UEFA ka vendosur që të dënojë Federatën Shqiptare të Futbollit për keqorganizim të ndeshjes ndaj Francës, të fundit në eliminatoret e Euro 2020.
Institucioni i futbollit kishte hapur një hetim pas ngjarjeve të asaj sfidë, duke marrë për bazë tre shkelje të konstatuara.
E para ishte hedhje e objekteve të palejuara në fushë nga tifozët, për të cilën është ndëshkuar me 3250 euro.
Shkelja e dytë ishte vërshëllima e himnit francez nga ana e tifozëve shqiptarë, për të cilën FSHF është ndëshkuar me 5000 euro gjobë.
Ndërsa shkelja e tretë është edhe më e rëndë sipas UEFA-s, pasi i përket organizimit të pamjaftueshëm që sjell rrezik për sigurinë e tifozëve.
FSHF akuzohet se ka mbyllur dyert dhe daljet në fushë të tifozëve gjatë sfidës, që vë në rrezik sigurinë e tyre në rast të një incidenti.
Ndaj për këtë shkelje, FSHF është detyruar të paguajë një tjetër gjobë prej 15 mijë eurosh. Pra në total, FSHF duhet të paguajë 23250 euro për ngjarjet në ndeshjen ndaj Francës.
Ndërkohë, në Komisionin e Disiplinës të UEFA-s ka përfunduar edhe trajneri i U21, Alban Bushi. Ky i fundit ka vonuar fillimin e ndeshjes të Shpresave përballë Anglisë dhe për këtë arsye është paralajmëruar si ai, ashtu edhe FSHF, që në rast përsëritje të kësaj situate, do të përballet me sanksione disiplinore.