MENU
klinika

“Zëri i Amerikës"

“Konflikti për emërimet në Kushtetuese drejt Komisionit të Venecias…”

21.12.2019 - 09:11

Në Shqipëri, konflikti mes presidentit Ilir Meta dhe parlamentit për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pritet të përfundojë sërish në tryezën e Komisionit të Venecias.

Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e Kreut të Shtetit vendosi ta përfshijë këtë rast në objektin e tij të punës, dhe formuloi pyetjet me të cilat do i drejtohet Venecias. Nga ana e tij presidenti paralajmëroi se të njejtën gjë do të bënte dhe ai, duke e konsideruar zgjedhjen e dy anëtarëve nga ana e parlamentit si në shkelje të kushtetutës.

Ndërsa në vjeshtë u angazhua për të interpretuar vendimin e presidentit Ilir Meta lidhur me anullimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve, Komisioni i Venecias pritet të marrë një tjetër kërkesë nga Shqipëria për t’u shprehur për një tjetër përplasje që sërish sheh si palë të njejtët aktorë, parlamentin nga një anë dhe Kreun e shtetit nga ana tjetër.

Komisioni hetimor i ngritur për të vlerësuar nëse me anullimin e datës së zgjedhjeve, presidenti Meta kishte bërë apo jo shkelje të rëndë, që do të mund të çonte në shkarkimin e tij, ka zgjeruar objektin duke përfshirë dhe konfliktin për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti, nuk shfrytëzoi afatin 30 ditor të ligjit, për të përzgjedhur mes kandidatve të listës së paraqitur nga Këshilli i emërimeve në Drejtësi, duke e motivuar këtë me faktin se i takonte më parë parlamentit të zgjidhte një nga kandidatët e vakancave të veta.

Për shumicën, automatikisht u quajt e emëruar zonja Arta Vorpsi, e para në listën e presidentit. Por ky i fundit, pasi parlamenti emëroi dy kandidaturat e veta, dekretoi zonjën Marsida Xhaferllari, duke e ftuar më pas në ceremoninë e betimit. Pikërisht për të dy këto momente, komisioni hetimor vendosi sot që t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Ilir Meta përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, sipas të cilit “Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias, dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik”, shkruan ai duke shtuar më tej se “nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Parlamentit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.”

Në të vërtetë presidenti Meta e kundërshtoi hapur idenë e propozuar nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, që për kapërcimin e këtij ngërçi të kërkohej opinioni i Venecias. Dhe reagimi i tij ngjan më tepër me një kërcënim nëse parlamenti do e zyrtarizojë përfshirjen e Komisionit të Venecias, se sa një vendim i marrë tanimë prej tij, për të bërë të njejtën gjë.

Në fakt, dy anëtaret e emëruara nga parlamenti Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, nuk kishin kandidatë alternativë në momentin e votimit, siç kërkohet nga Kushtetuta. Por po ashtu, si dhe parlamenti, edhe emërimi i zonjës Xhaferllari nga presidenti Meta u bë po në shkelje të të njejtit përcaktim, sipas të cilit përzgjedhja bëhet ndërmjet tre kandidaturave./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!