MENU
klinika

Deklarata

Minishengeni/ Vendimet që u morën sot në Tiranë

21.12.2019 - 19:54

Në përfundim të takimit të tretë rajonal mbajtur sot në Tiranë për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një deklaratë ku theksohet angazhimi konkret për të zbatuar katër liritë në rajon, për të çuar para qëllimin që ka secili vend në rajon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Në deklaratën përfundimtare të këtij Samiti, nënvizohet se “6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritur t’i bashkohen këtyre përpjekjeve, për shkak të frymës përfshirëse, të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me vizionin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët tanë”.

Gjithashtu, liderët kanë rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik. “Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut angazhohen: Për një marrëveshje që do të trajtojë qytetarët e secilit vend si vendasit lidhur me udhëtimin, banimin dhe punësimin në secilin vend. Ne synojmë të nënshkruajmë marrëveshjen deri në fund të Janarit 2020 dhe të plotësojmë këto procese sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet të arrihet duke harmonizuar legjislacionin vendas mbi lëvizjen e personave, lejet e punësimit dhe lejet e qëndrimit”.

“Të tre vendet kanë rënë dakord që personat që do të udhëtojnë në rajon do të lëvizin midis shteteve palë pa pasur nevojë për viza apo kufizime emigracioni. Kjo do të rrisë turizmin dhe udhëtimet për në rajon. Një marrëveshje mbi këtë qëllim do të përpilohet dhe nënshkruhet në mbledhjen e ardhshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

PËRFUNDIMET E KRYESISË

Liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me popullin shqiptar pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor. Liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë shprehën angazhimin e tyre për të ofruar mbështetje të vazhdueshme.

Gjatë mbledhjes u arritën përfundime mbi temat e mëposhtme. Ne ftojmë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me masat e përmendura më poshtë dhe garantojmë që secila prej tyre ka si qëllim të ndihmojë rajonin të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

EMERGJENCAT CIVILE

Përgjigja rajonale ndaj tërmetit në Shqipëri ishte emocionuese, e menjëhershme, e plotë dhe bashkëpunuese. Kjo është një shenjë shumë e mirë e asaj që rajoni ynë mund të arrijë kur punojmë të gjithë së bashku.

Delegacionet vizituan zonat e dëmtuara dhe takuan anëtarë të forcave të emergjencës dhe familjet që kërkojnë të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Atyre u duhet mbështetje e vazhdueshme që zona ku banojnë të rikuperohet. Në veçanti, ata u bëjnë thirrje bizneseve të rajonit që të rrisin aktivitetin në zonat e prekura nga tërmeti, gjatë periudhës së rindërtimit. Po ashtu, ata falenderojnë Bashkimin Europian dhe institucionet ndërkombëtare që ofruan ndihmë për familjet e dëmtuara dhe autoritetet vendore.

Në mënyrë që të rritet bashkëpunimi rajonal, liderët deklaruan qëllimin e tyre për të përfunduar një marrëveshje mbi një strukturë rajonale për t’iu përgjigjur emergjencave civile, duke vazhduar një punë që ka filluar tashmë e duke u koordinuar me Programin e Zhvillimit të OKB, Bashkimin Europian (përfshirë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile) dhe organizata të tjera rajonale e ndërkombëtare që kanë ndihmuar të zhvillojnë zakonet e bashkëpunimit dhe përgatitjes.

Si pjesë e strukturës, secili nga ne do të:

–Ndihmojë me aq sa mundet e sipas kërkesës;

-Koordinohet me pjesën tjetër të rajonit në vazhdimësi që ndihma të përdoret në mënyrë sa më efikase;

-Bashkëpunojë vazhdimisht për të rritur kapacitetin e përgjigjes si rajon në tërësi;

-Të marrë pjesë në planifikime dhe trajnime përgatitore, siç është rënë dakord në mënyrë që forcat e emergjencës dhe forcat që koordinohen me to të jenë sa më të përgatitura;

-Të koordinohet kërkesa për Bashkimin Europian, agjencitë ndërkombëtare dhe organe të tjera rajonale që punojnë me përgjigjen ndaj emergjencave civile, lidhur me burime, trajnime dhe ndihmë për të përmirësuar kapacitetet e përballimit dhe reagimin në rajon ndaj katastrofave që dëmtojnë njerëzit, qoftë këto natyrore apo të shkaktuara nga dora e njeriut, dhe

-Konsolidimi i bashkëpunimit në mënyrë të strukturuar midis organeve dhe qendrave të kërkimit të specializuar në reagimin ndaj dhe menaxhimin e emergjencave civile.

Kjo marrëveshje do të përfshihet në Protokollin e Durrësit dhe do të jetë e hapur për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Institucionet e fushës do të takohen në Beograd në Janar për të përfunduar marrëveshjen.

ZBATIMI I KATËR LIRIVE

Liderët analizuan progresin që nga momenti i njoftimit në Ohër më 10 nëntor dhe në Novi Sad më 10 tetor të shtimit të përpjekjeve për të zbatuar katër liritë në rajon, për të çuar para qëllimin që ka secili vend në rajon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një qëllim fillestar është të vënë në zbatim nisma aktuale rajonale për të gjithë anëtarët kurdo që kjo është e mundur. 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritur t’i bashkohen këtyre përpjekjeve, për shkak të frymës përfshirëse, të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me vizionin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët tanë.

Rishikim i Marrëveshjeve të Novi Sadit dhe Ohrit

Janë ndërmarrë disa hapa:

Lëvizja e mallrave

Pikat kryesore kufitare ndërmjet palëve do të jenë të hapura dhe në punë gjatë gjithë kohës, duke përfshirë mbulimin e të gjitha shërbimeve të nevojshme. U mirëprit lajmi se pikat kryesore kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë staf që punon 24 orë në ditë dhe angazhimi që pikat midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do ta mundësojnë këtë sa më parë. Për këtë qëllim:

-Mbledhja përshëndeti miratimin nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s, pas Deklaratës së Ohrit, të vendimeve që do të ndihmojnë të lehtësojnë tregtinë, si njohja e Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë dhe miratimi i strategjisë për menaxhimin e riskut. Gjatë mbledhjes u bë thirrje që CEFTA të marrë sa më parë një vendim për të lehtësuar tregtinë e fruta-perimeve.

-Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që mjetet që do kalojnë në palët e tjera do të ndalohen vetëm një herë. Në Janar të 2020 do të zhvillohet një mbledhje me autoritetet e doganave për të diskutuar aspektin teknik të zbatimit.

-Liderët po ashtu kërkuan të zbatojnë brenda 2020 një sistem të lëvizjes pa dokumente, duke u përshtatur me kuadrin e CEFTA-s në atë zonë. Në këtë aspekt, Palët janë dakord të shtojnë bashkëpunimin për ta përshtatur me legjislacionin e BE-së.

-Punë intensive me Komisionin Europian, Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit Europian të Transportit, si dhe me Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare financiare ka filluar në mënyrë që të mundësohen dokumentet elektronike, të bazuara në AP5 e CEFTA-s dhe përmirësim të infrastrukturës që përfshin korsi shtesë në pikat kufitare.

Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që të rrisin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të CEFTA-s.

Lëvizja e Njerëzve dhe Shërbimeve

Liderët kanë rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik.

Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut angazhohen:

Për një marrëveshje që do të trajtojë qytetarët e secilit vend si vendasit lidhur me udhëtimin, banimin dhe punësimin në secilin vend. Ne synojmë të nënshkruajmë marrëveshjen deri në fund të Janarit 2020 dhe të plotësojmë këto procese sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet të arrihet duke harmonizuar legjislacionin vendas mbi lëvizjen e personave, lejet e punësimit dhe lejet e qëndrimit.

Marrëveshja duhet të plotësojë kërkesat e BE-së dhe të jetë e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për njohjen e kualifikimeve profesionale në BE, profesionet e rregulluara sipas Samitit të Zagrebit, në Maj. Kjo do të zbatohet si për punonjësit aktualë të atyre profesioneve, ashtu edhe për të diplomuarit e ardhshëm në programe të akredituara dhe në ciklin e tretë të studimeve (doktoratura).

Zëvendësimi i Direktivave në disa aspekte lidhur me kontratat për ofrimin e përmbajtjes dhe shërbimeve dixhitale.

Liderët kanë shprehur vullnetin të ofrojnë lëvizje të lirë të shërbimit dhe të bizneseve bazuar në ligjin e fushës, në BE. Ata e konsiderojnë miratimin e Protokollit të 6-të Shtesë të CEFTA-s mbi Tregtinë e Shërbimeve si një moment të rëndësishëm historik dhe si bazë ligjore për hapat e ardhshëm dhe angazhohen të ratifikojnë sa më shpejt dhe ftojnë palët e tjera të CEFTA-s të bëjnë të njëjtën gjë në një kohë sa më të shkurtër. Ata angazhohen të zbatojnë plotësisht detyrimet që lindin nga ajo dhe zotohen të marrin drejtimin lidhur me bashkëpunimin rregullator ndër rajonal në një nga sektorët e zgjedhur dhe në dialogun rregullator në tregun elektronik.

Të promovojnë bashkëpunimin në rregullimin e pagesave me vizionin për të mundësuar pagesa elektronike të shpejta, të besueshme dhe të lira të kalimit të kufirit, bazuar në modelin e BE-së.

Palët kanë rënë dakord të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për njohjen e Shërbimeve të Besueshme dhe certifikatave elektronike.

Të tre kanë rënë dakord që personat që do të udhëtojnë në rajon do të lëvizin midis shteteve palë pa pasur nevojë për viza apo kufizime emigracioni. Kjo do të rrisë turizmin dhe udhëtimet për në rajon. Një marrëveshje mbi këtë qëllim do të përpilohet dhe nënshkruhet në mbledhjen e ardhshme.

Lëvizja e lirë e kapitalit

Liderët kanë rënë dakord për të zgjeruar përpjekjet drejt investitorëve në nivel global, duke u koordinuar me dhomat e tregtisë me pjesëmarrjen e lidershipit të lartë politik nga përtej rajonit. Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord për pjesëmarrje të rregullt në eventet e nivelit të lartë politik dhe t’i kërkojnë përfaqësuesve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Në këtë aspekt, u ra dakord që të rishikohen traktatet bilaterale të investimeve në rajon me qëllimin që ato të harmonizohen më shumë me standardet rajonale, si dhe të përshtaten me standardet e BE-së. Ministritë e fushës do të drejtojnë këto përpjekje dhe do të raportojnë në mbledhjen e ardhshme.

Liderët ranë dakord të zhvillojnë nisma për investimet në sektorët energjetikë dhe të mjedisit, si dhe në turizëm, agrikulturë etj, me qëllimin që të tërheqin investime të reja e investime shtesë në rajon. Do të ngrihet një grup pune për secilin sektor, me ftesa nga Dhomat e Tregtisë, për të përfshirë bizneset, zyrtarë nga të gjitha qeveritë në rajon, ekspertë nga radhët e akademikëve dhe shoqërisë civile, si dhe investitorë të mundshëm nga sektori publik dhe nga ai privat. Duhet të mbahet deri në fund të Shkurtit një mbledhje mbi sektorin e energjisë dhe mjedisit, me fokus mbi qëndrueshmërinë dhe në përfundim duhet të kenë lindur disa sugjerime për ndryshimin e politikave që mund të jenë të nevojshme të bëhen dhe për mundësi investimi. Palët do të punojnë me Komisionin Europian, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve (BEI) dhe të tjerë për të identifikuar mundësitë dhe ndryshimet e nevojshme të politikave për të tërhequr investime. Palët duhet të garantojnë që kjo është në vijë me prioritetet tona për anëtarësim.

Sistemi i vlerësimit

Liderët vunë re rëndësinë e vlerësimeve transparente dhe në kohë mbi sa janë zbatuar angazhimet. Ne do të zhvillojmë një sistem vlerësimi të pavarur dhe dixhital për të vlerësuar progresin e arritur në rrugën drejt realizimit të qëllimeve.

Sistemi duhet të informojë vazhdimisht qytetarët dhe të lejojë dhënien e mendimeve në kohë reale nga qytetarët, klientët dhe bizneset.

Për këtë qëllim, në mbledhje u vu re interesi i donatorëve ndërkombëtarë në mbështetjen e monitorimit të pavarur dhe të sistemit të vlerësimit. Në mbledhjen e ardhshme të këtij grupi do të rishikohen planet me vizionin për të vënë në zbatim sistemin deri në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.

E ARDHMJA DHE ZGJERIMI

Liderët ripohuan angazhimin që kanë ndaj perspektivës Europiane të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksuan që mbledhjet në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë synojnë të rrisin përgatitjen e rajonit për anëtarësimin në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mbledhjes u theksua rëndësia e vendimit pozitiv të Këshillit të Europës mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars 2020.

Liderët theksuan në veçanti se progresi i bërë në drejtim të shtetit të së drejtës e të sundimit të ligjit mbetet i rëndësishëm dhe duhet të integrohet në të gjitha reformat në rajon.

Liderët kërkuan që Ballkani Perëndimor të përfshihet në Konferencën për të Ardhmen e Europës.

AXHENDA E BLERTË E BALLKANIT PERËNDIMOR

Liderët njohin se Pakti i Blertë Europian, i publikuar më 11 Dhjetor 2019, është një nismë kryesore e Komisionit Europian.

6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar tashmë të ngrenë këtë çështje në Podgoricë në shkurt të 2019, në ministerialin “Tranzicioni për në Energji të Pastër”.

Liderët propozuan angazhim aktiv me Komisionin Europian me qëllim që të përfshihet Pakti i Blertë i BE-së në axhendën e Blertë të Ballkanit Perëndimor me synimin e rritjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe investimeve.

VIZIONI: PROCESI I BERLINIT DHE INTEGRIMI EKONOMIK RAJONAL

Liderët shprehën kënaqësinë e tyre që Procesi i Berlinit do të drejtohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria dhe e konsiderojnë këtë një shenjë të qartë të përkatësisë së rajonit në këtë proces. Liderët mirëpritën nismën e presidencës së ardhshme për të pasur një drejtim të përqendruar te rezultatet, të fokusuar tek thellimi dhe jo zgjerimi i axhendës, dhe të mbështesin temat dhe prioritetet e hartuara nga kjo presidencë.

Liderët gjithashtu ranë dakord të mbështesin miratimin e MAP REA 2 në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit dhe zotohen të nisin konsultime të gjera me grupe interesi, biznese dhe ekspertë lidhur me fazën tjetër të MAP REA 2 në mënyrë që procesi të jetë i drejtuar nga rajoni, përfshirës dhe pragmatik.