Ministria e Mbrojtjes deklaron se në rrënojat e hotel Mira Mare në Durrës nuk është gjetur asnjë trup. Ndërsa jep informacione për operacionet e kërkim-shpëtimit të cilat kanë përfunduar, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se tashmë ka nisur puna për verifikimin e dëmeve të tërmetit katastrofik.
“Zyrtarisht operacioni i kërkim shpëtimit në zonat Durrës e Thumanë, më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit ka përfunduar. Në 3 ditë u nxorën nga rrënojat 50 viktima, përmes operacionit ku morën pjesë rreth 250 efektivë të kërkim shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Po bëhen saktësimet e fundit të gjeneraliteteve të viktimave përmes familjarëve të tyre për të dalë më pas me listën përfundimtare emërore. Lidhur me kërkimet e fundit në Mira Mare nuk është gjetur asnjë trup.
Pas kërkim shpëtimit në terren, ekspertë shqiptarë e të huaj nisin punën për verifikimet e dëmeve në terren”, deklaron Ministria e Mbrojtjes.