Zgjatja e sezonit turistik e ka shtrirë më shumë në kohë forcimin sezonal të lekut kundrejt euros.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros gjatë tremujorit të tretë të këtij viti rezultoi 121.6 lekë, me një forcim tremujor të lekut prej 1.2%. Edhe mbiçmimi vjetor i lekut në këtë periudhë, prej mesatarisht 3.5%, rezultoi pranë vlerës së shënuar në tremujorin e dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë mbiçmim brenda linjave të sjelljes sezonale të tij dhe përkon me një sezon më të mirë turistik. Krahas kësaj, vitet e fundit është vërejtur dhe një shtrirje më e gjerë e këtij sezoni, çka është reflektuar në nisje më të hershme të mbiçmimit sezonal të lekut dhe zgjatje të tij pjesërisht deri në shtator.
Shuarja e efektit sezonal, tipike e muajit shtator, ka nisur vetëm në fund të këtij muaji dhe është shtirë më tej gjatë muajit tetor, kur arriti në nivelin e 123 lekëve.
Sidoqoftë, krahasuar me vitin e kaluar, forcimi i lekut gjatë vitit 2019 është ngadalësuar ndjeshëm, në kushtet kur deficiti korrent, e veçanërisht ai tregtar, janë zgjeruar. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në përgjithësi, tregtimi i euros në tregun valutor ka qenë i qetë dhe tregu nuk ka shfaqur sinjale stresi.
Qetësimi i kursit të këmbimit dhe frenimi gradual i mbiçmimit të lekut ndaj euros vlerësohet nga Banka Qendrore si një faktor i rëndësishëm për të mundësuar kthimin e inflacionit drejt objektivit prej 3%.