Me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri, po solidarizohen të gjithë, duke u ardhur në ndihmë në forma të ndryshme.
Artistët gjithashtu po shprehen të prekur nga kjo tragjedi. Tenori i njohur, Ramë Lahaj përmes një statusi në Facebook, është shprehur se të gjithë të prekurit e kanë një shtëpi që u rindërtua 20 vjet më parë, duke aluduar për Kosovën, sikur Shqipëria i strehoi vëllezërit kosovarë gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Gjithmonë e në çdo frymëmarrje do të jemi me ju, sikur që ju shenjtërisht ishit me ne, në kohët më të vështira! Të gjithë duhet ta dini se keni një shtëpi që u rindërtua, hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë derisa tuajën ta rindërtojmë së bashku. Tashme, ia kemi marrë dorën ne të mjerët, gjithmonë të shkatërruar ose nga ndonjë regjim barbar ose ndonjë politikë e gabuar, dhe herë pas here, na përplas edhe vet Zoti, sikur pak të kemi vuajtur ne shqiptarët! Por të fuqishëm do të qëndrojmë, deri në frymën e fundit. Me shpirt jeni me ju, gjithmonë!”, – ka shkruar Lahaj në Facebook.