kërkuar strategji të reja për burime asistence, por duket se ka vendosur të vazhdojë, të paktën për momentin, politikën e shtimit të lidhjeve graduale me vende të tjera. Nuk ka gjasa që kjo qasje t’u sjellë shqiptarëve mbështetjen dhe furnizimet e nevojshme industriale për të evituar trazirat në prodhimin industrial apo rënien ekonomike. Edhe sikur vendi të ketë vështirësi ekonomike, nuk ka gjasa për trazira popullore për sa kohë nevojat bazë të konsumatorit të plotësohen.

Hoxha mban një nga regjimet me represive në botë dhe megjithëse disa shqiptarë kanë dyshime për politikat e tij të vetëmjaftueshmërisë, nuk ka prova për sfida serioze ndaj autoritetit të tij. Hoxha ka justifikuar publikisht politikat e tij aktuale në një fjalim ku bëri dallimin mes “regjimeve të ndryshme shoqërore” që tregohen progresive ndaj Shqipërisë, dhe atyre që nuk e bëjnë një gjë të tillë. Ai shprehu vullnetin për të ruajtur marrëdhënie me të parat, por theksoi se Shqipëria gjithsesi nuk do të mohojë ndryshimet politike apo ideologjike me këto regjime.

Hoxha shfrytëzoi rastin edhe për të përsëritur armiqësinë e Shqipërisë me SHBA-në, BRSS-në dhe Kinën, duke u zotuar se Tirana do të vazhdojë luftën ndaj imperializmit amerikan dhe imperializmit socialist të Kinës dhe BRSS-së, çka përjashton mundësinë e afrimit mes tyre për të ardhmen e afërt. Me gjithë refuzimet publike të Shqipërisë, Moska dhe aleatët e saj të Paktit të Varshavës vazhdojnë përpjekjet e tyre të nivelit të ulët për të joshur shqiptarët. Bullgaria, e cila është në krye të ofensivës së joshjes, ka publikuar kohët e fundit disa artikuj ku Shqipëria përshkruhet në dritë pozitive.

Sofja zyrtare i ka lënë të kuptojë Tiranës se dëshiron marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim. BRSS është më para aleatëve të tij në Evropën Lindore për joshjen e Shqipërisë, por është i ndërgjegjshëm se Tirana nuk do të pranojë afrim të lidhjeve me të për sa kohë që Hoxha të mbetet në pushtet. Lideri shqiptar nuk ka dhënë asnjë sinjalizim se do të zbusë qëndrimin dyshues ndaj sovjetikëve dhe evropiano-lindorëve. Por gjithsesi Moska mund të konsiderojë si progres risjelljen e Shqipërisë në tufë në epokën post-Hoxha. Jugosllavia, e cila kërkon me çdo kusht që Shqipëria të mos ribashkohet në orbitën sovjetike, ka shprehur vullnetin e përmirësimit të lidhjeve bilaterale, të cilat janë pritur pa kundërshtime të hapura nga Tirana, edhe pse deri tani nuk ka pasur zhvillime të konsiderueshme dhe në terma afatshkurtër nuk priten.

Lidhje me vende të tjera

Disa nga tentativat më ambicioze të Tiranës për zhvillimin e lidhjeve tregtare dhe ndoshta për ndihmë financiare apo teknike, janë drejtuar nga India, Algjeria dhe Japonia. Një vizitë në Indi nga një delegacion i nivelit të ulët në gusht, ndezi spekulimet se Tirana kërkon të zëvendësojë Kinën me Indinë. Mediat indiane shkruanin se Shqipëria kërkon nga India asistencë për përfundimin e një liste të gjatë projektesh të braktisura nga Kina dhe parashikonin mundësinë e hapjes së misionit diplomatik të Tiranës në Delhi.

Ne nuk kemi parë prova se Shqipëria kërkon asistencë madhore ekonomike dhe teknike, por besojmë se me afrimin te India, ashtu si me disa vendeve të tjera, ajo kërkon diversifikimin e lidhjeve të jashtme tregtare, në një kohë që kërkon të evitojë varësinë nga partner i vetëm. Shqipëria po kërkon gjithashtu zgjerim të marrëdhënieve me Algjerinë. Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare dyvjeçare në prill, Tirana ka dërguar një delegacion të nivelit të lartë në Algjer në shtator, të drejtuar nga ministri i tregtisë.

Shqipëria po shton gjithashtu lidhjet e saj me Japoninë. Një delegacion tregtar japonez vizitoi Tiranën në gusht, i cili shprehu interesin e eksplorimit të tregut shqiptar nga kompanitë japoneze, të cilat ashtu si të tjerë kërkojnë të blejnë kromin shqiptar apo koncentratet e tij. Nëse Shqipëria kërkon të krijojë lidhje diplomatike me Tokion ky i fundit me shumë gjasa do të pranojë.

Lëvizjet në Evropën Perëndimore

Shqipëria ka tentuar të zgjerojë lidhjet tregtare me disa vende të Evropës Perëndimore, kryesisht Italia, Greqia e Franca, por këto vende nuk kanë bërë përkushtime të drejtpërdrejta. Mungesa e reagimeve nga këto vende ka sjellë shprehje zhgënjimi nga disa zyrtarë përfshi dhe ministrin e Jashtëm shqiptar. Gjithsesi, marrëdhëniet e Shqipërisë me këto vende janë përmirësuar në krahasim me një vit më parë, më shumë ato me Greqinë. Përveç përpjekjeve për kontakte në Evropën Perëndimore, Shqipëria po eksploron mundësi tregtare në Amerikën Latine. Deri tani asnjë nga avancimet e Shqipërisë nuk ka sjellë përfitime të mjaftueshme për të mbështetur nivelin aktual të zhvillimit industrial.

Tetor 1983

Memorandum i rezistencës së armatosur në Shqipëri gjatë kohës së Luftës dhe motiveve të rrymave të ndryshme në vend, bazuar në raportimet britanike dhe amerikane dhe komentet apo raportimet e shtypit. Raporti do të pasohet nga një listë e figurave me influencë në Shqipëri, me qëllim që të lehtësojë administrimin e mundshëm të vendit në rast se lind nevoja. Lëvizja e rezistencës në Shqipëri nisi të marrë vrull pas disfatës së Musolinit në luftën në Greqi dhe gjendjes kaotike të trupave italiane, para fushatës së Gjermanisë naziste në Ballkan.

Liderët kryesore të grupeve guerile në fund të vitit 1941 ishin Muharrem Bajraktari, Abaz Kupi, Baba Faja Martaneshi dhe Myslym Peza. Në fillim të vitit 1942, këtyre iu bashkuan bandat e reja nën influencën e Partisë Komuniste. Strategjia e tyre ishte ajo e shmangies së konfrontimeve të shkallës së gjerë, dhe e pritave ndaj karvanëve ushtarake italiane për kapjen e materialeve dhe personelit. Për një koordinim të taktikave dhe politikave mes grupeve, në shtator 1942 u mbajt konferenca e Pezës, ku morën pjesë përfaqësues të bandave, komunistë dhe disa patriotë. Delegatët ranë dakord të lënë mënjanë diferencat e tyre politike duke formuar grupin Fronti Kombëtar Çlirimtar.

Media amerikane, Foreign Insight , Prill 1985

Pas vdekjes së liderit Shqipëria do të lërë izolacionizmin

Diplomati shqiptar u përgjigj ftohtë ndaj kërkesave të gazetarëve për të marrë pjesë në funeralin e Enver Hoxhës, liderit të vendit për 41 vitet e fundit. “Nuk është në protokollin tonë të ftojmë gazetarë perëndimorë në ngjarje të tilla”, tha ai. Ndërsa pyetjes nëse do të lejohej shoqërimi i një delegacioni të huaj në vend, ai iu përgjigj: “Nuk do të ketë ftesa për liderët as nga Lindja, as nga Perëndimi”.

Pra varrosja e Hoxhës do të jetë po aq e izoluar nga kurioziteti Perëndimor sa dhe regjim i tij i paprecedent komunist në vendin bregdetar të Adriatikut, ngjeshur mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Vendi i prapambetur prej 2.8 milionë banorësh ka përfaqësuar formën më të pastër politike të Stalinizmit, duke refuzuar çdo kamp, si Lindjen, Perëndimin, neutralët apo të paanshmit. Çështja është se kur do të dalë Shqipëria nga guaska e saj, teksa ka nisur të krijojë apo të përmirësojë lidhjet me disa vende perëndimore, për arsye ekonomike. Mes tyre përmenden lidhjet me Austrinë, Italinë dhe Gjermaninë Perëndimore.

Lideri i ri, Ramiz Alia, është i dedikuar ndaj politikës armiqësore të Hoxhës me superfuqitë dhe analistët nuk presin ndryshime dramatike. Diplomatët thonë se Perëndimi duhet të kujdeset për Shqipërinë në mënyrë që të evitohet joshja ndaj Bashkimit Sovjetik, aq sa për të mundësuar që BRSS të përdorë portet shqiptare. Edhe më keq do të ishte për Perëndimin rikthimi i saj në Paktin e Varshavës, të cilin e braktisi zyrtarisht në 1968, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë. Jugosllavia shqetësohet për afrimin e Shqipërisë me sovjetikët për arsye të minoritetit të saj shqiptar të Kosovë, ku influenca sovjetike do të përkeqësonte gjërat.

Italia, gjithashtu shqetësohet prej afërsisë gjeografike me Shqipërinë në Adriatik, teksa raketat ruse të instaluara në Shqipëri do të ishin lehtësisht brenda distancës së goditjes. Pretendenti i fronit mbretëror të Shqipërisë, Leka I, biri i mbretit Zog, është gjithashtu shqetësuar. Ai u shfaq në Paris pas vdekjes së Hoxhës, duke paralajmëruar kundër rrezikut të zgjerimit të Bashkimit Sovjetik dhe duke u bërë thirrje nacionalistëve shqiptarë të bashkohen “për krijimin e një kombi të lirë”. Diplomatët shqiptarë në Perëndim nuk tregojnë shenja afrimi me Moskën dhe insistojnë se shqetësime të tilla janë energji e humbur.

Shqipëria disa herë ka refuzuar hapjet miqësore të Kremlinit pas prishjes, i cili për shqiptarët është qendra e “imperializmit socialist”, sikundër “imperializmit të thjeshtë” amerikan. Ekziston gjithnjë rreziku i fraksioneve të goditura më parë nga spastrimet, që mund të kërkojnë riafrim me Moskën, por shumica e analistëve perëndimorë besojnë se Moksa nuk ka më fuqi për sfida ndaj Perëndimit. Shqiptarët e konsiderojnë veten më shumë si individë stoikë të patundur sesa si izolacionistë dhe thonë se vendimi për t’u bashkuar me Stalinin dhe më pas për t’u ndarë nga pasuesit e tij dhe Traktati i Varshavës, ishin thjesht qëndrime morale.

Kështu zyrtarët shqiptarë thonë se arsyetuan edhe kur u miqësuan me Mao Ce Dunin dhe më pas prishën lidhjet me Kinën kur ajo po bëhej miqësore me Perëndimin, megjithëse më shumë se 800 milionë dollarë ndihma u dhanë nga Pekini për rreth 17 vjet. Por pas këtyre qëndrimeve idealiste, radikalët e Evropës Lindore po hapin sytë dhe po kuptojnë se kanë mbetur me dekada prapa ekonomikisht. Kur i pyesin diplomatët shqiptarë se përse ndalohen makinat private, ata përgjigjen se kështu ajri është më i pastër dhe se më shumë njerëz mbajnë biçikleta.

Kur paralajmërohen se do vuajnë nga mungesa e investimeve ata thonë se janë me fat që nuk kanë barrën e borxheve të huaja. Dhe vërtet Kushtetuta ndalon huatë nga kapitalistët apo shtetet “borgjeze e revizioniste”. Shqipëria gjithashtu ndalon opozicionin politik, udhëtimin jashtë shtetit dhe praktikat fetare. Ajo është e vetëmjaftueshme me energji, nuk ka taksa dhe as inflacion. Qeveria ndalon gjithashtu bluxhinset, drogat, çamçakëzat dhe seksin para martese. Ramiz Alia, pasuesi 59-vjeçar i Hoxhës, duket disi më pragmatik, por ai i ka qëndruar gjatë besnik diktatorit në një sistem që ka eliminuar pa mëshirë rivalët.

Fjalët thonë se ish-kryeministri Shehu, i akuzuar për bashkëpunim me inteligjencat e huaja, është vrarë nga vetë Hoxha. Fillimisht zyrtarët thanë se ishte vetëvrasje, por tashmë shtypi pranon se ai u eliminua. Diplomatët thonë se Hoxha ishte sëmurë prej disa kohësh dhe Alia nisi të zbatonte disa politika hapjeje me miratimin e Hoxhës.

Një nga ndryshimet e dukshme ishte fakti që Shqipëria ndaloi së quajturi Kinën “revizioniste”, prej nevojës për pjesë këmbimi për mjetet dhe projektet industriale kineze të ndërtuara para prishjes së lidhjeve tregtare me Pekinin.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!