Dy sezonet e fundit ka pasur luhatje me ekipet ku ka luajtur, kjo e diktuar edhe nga dëmtimet, por Armando Sadiku ka lënë gjurmë me Kombëtaren shqiptare dhe kërkon të rikthehet sërish i fortë.
Ka “firmosur” golin e nokautit ndaj Armenisë që i siguroi kualifikimin në Europian, pastaj shënon të vetmin gol në Euro 2016, që i dha fitoren Shqipërisë, për të mos thënë golat e tjerë ndaj Izraelit apo Maqedonisë.
Sadiku pranon se fanella kuqezi i jep një emocion të veçantë. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, para mediave në Spanjë, ka treguar se pret me padurim të bëhet pjesë e kuqezinjve kur të nisin eliminatoret e Botërorit.
“Në ndeshjet e fundit nuk munda të shkoja se kisha dëmtim, por Kombëtarja më jep gjithmonë një emocion special. Është normale që të shkoj të luaj me të. Por ky ishte një grup shumë i vështirë.
Nuk u kualifikuam për në Europian, por tani shohim me padurim para për Botërorin”, – tha Sadiku për mediat spanjolle, ku shpjegoi edhe problemin që kishte pasur.
“Luajta një pjesë loje ndaj Alcorcon dhe po stërvitem mirë. Kam vuajtur pak, pasi dëshiroja të luaja në ndeshje, por ky dëmtim më mbajti jashtë. Tani jam i lumtur që u ktheva, kemi luajtur mire, por na mungon goli”, – pranoi sulmuesi, i cili ka shënuar 3 të tillë me Malagan deri tani.
Sadiku nuk kurseu as elozhet për tifozërinë e klubit të tij, duke deklaruar se nuk kishte parë asnjëherë si ajo: “Nuk kam parë asnjëherë një tifozeri që mbështet kështu ekipin, mua më emocionon shumë. Ka raste kur zemërohet kur ekipi nuk fiton, por tifozëria e mbështet gjithmonë skuadrën dhe më ka bërë shumë përshtypje pozitivisht.”/Konica.al