MENU
klinika

Ekskluzive!

Shqipëria e brishtë e 97-ës!

05.05.2017 - 15:34

Shqipëria e 97-është një nga vitet më të vështira shqiptare. Ajo është e njohur si Kriza Piramidale dhe viti i Anarkisë në Shqipëri dhe fillesat e veta i kishte në Lushnjë, pikërisht në 24 janar dhe mbaroi në 24 korrik të 1997-ës, pas dorëheqjes së Sali Berishës si president i vendit. Siç dihet nga të gjithë shkak i rebelimit ishte falimentimi i firmave piramidale që solli humbjen e 1,2 miliardë lekë, të gjitha kursime të shqiptarëve. Opozita e atëhershme përfitoi nga situata e rëndë duke e shfrytëzuar për kredit politik. Ushtria e humbi funksionin e saj dhe vendi ra në duart e Komiteteve të Shpëtimit Publik dhe bandave të armatosura.

Preludi i trazirave nisi nga banorët e Lushnjës, të cilët shpartallojnë forcat e policisë, djegin bashkinë e qytetit dhe kinemanë. Më pas do të digjet bashkia e Vlorës që do pasohet me atë të Peshkopisë. Protestat në fillim ishin  ekonomike, por në vazhdim  u drejtuan kundër qeverisë e presidentit Berisha. Ngjarjet e dhunshme do të vijonin me grevën e urisë të studentëve të Vlorës, ku rreth 50 studentë do të ngujoheshin. Kërkesat e tyre ishin dorëheqja e qeverisë dhe kthimi i plotë i parave. Kjo grevë cilësohet si nxitësi kryesor i degjenerimit të situatës deri në konflikt të armatosur. Në përkrahje të kësaj greve dalin dhe studentët e Gjirokastrës, Elbasanit dhe konflikti u ashpërsua duke pasur dhe viktima. Nga një lëvizje ekonomike situata mori ngjyrim politik dhe Shqipërinë e pushtoi anarkia. Vendin e marrin në dorë bandat, duke bërë dhjetëra vrasje, plagosje dhe vjedhje. Një pjesë e madhe vlonjatësh i kthejnë sytë nga emigracioni. Fillojnë ikjet masive. Anija e drejtuar nga bandat e Vlorës u fundos nga marina italiane, duke shënuar 82 të vdekur.

Më datën 28 mars, Kombet e Bashkuara miratojnë rezolutën nr:1101 për ndihmë humanitare ndaj Shqipërisë. 700 ushtarë vijnë në Shqipëri për të rikthyer rendin dhe forcën e ligjit. Zhvillohet fushata për zgjedhjet e parakohshme. Bilanci i 1997-ës për Shqipërinë është tragjik: 200 milionë dollarë dëme materiale, mbi 3800 të vrarë, nga të cilët 360 policë e 5000 të plagosur. Filluan proceset gjyqësore kundër bosëve të firmave rentierë. U dënuan në mungesë figurat kryesore të shtetit gjatë pushtetit të PD-së.

Të gjitha gazetat e huaja shkruan për gjendjen tragjike të shqiptarëve dhe në veçanti ata theksonin ndarjen e jashtëzakonshme mes gegëve dhe toskëve, pra ndarjen veri-jug që ishte diçka e rrezikshme për shtetin shqiptar.

Pikërisht ankthi dhe gjendja drastike e Shqipërisë në atë kohë nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e gazetarit të famshëm gjerman Karl Hofman, i shoqëruar dhe nga editorialisti i njohur Mentor Nazarko që realizon këto foto ekskluzive, duke fokusuar në objektivin e tij vitin më të vështirë të tranzicionit shqiptar. Më poshtë do të ndiqni një album me fotot ekskluzive të Konica.al mbi vitin e brishtë të shqiptarëve. Vit për t’u ruajtur në kujtesë dhe për të mos u përsëritur më…