MENU
klinika

Deutsche Welle

Pendarovski vë gishtin në plagët e shoqërisë maqedonase-veriore

19.12.2019 - 10:10

Në fjalimin e fundvitit në Parlament, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kritikoi zhvillimet në gjyqësor duke kërkuar përgjegjësi për secilin që me pagë shtetërore ka arritur të bëhet milioner. “Thuajse tri dekada jemi shtet i pavarur, por ende asnjë politikan i lartë apo afarist i pasuruar brenda një nate nuk ka përfunduar pas hekurave, kurse aty duhej të përfundonin më shumë se një. Perceptimi te qytetarët është se vetëm të varfërit dhe njerëzit që janë të margjinalizuar pa ndonjë lidhje me pushtetin mbajnë përgjegjësi”, ka theksuar Pendarovski.

Ligji për gjuhët nuk është në kundërshtim me kushtetutën

Kreu i shtetit ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore por edhe faktorë të tjerë që bashkërisht të punojnë për arritjen e synimit kryesor të vendit, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Presidenti Stevo Pendarovski ka thënë se Komisioni i Venecias e cilësoi Ligjin e Gjuhëve si kushtetues dhe se nuk është shkelur Kushtetuta e vendit tonë. Por, ai ka tërhequr vërejtjet nga vështirësitë që mund të dalin në zbatimin e tij në praktikë, në veçanti në gjyqësor, që ishte edhe një nga vërejtjet kryesore të Komisionit të Venecias. “Juristët e lartë evropianë me të drejtë thonë se shteti ynë në këtë moment nuk ka kapacitete dhe resurse që t’i zbatojë këto standarde në proceset gjyqësore dhe drejtuese. Me fjalë të tjera, çfarë fitohet nga ligji, nëse dispozitat e tij mbeten vetëm në letër”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Pa gjashtë shtetet e Ballkanit – Mini-Shengeni nuk është funksional

Presidenti Stevo Pendarovski gjatë fjalimit të fundvitit tha se Mini-Shengeni Ballkanik që po flitet si mundësi kohët e fundit, duhet të jetë një Mini-Shengen i plotë me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo i cunguar me vetëm tre vende, ndryshe nuk funksionon. Ai hodhi poshtë edhe teoritë e fundit që dëgjohen në media se ai është si Jugosllavia e Re apo Shqipëria e Madhe. Këto slogane, sipas Pendarovskit, i përkasin shekullit të kaluar dhe duhet të futen në histori. “Mini-Shengeni Ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tre. Mini-Shengeni që të jetë funksional duhet të jetë i plotë, ndryshe nuk funksionon. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me Jugosllavinë e madhe dhe as me Shqipërinë e madhe, kanë kaluar ideologjitë e vjetra të shekullit të kaluar, këto duhet t’i arkivojmë. Mini-Shengeni na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimisht konfliktet në rajon”, vlerëson Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski.

Reagime pas fjalimit të Presidentit

Blloku opozitar ka qëndrime të ndara ndaj fjalimit të presidentit Stevo Pendarovski. Opozita maqedonase vlerëson se fjalimi i presidentit ngjasonte me atë kur Pendarovski ishte bartës liste i LSDM-së për deputet. Sipas VMRO DPMNE-së, lideri i së cilës thonë se nuk ishte i ftuar në këtë seancë, vlerësojnë se Pendarovski ka folur për diagnozat, por jo për zgjidhjet konkrete. “Për fat të keq dëgjuam mjaft fjali të zbrazura, por nuk dëgjuam çfarë konkretisht është bërë në këto 7 muaj. Nuk ka vepra dhe aktivitete konkrete. Dëgjuam shumë diagnoza, por nuk dëgjuam për ilaçe”, ka thënë Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Partitë shqiptare vlerësojnë se presidenti ishte objektiv dhe se qëndrimi tij ndaj mendimit të Komisionit të Venecias ishte korrekt dhe i drejtpërdrejtë. “Unë do t’i përshëndetja konstatimet e presidentit se pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias ligji nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe apelin tek institucionet për ta zbatuar ligjin”, thotë Syrija Rashidi, deputet i ASH-së.

Për LSDM-në ky ishte fjalimi i parë pas plot 10 viteve i një presidenti mbipartiak. Partia në pushtet vlerëson gjithashtu se presidenti dëshmoi se është aleati më i madh i politikave në të mirë të qytetarëve. Fjalimi vjetor i Presidentit u ndoq edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik në Maqedoninë e Veriut.

Fatos Musliu/ Deutsche Welle