Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë për herë të parë ish-kampin e përqendrimit në Aushvic, bëri të ditur zëdhënësja e saj.
Vizita do të zhvillohet të premten e ardhshme, përpara ceremonive përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të vdekjes.
Merkel do të jetë kancerlarja e tretë gjermane, pas Helmut Schmidtit dhe Helmut Kohlit, që do të udhëtojë drejt kampit që kanë ngritur nazistët në Poloninë e pushtuar.
Kampi nazist i Aushvicit mund të quhet ndryshe kampi nazist i përqendrimit dhe i vdekjes.
Ky kamp famëkeq, që kryesisht u përdor për të eliminuar grupet raciale që nazistët i kishin vënë nën shënjestër, ishte edhe një mekanizëm për të përndjekur Dëshmitarët e Jehovait të kombësive të ndryshme, përfshirë edhe ata gjermanë.
Aushvici gjendet në periferi të qytetit polak Oświęcim, të cilin nazistët e aneksuan gjatë Luftës II Botërore. Në fillim ishte një kamp përqendrimi gjerman me rreth 700 të burgosur polakë që i çuan atje në qershor të 1940-s.
Shpejt Aushvici u zgjerua në një kompleks masiv me mbi 40 kampe dhe nënkampe. Katër dhomat e gazit në Aushvic-Birkenau u merrnin jetën rreth 20.000 njerëzve në ditë.
Nga viti 1940 deri në 1945 të paktën 1,1 milion persona kanë vdekur në Auschwitz-Birkenau, 960.000 prej të cilëve burra gra e fëmijë hebrenj të shpërngulur nga vendet e Evropës së pushtuar nga nazistët. 75 mijë polakë, 21 mijë ciganë dhe 15 mijë sovjetikë u vranë gjithashtu në këtë kamp.
Kampi i Aushvicit në vitin 1974 u fut në listën e trashëgimisë në UNESCO ndërsa sot funksionon edhe si një muze dhe hapësirë ku mësohet më shumë për Holokaustin dhe viktimat e tij.