Kompanitë që do të përfshihen në Programin për Rindërtimin do t’u nënshtrohen kritereve të kualifikimit të vlerësimit sipas legjislacionit për prokurimin publik.
Në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, qeveria ka specifikuar kushtet kur kompanitë nuk mund të përfshihen në këtë program.
Sipas Aktit, Këshilli i Ministrave miraton autoritetin përgjegjës për zhvillimin e procedurës, dokumentet standarde të procedurës së prokurimit, kriteret e vlerësimit dhe përcaktimit të ofertës fituese, kushtet e marrëveshjes kuadër si dhe të kontratës.
Autoriteti përgjegjës i miratuar nga Këshilli i Ministrave për zhvillimin e procedures së prokurimit dhe kushteve të marrëveshjes kuadër si dhe të kontratës skualifikon nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik, nëse është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sipas këtij Akti Normativ skualifikohen kompanitë e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste, korrupsion, mashtrim, pastrim parash ose financim i terrorizmit, vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve, apo falsifikim, shfrytëzim i punës të të miturve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.
Detyrimi për të skualifikuar një operator ekonomik zbatohet edhe kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak, operator ekonomik ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda tij.
Autoriteti përgjegjës shkualifikon nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik në rastet kur ka falimentuar dhe kapitalet e tij janë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit, është subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe ka një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose ka një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme, apo nuk i ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
Me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik është përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik ose koncesioneve ndërtimet civile (godina banimi ose ndërtesa të tjera shtetërore) dhe industriale të projektuara, të ndërtuara, të mbikëqyrura ose të kolauduara, ku ofertuesi është shfaqur në cilësinë e kontraktorit, nënkontraktorit, janë dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore dhe kur ky dëmtim ka ardhur si pasojë e cilësisë së shërbimit ose zbatimit të punimeve të operatorit ekonomik, vërtetuar nga organet kompetente.
Detyrimi për të skualifikuar një operator ekonomik zbatohet edhe kur aksionari, ortaku, administratori ose anëtarët e një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksionar ose ortak ka pasur kompetenca vendimmarrëse në një shoqëri e cila ndodhet në kushtet e mësipërme.