Krahas dinamikës për zhvillim të konsumit dhe të investimeve, kredia për ekonominë vijon rritjen e saj progresive.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe ai i nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 8% në muajin tetor.
Banka Qendrore vlerëson se, kjo rritje rezulton se ka shfaqur një bazë të gjerë. Ajo është ushqyer nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve.
“Në këtë kontekst vlen të theksohet se rritja e kredive për qëllime investimi ndaj biznesit jep sinjale inkurajuese për një mbështetje në rritje të nevojave për fonde të ekonomisë nga sektori bankar”- citon Banka e Shqipërisë.
Sinjale pozitive në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky tregues shënoi vlerën 48% në muajin tetor.