MENU
klinika

"Fjalën e ka populli"

Meta: Pushojmë sot dhe nesër, të hënën do vi me ide konkrete

23.11.2019 - 11:39

Një ditë pasi u kërkoi shqiptarëve që të mbledhin 50 mijë firma dhe ti kërkojnë që të zhvillojë referendum, Presidenti Ilir Meta shprehet se ditën e hënë do të propozojë idenë konkrete për çështjet që do të shtrojë përpara shqiptarëve.

Meta thotë se populli nëpërmjet 50 mijë firmave ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, por akuzon klasën politike se nuk nxjerrë ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues duke e bërë të pamundur.

Kreu i shtetit thotë se përballë kësaj situate kur politika nuk mban përgjegjësi dhe di vetëm të thellojë krizat, tani do të bëjë çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit.

“Të dashur qytetarë! Ja çfarë ka vendosur populli shqiptar në referendumin për Kushtetutën:
Neni 150

1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.

2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte! Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!
Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar.

Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve. Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet? Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!” shkruan Meta.

Ditët e fundit kreu i shtetit është kthyer në kryefjalë me deklaratat e forta dhe sulmet kundër ambasadorëve të huaj duke i cilësuar si palaço dhe të korruptuar që mbrojnë Edi Ramën.

Departamenti i Shtetit reagoi duke thënë se është duke e vëzhguar situatën, ndërsa BE-ja i cilësoi sulmet si të papranueshme.

Ndërkohë që mbrëmë pas thirrjeve patriotike Meta mbylli konferencën me një gjest të pazakontë.

Teksa po bënte gati të largohej, përpara se të bënte shqiponjën Meta nderoi para kamerave me përshëndetjen fashiste të Benito Musolinit.