Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë është jashtë funksioni prej dy javësh.
Tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë dëmtime të shumta në godinën e këtij institucioni e cila javën e kaluar është inspektuar inxhinierët e Institutit të Ndërtimit në Tiranë. Pas verifikimit ata kanë dalë në konkluzionin se godina e gjykatës së Lezhës nuk ka garanci për të vijuar punën e përditshme në këtë objekt.
Nisur nga kjo situatë, është marrë vendimi që kjo gjykatë të transferohet në ambientet e prokurorisë së Lezhës vetëm për caktimin e masave të sigurisë. Avokati shprehet se kjo situatë ka krijuar problemet e veta për shkak se ka qytetarë që kanë prerë bileta për të ardhur nga jashtë vendit për datën e caktuar të gjyqit.
“Institucioni ka pasur problemet e veta. Ka krijuar probleme se qytetarët marrin vetëm një ditë gjykimi. Ka nga ata që kanë prerë biletat nga jashtë dhe kjo duhet zgjidhur. Duhet të merren masa. Deri tani nuk kemi asnjë lloj informacioni për këtë gjë”- tha avokati.
Sipas burimeve salla e mbledhjeve të prokurorisë së Lezhës, është kthyer në sallë gjyqesh, ku prej disa ditësh po zhvillohen seancat për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave që arrestohen nga policia Lezhës dhe Mirditës që ka në varësi kjo gjykatë. Deri në këto momente në ambientet e prokurorisë po zhvillohen vetëm këto gjyqe, ndërsa për sa i përket gjyqeve penale dhe civile ato vijojnë të jenë të pezulluara për një afat ende të pacaktuar.
Veç sallës së mbledhjeve, prokuroria ka liruar dhe katër zyra ku po ushtrojnë detyrën e tyre gjyqtarët e gjykatës së Lezhës. Godina e Gjykatës së Lezhës pritet të inspektohet sërish nga inxhinierë të huaj të cilët do të thonë fjalën e fundit për fatin e këtij objekti i cili ka pësuar dëmtime serioze ga tërmeti në disa pjesë.