Ilirian Gjika, studiues i njohur në Fier ka bërë një hulumtim mbi një element karakteristik të Fierit si urat, që e bëjnë këtë zonë mjaft interesante për ndërtimet e kushtëzuara nga lumenjtë.
Urat janë ndërtime të vjetra që na vijnë qysh nga lashtësia. Modelet e para të tyre ishin prej druri dhe shërbenin për të lidhur brigjet e një lumi ose përroi. Më vonë me zhvillimin e arkitekturës dhe ndërtimtarisë urat nisën të ndërtohen prej guri, betoni apo hekuri. Gjatë shekujve ato kanë krijuar edhe tipologjinë e tyre si nga ana e arkitekturës po ashtu edhe nga ana e funksionit. Ndërkohë që sot për nga shërbimet dhe funksioni ato i ndeshim në disa forma si ura automobilistike, hekurudhore, këmbësorësh, ura të tipit kanal, ura tubacionesh, etj. Kurse për nga forma ato mund të jenë me harqe, traversa, të varura, të tipit konsul, etj. Por funksionin fillestar i tyre është padyshim kalimi përmes tyre i njerëzve, mallrave dhe mjeteve të transportit. Interesant është fakti se urat janë futur në thellë në psikologjinë tonë si popull duke qenë pjesë përbërëse e folklorit, me krijimet e të cilit jemi mbrujtur qysh në fëmijëri. Imazhet e tyre i gjejmë në legjenda, tregime dhe këngë që nga ‘’Ura e Artës’’ e deri tek ajo e ‘’Qabesë’’.
Shumëkush ndoshta nuk e di që një nga qytetet më me shumë ura në Shqipëri është edhe Fieri, dhe kjo gjë nuk është e rastësishme. I projektuar nga themeluesit e tij në brigjet e lumit Gjanica dhe vetëm një km larg lumit Seman patjetër që urat do të shërbenin në mënyrë jetike për qytetin dhe rrethinat. Sot janë 12 të tilla të cilat mbartin secila nga një histori më vete, që nis që nga shekulli i XVIII-të për të vazhduar deri në ditët tona. Fieri ja dedikon themelimin e tij ndërtimit të urës së vjetër mbi lumin Gjanica. Në librin e tij ‘’Shqipëria në 1927’’, autori Teki Selenica na tregon se ndërtimi i kësaj ure në vitin 1777 u bë nga e bija e Kurt Pashës, Rrapushja, i cili bashkoi fshatrat e Shkozës që ndodhej në brigjet lindore të Gjanicës në fshatin e Fierit të Madh, që ndodhej në brigjet perëndimore të saj, në një fshat të vetëm i cili nisi të thirrej Fier. Ndërsa historia na njofton ura u ndërtua nga sundimtari i pashallëkut të Beratit, në vendin ku ishte ngritur më parë ura e rrugës Egnatia. Ajo përbëhej prej dy harqesh, nga të cilët njeri i madh dhe i plotë, nën të cilin kalonte lumi dhe tjetri që ishte i vogël, i cili nuk kryente asnjë funksion. Si gjatësi ura kishte gjatësinë e urës së sotme dhe me një gjërësi 4.5 m, e ndarë në dy sektorë. I pari, me gjerësi 2.5 m, shërbente për kalimin e udhëtarëve dhe qerreve, ndërsa i dyti me gjërësi 1 m, ishte një kanal katërkëndësh që përdorej për kalimin e vijës së ujit, e cila lidhte dy nga mullinjtë e qytetit, atë të Kashtës dhe atë të Pashait. Datimi i urës gjendet tek dorëshkrimi i murgut Kostandin Berati. Në këtë shkrim ai thekson se në vitin 1777 u ndërtua ura e Myzeqesë, por pa e specifikuar me emer. Interesant është ndërtimi i saj në vendin e sotem i cili duke qene breg i lartë kërkonte me shumë shpenzime. Fare mirë ura e gurtë mund të ndërtohej diku më poshtë aty ku ndodhet sot “ura me shkallë”. Vendi më i përshtatshëm, dhe terreni më i ulët kërkonte më pak mund nga ustallarët dhe më pak shpenzime. Gjithashtu kjo urë që lidhte arterin e rëndësishëm rrugor Vlorë – Berat nuk kishte problem nëse ndërtohej edhe 200 metra më poshtë. Fakti që ajo u ndërtua në këtë vend pranë kishës, tregon kembenguljen e Kurt Pashes, dëshira e të cilit ishte që ura e re të ndërtohej në vendin e rrënojes së urës së vjetër romake të degës jugore të rrugës Egnatia. Kjo urë është bërë edhe objekt përshkrimesh në studime dhe libra letrarë. I pari autor që e përshkroi atë me të gjitha karakteristikat e saj është Dr. Jakov Milaj. Dorëshkrimi ruhet në arkivin e familjes së tij kurse fotografi të kësaj vepre arti gjenden në koleksione të ndryshme private dhe në disa arkiva. Një foto e saj na u mundësua së fundmi nga drejtori i Muzeut Historik Lushnjë, Dr. Niko Ferro. E bërë njëqind vjet më parë në vitin 1917 nga një fotograf austriak ajo u gjet nga ky studiues në Arkivin e Luftës në Vjenë (Osterreichisches Staatsarchiv). Ndërkohë që një përshkrim të saj na jep edhe romancieri Jakov Xoxa në novelën e tij “Tre pleqtë dhe Mihali katër” të botuar në vitin 1958. Vepra e Xoxës njihet si letërsi memoristike, ku subjektet zhvillohen në qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij. Ja se si e përshkruan autori i mësipërm atë: ‘’Ura përmbi lumë nga ku kryqi përmot hidhej në ujë, ish bërë grazhd dhe në parmakët e saj ishin lidhur gjë e gjallë zbritur si plaçkë nga mali’’.
Të dymbëdhjetë urat e Fierit klasifikohen duke u bazuar tek ujërat rrjedhëse, format dhe funksioni. Të parat janë ato që janë ngritur mbi lumin Gjanica. Më pas vijnë ato mbi Seman për të ardhur tek irat mbi ‘’Vijën e Ngjalës’’. Urat e ngritura mbi Gjanicë janë më të shumta. Shtatë të tilla mbartin edhe historitë e tyrë. E para ishte ura e kishës për të cilën folëm edhe më sipër e cila pati fatin e keq që gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasditen e datës 15 tetor 1944, të hidhej në erë nga ushtria gjermane. Më pas në vitet e para të çlirimit në vendin e urës së shkatërruar u ngrit një urë e re automobilistike e cila ju nënshtrua në fillim të viteve 2000 një tjetër rikonstruktimi. Ajo u bë dy kalimëshe dhe shërben për komunizmit kryesor midis dy pjesëve të Fierit që ndahen nga lumi Gjanica. E dyta është ura e hekurt që ndodhet 100 m në veri të së parës. Ajo u ngrit në vitin 1988 si rrugë këmbësorësh. Është ndërtuar me konstruksion metalik dhe përbëhet prej dy harqesh të mëdhenj. Ndërsa të tretën do të klasifikonim ‘’Urën me Shkallë’’ e cila quhet kështu sepse për të kaluar mbi të duhet të ngjitësh dhe të zbresësh mbi të 8 radhë shkallësh. Ajo lidh si urë këmbësore Fierin me lagjen e dikurshme ‘’Shkozë’’ të tij. Edhe jo është pjesë e subjektit të novelës së mësipërme. Aty, Jakov Xoxa, shpreh me mjeshtërinë e penës së tij edhe shqetësimin e priftit te Fierit për të hedhur ditën e 6 Janarit, ditës së ‘’Ujit të Bekuar’’, kryqin në lumë. Ishte kohë lufte dhe gjermanët e kishin bllokuar urën duke vendosur aty një postbllok. Kështu që prifti vendos ta hedhë kryqin mbi ujin e Gjanicës tek ura tjetër, ashtu si shprehet autori, tek ‘’Ura e Jonuzit’’, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse ‘’Ura me Shkallë’’. Ajo quhej edhe kështu sepse ishte ndërtuar me porosi të tregtareve fierake në vitin 1935 nga mjeshtri i ndërtimeve: usta Jonuz Boriçi. Ura e katërt mbi Gjanicë është ajo e Sheqit e cila është urë automobilistike dhe shërben për të përballuar një fluks të madh kalimi të mjeteve dhe njerëzve. Edhe kjo urë ju nënshtrua rindërtimit në vitin 1945 pasi në 15 tetor 1944 gjatë tërheqjes së ushtrive gjermane ashtu si ‘’Ura e Gurtë’’ u hodh në erë prej tyre. Një tjetër urë mbi Gjanicë është edhe ‘’Ura Xheniere’’ e cila lidh Sheqin e Vogël dhe lagjen Liri. Është urë këmbësorësh dhe autoveturash. Ura e fundit mbi Gjanicë është ‘’Ura Hekurudhore’’ që ndodhet në veri të lagjes Bishanakë. E ndërtuar në vitin 1967 së bashku me trasenë e hekurudhës Lushnjë-Fier, ajo është ura që ka më shumë këmbë, gjashtë gjithsej. Pas Gjanicës lumi më me shumë ura është padyshim Semani. Mbi të kemi urat e Mbrostarit gjithsej tre të cilat janë ndërtuar në kohë të ndryshme. Në qendër ndodhet ‘’Ura e Hekurt’’ e projektuar dikur nga ing. Gjovalin Gjadri. Kjo urë automobilistike është një kalimëshe dhe është fabrikuar në Dortmund të Gjermanisë. Një fakt të tillë e tregon stampa e vendosur në këmbën e saj përgjatë bregut të majtë të saj. Ajo është ndërtuar diku në vitet 1930 nga një shoqëri gjermane e cila e ndërtoi njëkohësisht edhe rrugën automobilistike Lushnjë-Fier, 27 km të gjatë. Në të majtë të kësaj ure ndodhet ‘’Ura Hekurudhore’’ ndërtuar në vitin 1967, kurse në të djathtë ndodhet ‘’Ura e Re’’ automobilistike e cila është ndërtuar në fillim të viteve 1980, për të përballuar fluksin e madh të kalimeve në këtë arterie komunikimi. Ndërkohë që në mesin e viteve 1950 nisi në Myzeqenë e Fierit edhe bonifikimi i fushave kënetore. Për këtë qëllim u hap edhe kolektori i Myzeqesë së Vogël, një kanal i madh kullues i cili niste nga Marinza dhe vazhdonte drejt veriut qytetit të Fierit, duke ju drejtuar Adriatikut ku derdhej në jug të plazhit të Semanit. Kështu lindi nevoja e ndërtimit të një ure automobilistike mbi këtë kanal në lagjen veriore të Fierit të quajtur Sheq i Madh. Hapja e këtij kanali solli edhe një dukuri të çuditshme. Nga deti Adriatik në të nisën të futeshin shumë peshq dhe specie detare midis të cilave edhe ngjala. Kështu nisi një veprimtari sa sportive po aq edhe ekonomike siç ishte gjuetia e ngjalës, kësaj specie të veçantë detare. Kjo gjueti solli edhe një toponim të ri siç ishte emërtimi “Vija e Ngjalës”, i cili ruhet dhe përdoret edhe sot në qytetin e Fierit. Në vitet 1960 mbi ‘’Vijën e Ngjalës u ndërtuan dy ura si ajo automobilistike dhe ajo hekurudhore.
Historia e urave nuk përfundon këtu. Në rrethinat e Fierit gjenden po kaq ura të ndërtuara mbi kanalet dhe ujitëse apo kulluese përgjatë gjithë fushës së Myzeqesë. Të tilla janë urat mbi kanalin Vjosë-Levan-Fier dhe degët e tij, Ura e Shushecit, ura e re e Semanit ndërtuar disa vite më parë nga Kompania Bankers, Ura e Kënetës mbi rrugën e re Fier-Frashër, etj. Ndërkohë që me ndërtimin e By-Pass-it të Fierit pritet të ndërtohet edhe ura e re e kësaj autostrade që do ti shtohet numrit të tyre.