Intervistë/
Mentor Nazarko: Jam këtu me kolegun Visar Ademi nga qendra e Shkupit për të kuptuar më shumë nga dy krizat ballkanike që po zhvillohen thuajse njëkohësisht, kriza shqiptare dhe kriza maqedonase, por për të kuptuar më shumë për krizën maqedonase. Ndërsa kriza maqedonase vazhdon, (Visar Ademi është i specializuar për çështjet ekonomike dhe punon në organizata të ndryshme ndërkombëtare), duket sikur ekonomia maqedonase vazhdon të ketë ritme normale zhvillimi, investitorë të ndryshëm, para disa ditësh ishte edhe një grup investitorësh turq, këtu vijnë dhe zbulojnë potencialitetet e Maqedonisë. Si është situata në të vërtetë?
Visar Ademi: Në fakt, nuk është ashtu, sepse nuk po ecën ekonomia me ritmet që duhet, në tremujorin e fundit kemi rënie të investimeve të huaja në 32%, sot kam dëgjuar një fakt shumë të çuditshëm që për 52% ka rënie të kompanive të kualifikuara si të mesme në rajonin e Pollogut, janë kthyer në kompani të vogla, gjë që është absolutisht e papranueshme për një vend si Maqedonia.
Mentor Nazarko: Po përpiqen t’i ikin tatimeve?
Visar Ademi: Jo, jo, ka një rënie. Mendoj se ky është reflektimi i krizës dyvjeçare që ekziston, është permanente, është një krizë institucionale dhe në një vend ku nuk ka stabilitet institucional dhe politik, tendenca është që fuqia blerëse e personave të bjerë e të minimizohet dhe këto kompani nuk është se shesin më tepër se rezultati i kësaj krize, prandaj mendoj se është reflektim i krizës politike, borxhi publik i cili mban akoma shpenzimet operative në nivele të larta është tej mase i madh, i kalon tani 51% të GDP-së që është marramendëse për një ekonomi të vogël.
Mentor Nazarko: Në krahasim me Shqipërinë për shembull?
Visar Ademi: Shqipëria akoma ka institucione dhe resurse publike që mund të shiten. Maqedonia nuk ka as edhe një kompani publike që mund ta shesë tani, dhe nuk as se me çfarë të dalë nga kriza. Diferenca që bën me Shqipërinë është se Shqipëria ka akoma një sektor privat vibrant, ka një sektor që është i bazuar tek turizmi, që jep shumë para dhe vlerë shtesë ekonomisë shqiptare, ka një ekonomi e cila eksporton resurset natyrore si kromi dhe pasuri të tjera dhe ka normalisht investitorë të huaj nëpërmjet kompanive Call-Center që po i japin një vlerë shtesë ekonomisë. Tek ne, ekonomia është e bazuar parimisht nga sektori publik, i cili nëpërmjet tenderave dhe prokurimeve publike po mban të gjallë sektorin privat. Është tej mase i rregulluar sektori, shteti ndërhyn shumë duke rregulluar ekonominë e tregut dhe një parti duhet të besojë në ekonominë e tregut të lirë, duhet të ndërhyjë sa më pak e të jetë dora e padukshme. Mirëpo qëndrimi i saj i imponohet shumë lojës së sektorit privat dhe ndonjëherë i jep favore të ndryshme një sektori të veçantë ose një kompanie të veçantë. E gjithë kjo e ka matricën korruptive që ka kjo qeveri me kompani që janë të afërta me qeverinë.
Mentor Nazarko: Ka një mit të Maqedonisë që është shtet që tërheq investimet e huaja, miti i dytë është që Maqedonia ka një bujqësi të zhvilluar dhe një sektor të industrisë së përpunimit të produkteve bujqësore me të cilën i shet produkte Shqipërisë dhe Kosovës të cilat, përkundër kësaj, i kanë tokat djerrë. Miti i tretë është që Maqedonia është një vend në të cilin vijnë edhe kompani të montimit të automobilëve Aston Martin, dhe së katërti është miti që Maqedonia është një vend në të cilin mund të fluturosh shumë lirë. Duke përdorur aeroportin e Shkupit mund të shkosh në gjithë Evropën me çmime të lira. Cila është e vërteta e këtyre katër miteve?
Visar Ademi: E thatë edhe ju vetë që është një mit. Ka pasur investime të huaja, posaçërisht në sektorin automobilistik, nga viti 2006 e këtej, mirëpo këto janë kompani të cilat nuk kanë as edhe një lloj vlere shtesë në ekonominë e vendit, janë nëpër ishuj ekonomikë të izoluar nga ekonomia e vendit, në zinxhirin ekonomik të mallrave që absolutisht nuk janë të lidhur, sepse këto kompani vijnë në këto zona ekonomike vetëm për të shfrytëzuar subvencionet e shtetit, subvencione që japim ne si shoqëri për të mbajtur një vend pune. Ata blejnë nga furnizues institucionalë që vijnë nga vendet e Evropës. Ne si shoqëri paguajmë të gjithë për disa vende pune të cilat krijohen nga paratë e taksapaguesve të Maqedonisë, ndërkohë që ata eksportojnë po ashtu jashtë. Domethënë, bilanci tregtar i Maqedonisë rregullohet më shumë sepse ata importojnë mallra me vlerë shumë të madhe dhe eksportojnë mallra me vlerë shumë të madhe, duke mos shitur asgjë këtu dhe ndërkohë që kanë hapur 50 vende pune.
Mentor Nazarko: 50 vende pune jo, sepse nuk është një fabrikë që monton pjesë automobilësh.
Visar Ademi: Këto janë kompani që janë të automatizuara dhe kërkojnë shumë pak fuqi punëtore manuale dhe i gjithë manaxhimi vjen nga jashtë. Janë kompani të cilat kanë të zhvilluara praktikat dhe kulturën evropiane dhe nuk është se mund të marrin shumë fuqi punëtore manaxheriale nga Maqedonia. Ajo që duhet janë punëtorë manualë dhe fizikë dhe ata janë në një numër shumë të vogël, sepse i gjithë procesi është i automatizuar. Miti i dytë i bujqësisë është se ne sot kemi deficit të qumështit, 57% e importojmë nga Serbia dhe nga Sllovenia. Sot nuk kemi një kapacitet të vetëm prodhues qumështi edhe pse ju i referoheni bujqësisë si fushë tradicionale. Sot kemi deficit të mishit, 78% të mishit ne e importojmë nga Argjentina dhe nga Brazili në formën e mishit të ngrirë. Sot kemi prodhues nga Shqipëria të cilët vijnë në Maqedoni edhe thonë që në qoftë se ju do të keni prodhime të një sasie të madhe të mishit ne mund ta furnizojmë të gjithë sektorin e turizmit.
Ne nuk kemi, sepse i gjithë koncepti i bujqësisë është shkatërruar. Subvencionet të cilat jep ky shtet jepen me njohje, janë të gjitha subvencione të cilat do të duhet të korruptohet një zyrtar i lartë i qeverisë që t’i japë. Këto janë të dhëna që i jep vetë bujku, nuk është se i shpika unë. Sot ke protesta këto ditë në Shkup, se bujqit nuk kanë marrë për dy vjet subvencionet. Nga viti 2013 nuk kanë marrë as edhe një dinar, as edhe një euro të subvencioneve të kaluara. Ky shtet jeton me këste, jeton me para hua që i merr borxh nga institucionet financiare. Fatkeqësisht, kemi marrë më përpara hua nga institucionet si Banka Botërore dhe AIFC-ja, tani po marrim edhe nga bankat komerciale. Nuk e di, a e dini se Maqedonia ka huazuar para në 2013-n me 11%. Sot edhe personat fizikë nuk huazojnë më me 11%. Duke emetuar para nga obligacionet ose letra me vlerë në banka komerciale që është e patolerueshme.
Mentor Nazarko: Keni një vit e gjysmë që jeni qeveri teknike, a ka dhënë kjo efekte negative në ekonomi, apo jo?
Visar Ademi: Sigurisht që po, gjithçka është e stopuar, kjo qeveri nuk mund të blejë dhe nuk mund të ofroje vende të tjera pune, sepse mandatin e ka teknik, duhet të rregullojë strategjitë e përgjithshme për zgjedhjet dhe ndërkohë që i gjithë procesi i furnizimit të sektorit privat me tendera me prokurime publike është harruar, nuk duhet të bëhet.
Mentor Nazarko: Po firmat e mëdha, po themi zinxhirë hotelierë si Marriot, paraqiten në Shkup e jo në Tiranë.
Visar Ademi: Tani duhet të kuptojmë një gjë, që të gjitha këto para që sipas ekspertëve ekonomikë janë larguar nga Maqedonia, janë 5 miliard euro dhe të gjitha këto kthehen në formën e investimeve të huaja. Janë po ata njerëz të cilët i kanë marrë në forma korruptive të ndryshme paratë e këtyre taksapaguesve dhe i kanë nxjerrë nëpër vende që quhen off-shore në forma të ndryshme, nëpërmjet shtetasve britanikë ose qipriotë e kthehen përsëri si investime të huaja.
Mentor Nazarko: Ajo çka po ndodh në Shqipëri në shumë aspekte, jo për kontekstin, po për mënyrën se si po zhvillohet, i ngjan skenarit maqedonas. Domethënë një opozitë e pafuqishme për ta mundur palën tjetër për shkak të pabarazisë, krijon një krizë dhe thërret të tjerët që ta zgjidhin dhe më në fund kemi dy kriza që zhvillohen paralel, por ndërsa ajo maqedonase zgjidhet me zyrtarë të nivelit të mesëm si komisioneri Hahn, ambasadori Kukan apo Vajgel, apo Johanes Hahn, ambasadori i Gjermanisë në Austri; në Shqipëri vjen dje dhe dështon ai që do të duhej të jetë zëvendës i Merkel-it, David McAllister, çfarë gjykimesh ke në lidhje me këto dy kriza paralele?
Visar Ademi: Unë mendoj që mungesa e institucioneve dhe diplomacisë evropiane në Ballkan është evidente dhe diplomacia amerikane ka zbehur ndikimin e saj. Edhe Evropa nuk është më Evropa e Konrad Adenhauer, e Sharl de Gol, e Uinston Çërçill, e baballarëve të krijimit të asaj Evrope, e cila kishte përballë zhvillimin ekonomik. Këta janë burokratë të cilët marrin raportin e Shkupit.
Mentor Nazarko: Po pse Maqedonia që ka një problematikë ndëretnike, ka një qeveri ku prej katër mandatesh ka një kryeministër si Gruevski, ka një establishment që kontrollon ekonomikët dhe politikët dhe kriza zgjidhet me zyrtarë të këtij niveli. Ndërkohë, për të zgjidhur krizën shqiptare vjen një britaniko-gjerman si David Mc Allister, që është kandidat për kancelar dhe për president të Gjermanisë dhe nuk zgjidhet.
Visar Ademi: Kanë ardhur edhe këtu njerëz të atij kalibri, mirëpo nuk është se jepte efekt. Unë mendoj se këto lloj regjimesh që krijohen edhe në Maqedoni, edhe në Serbi janë prodhim i kësaj Evrope të ngathët dhe burokratike. Mungesa e amerikanëve jep një mesazh shumë të qartë që mbase ata duhet të ndërhyjnë përsëri e ta zgjidhin këtë lëmsh.
Mentor Nazarko: Çfarë thonë amerikanët për Trump-in?
Visar Ademi: Administrata e Amerikës nuk është se reagon menjëherë kur ka një president të ri. Mendoj që Trump-it i duhet kohë të konsolidohet me senatin.
Mentor Nazarko: Mos vallë ai mendon që të mos përplaset me Rusinë në Ballkan, por të përplaset diku nga Koreja e Veriut?
Visar Ademi: Tani, unë kam një teori timen, që Rusia nuk është se i intereson shumë, Maqedonia dhe Serbia kanë një lloj sanksioni me Ukrainën për të tregtuar me Evropën dhe e vetmja alternativë tregu që ta përdorin si hap, si korridor për të vazhduar tregtinë me këto vende të Evropës, është Maqedonia dhe Serbia. Prandaj mbajnë influencën e tyre, duke krijuar edhe trazira, me qëllim që dopenimi i tyre të jetë më i madh sesa ai i Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian ka dhënë prova që i ka dhënë embargo Rusisë. Tani Rusia këto po i gjen në formën e tregjeve alternative nga Maqedonia dhe Serbia për të mbajtur një treg më të madh evropian.
Mentor Nazarko: Po Sorosi?
Visar Ademi: Sorosi jep garanci për zhvillimin ekonomik, për demokracinë. Më tregoni një vend të botës apo të Ballkanit Perëndimor ku Sorosi ka investuar në partitë politike. Unë nuk jam për ta mbrojtur Sorosin
Mentor Nazarko: Unë e kam të vështirë ta besoj tani që ai po merret me Shkupin, tani në moshën 87-vjeçare.
Visar Ademi: Shkupi po i jep rëndësi të madhe vetes së vet, tani po shpiken edhe armiq të jashtëm, armiq të brendshëm, ndonjëherë është Tirana zyrtare e pastaj është Sorosi, shqiptarët, pastaj Zaevi.
Mentor Nazarko: Gruevski ka treguar një lloj dinjiteti ndaj Greqisë, qoftë në mosndryshimin e emrit, qoftë edhe me gjithë kontrollin e pjesshëm ekonomik të Greqisë, atë bankar dhe kompanitë celulare. Prapë se prapë, Gruevski nuk është tërhequr ndaj presionit grek. A është ky një model për t’u ndjekur në Ballkan, megjithëse Greqia e sotme nuk është ajo e djeshme?
Visar Ademi: Në qoftë se dëshironi akoma të rrini në familjen ballkanike është një model për t’u ndjekur. Me zgjidhjen e çështjes së Greqisë do të zgjidhej edhe integrimi i këtij shteti në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian ka rregulla, është një det i pasur e i qartë për të notuar. Ata nuk duan të notojnë në det të pastër, sepse ata më mirë të bëjnë lidhjet kriminale e korruptive të cilat kjo qeveri i ka përsosur dhe nuk ka pse të integrohemi dhe të zgjidhim çështje kur kështu jemi mirë. Hajde korruptojmë vendin, i marrim paratë, thua që janë 5 miliard dhe këto janë nga gazetarë hulumtues si puna juaj që kanë hulumtuar dhe kanë ardhur në përfundimin se 5 miliard euro janë derdhur nga Maqedonia jashtë vendit në vende off-shore.
Mentor Nazarko: Sot në Maqedoni është konsideruar si një ditë e rëndësishme për zgjidhjen e krizës, parlamenti është mbledhur, por kur do të zgjidhet kriza maqedonase?
Visar Ademi: Unë mendoj se së shpejti.