MENU
klinika

Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’

23.12.2019 - 07:53

Në tensionin mbytës të sallës së gjyqit, është gjithmonë edhe një kategori thuajse e papërfillshme që rri e vëzhgon. Më së shumti janë studentët ata që shkojnë e ndjekin çështjet delikate, por ndodh të jenë edhe kuriozë të rastësishëm, apo që kanë një lidhje të largët e jo fort të ndjeshme me çështjen. Mundet që sot të mos funksionojë më asgjë si më parë, por një pjesë e mirë e ngjarjeve që janë kthyer në histori, pikërisht brenda atyre sallave të ftohta e të vdekura, kanë dalë jashtë prej të tretëve, atyre që, në momentet e vendimit gjëmëmadh, askush nuk ua ka hedhur sytë!

Një rast i ngjashëm ka qenë edhe ai i Islam Spahiut. Ishte viti 1946, kur familja kishte vendosur që djali të zhvendosej në Prizren, tek e motra, për të kryer studimet e mesme. Aty ku jetonte, në Kukës, nuk kishte shkolla, kështu që largimi nga shtëpia ishte thuajse i detyrueshëm. Në këto rrethana, njëri vesh e njëri sy ishte gjithnjë për nga kufiri i afërt. Familja e tij kishte qenë gjithnjë pjesë e çështjeve patriotike, kështu që as Islami nuk mund t’i shpëtonte kuriozitetit e mallit që kishte sa herë dëgjonte të flitej për ngjarje a njerëz që vinin nga Shqipëria.

Ishte 15 vjeç! I madh mjaftueshëm për të t’i zhvilluar këto ndjenja, por jo aq sa për të kuptuar absurdin e ngjarjeve të kohës. Lajmi i gjyqit të famshëm të 29 qershorit të 1946-s ishte shpërndarë në gjithë Prizrenin. Sikur të mos bëhej në shkollën ku Islami mësonte, ndoshta nuk do të ishte gjendur aty, por, duke qenë se ishte fare pranë, kërkoi të gjente një mënyrë për të hyrë. Shkolla ishte boshatisur, ndërsa Islami thuajse iu lut njërit prej rojeve ta lejonte të qëndronte në korridorin e ftohtë të shndërruar në sallë. “Ulu aty, tek ajo qoshja, vetëm mos të të dëgjohet zëri!”.

E pranoi urdhrin dhe zuri vend. “Më kujtohet ende portreti i asaj vajze të hijshme, të cilin e përshkon një buzëqeshje melankolike. Sa shumë fliste nuri i asaj fizionomie! Do të ish vështirë të shpjegohej se si ata sy të zinj aq të bukur të një femre, të shfaqin tinëzisht shkëndijën e një shpirti heroik. Aty pasqyrohej ndoshta edhe fati i saj: hiri i bukurisë, bashkuar me madhështinë stoike të martirit. Qe një lule në pranverën e jetës, një lule që u këput nga një dorë mizore, një lule e moshës së re, 24-vjeçarja Marie Shllaku.

E lindur në Shkodër, shkoi në Kosovë me mision atdhetar. Gjatë luftës ushtroi aktivitet antifashist, ndërsa pas ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës, ajo u hodh në ilegalitet si një nga organizatoret kryesore të lëvizjeve, që çuan në kryengritjen e famshme të Drenicës, të udhëhequr nga heronjtë legjendarë Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Isha 15 vjeç atëherë dhe nuk e dija nëse fati më dhuroi atë hir për të cilin Dostojevski ka thënë që një kujtim i shtrenjtë i fëmijërisë, lot rol më të madh sesa edukata e një jete të tërë.

– Nuk di, veç që, si çdo njeri, kam harruar shumë gjëra të jetës, por episodin që dua të tregoj këtu, nuk kam mundur ta harroj kurrë. Mirë thotë një fjalë e urtë gjermane: “Të harrosh është shpesh më e vështirë sesa të kujtosh”. Maria, megjithëse vajzë e re, nuk dukej më e tillë! Ajo u kap e plagosur rëndë dhe para se të dilte aty, në atë gjyq, kish përshkuar ferrin e hetuesisë, i cili ia kish djegur freskinë e moshës që paraqet portreti që shoh tani.

I kish mbetur porse ajo esencë që nuk digjet, që nuk fiket, që nuk mposhtet: drita e bindjes ndaj një feje, ndaj një dashurie jotokësore, po sublime; ajo tani ishte një apostulle e shqiptarizmit. Këtij ideali ajo ia kushtoi rininë dhe tani, në bankën e të akuzuarve, po priste të flijonte edhe jetën për të. Fytyra e saj ish asketike, thatime dhe e zbehtë, në kontrast ekstrem me flokët dhe sytë e saj të zinj.

Vihej re një e grisur e lehtë në supin e bluzës së saj të bardhë. Përballë, si zakonisht, qëndronte trupi gjykues ku spikaste figura e prokurorit. Ai kish së pari pamjen e një borgjezi plot shëndet; pastaj të një intelektuali që e fliste shqipen me elokuencë. Tek e shihja, mendoja: një shqiptar që e flet gjuhën amtare kaq bukur, të jetë kaq antikombëtar? E quanin Ali Shukriu. Më së shumti, ky ia drejtonte pyetjet Maries. Ja një pjesë e dialogut që mbaj mend:

Fjalët e fundit të Marie Shllakut

Pyetje: Çfarë kërkonit ju në atë kryengritje?

Përgjigje: Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pyetje: Për çfarë regjimi mendoni ju?

Përgjigje: Për një republikë demokratike, si ajo e Nolit.

Pyetje, – Prokurori: Po Fan Noli e ka lavdëruar regjimin e sotëm në Shqipëri me Enver Hoxhën në krye, i cili siç dihet është me ne.

Maria heshti pak kokulur, sikur ra në mendime e pastaj, rrëmbimthi, ngriti kokën në shenjë sfide e tha me zë të lartë:

-Sido që të jetë, Kosova duhet të jetë e pandarë nga Atdheu! Duke thënë këto fjalë, ajo i ra fort tavolinës me grusht. Nuk mbaj mend më tej, veçse atëherë m’u duk se nga krisma e atij grushti, ushtuan malet e grykat e Kosovës dhe jehona përshkoi anembanë Shqipërinë.

Ata të katër u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Ata qenë katër yje që zunë vend në qiellin e lavdisë shqiptare, e aty ku është më e errët nata, aty ndrisin më shumë yjet… Pastaj, “nuk ka natë që të mos gdhijë, sado që të jetë e gjatë” – (Shekspir). E kur të arrihet kjo, atëherë do të shndërrohen në rreze dielli, të atij dielli që do ta ndriçojë përjetë Shqipërinë e bashkuar etnike.

MARIE SHLLAKU

Fillimi i vitit 1946, në Kosovë, fillon me një valë të paparë ndjekjesh e arrestimesh. Hijet e zeza të UDB-së e OZN-së shpërndahen dhe trokasin shtëpi më shtëpi, zënë pritat. Fillojnë reprezaljet që do të mbetën kujtimi më i hidhur në histori. Kosova jetonte natën e Shën Bartolomeut, pas së cilës do të lindin shumë procese gjyqësore historike, dëshmi e dhembshme e kohës nën robërinë Jugosllave.

Qershori i vitit 1946, mezi që kishte ecur një vit i “çlirimit” nga fashizmi. Në Prizrenin legjendar përgatitej kontingjenti prej 27 vetave për të dalë në bankën e të akuzuarve dhe, në emër të popullit, në të ashtuquajturin “gjyqin e popullit”, të marrin dënimin. E duhet theksuar se pas këtij kontingjenti, që kryesisht përbëhej prej nxënësve e intelektualëve, ku më vonë do të pasohet nga dhjetëra e qindra të tjerë, po ashtu shqiptarë të shkolluar e liridashës, që grupe-grupe do t’i nënshtrohen “vëllazërim-bashkimit” jugosllav.

Procesi më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa dyshim është procesi gjyqësor i At Bernard Llupit, Kolë Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të prof. Ymer Berishës. Procesi i lartpërmendur filloi më 29 qershor 1946 dhe përfundoi më 11 korrik të po të njëjtit vit, që do të thotë se zgjati gjithsej 13 ditë, pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i këtij procesi, siç ishte bërë rregull në çdo proces tjetër, ishte Ali Shukriu.

Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin kryetari i trupit gjykuesDragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla dhe Selajdin Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të akuzuarve ishin Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh Golluboviq me të vetmin avokat, edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu, Vlladimir Znamenski, nga Gjakova. Më 29 qershor, Prizreni i bukur kishte ditë zie.

Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin vetëm pse kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe një Shqipëri etnike. Në një pyetje të një hetuesi drejtuar Marie Shllakut, se prej sa kohësh ke filluar të merresh me politikë, ajo i ishte përgjigjur “Po, që herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet politikë dashuria ime për atdheun, përpjekja ime qysh se di për vete për një Shqipëri etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe Çamërinë”, dhe ja pse u dënua me vdekje Marie Shllaku- Zhanë D’Ark shqiptare.

KUSH ISHTE MARIE SHLLAKU

Vend të rëndësishëm në lëvizjen ilegale të Kosovës zë shkodrania Marie Shllaku. Ajo lindi më 22 tetor 1922, nga babai Mark Simon Shllaku dhe e ëma Dile Shllaku. Ishte studente e Filozofisë në Universitetin e Romës. Ishte e pamartuar. Një kohë punoi ndihmëse në Çelen e Fishtës, mandej ishte sekretare e Iliaz Agushit dhe Xhafer Devës. Ndërsa sipas deklaratave të dhëna në hetuesi, ajo kishte pohuar se “Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e pamartuar, studente e Filozofisë, flas e shkruaj shqip, latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, greqishten e vjetër dhe nga pak serbisht”.

Maria ishte njëra ndër ato femra, e cila me një guxim të rrallë doli në male krah për krah me burrat, për ta ndalur copëtimin e Shqipërisë etnike. Një të njëjtën kohë, ajo ishte bashkëpunëtore e ngushtë e prof. Ymer Berishës. Qysh në fillim kur u detyrua të kalojë në ilegalitet, iu bashkëngjit grupit të Ukë Sadikut dhe Ndue Përlleshit. S’bashku me profesorin Ymer Berishën mori pjesë në themelimin e organizatës politikepatriotike “Besa Kombëtare”, në Dobërdol. Në Kuvendin e Dobërdolit, ajo kishte mbajtur procesverbalin e tubimit. Ishte e dashuruar me Shqipërinë etnike, andaj edhe tërë punën dhe veprimtarinë patriotike ia kishte kushtuar asaj, sa që në fund edhe u flijua për të.

Kosovën e deshi me shpirt, punoi për Kosovën, doli në male të Kosovës, mori pjesë në shumë aksione luftarake kundër okupuesit në Kosovë. Në betejën e Siçevës, më 12 shtator 1945, u plagos rëndë, por edhe në atë gjendje, ajo nuk ishte dorë- zua. Edhe pse e plagosur rëndë, qëndronte stoike dhe me të gjitha ato plagë arriti që të çante rrethimin. Ishte strehuar në një shtëpi të fshatit, ku më vonë u zbulua nga bashkëpunëtorët e OZN-së. Pas arrestimit të Maries filloi edhe një etapë e re e jetës së saj, me plot ankth dhe vuajtje të rënda. Ajo në fillim nuk kishte pranuar asgjë, nuk i përgjigjej asnjë pyetjeje që i bënin hetuesit.

Ata ishin shumë të pakënaqur, nga ajo kërkonin më tepër, kërkonin që të dinin për rrjetin e ilegalëve, kërkonin luftëtarët, bashkëpunëtorët, jatakët e tyre e shumëçka tjetër. Ndaj saj përdorën metoda të rënda torturuese nga ato më të ndryshmet e shkuan aq larg, sa edhe i premtuan se po qe se fliste, do ta lironin. Marie Shllaku, edhe pas të gjitha këtyre premtimeve, kishte heshtur, asnjë fjalë nuk kishte nxjerrë nga goja.

Aktgjykimi i Marie Shllakut

Në aktgjykimin e Marie Shllakut thuhej që ajo akuzohej se:

1. Marie Shllaku ishte sekretare e ministrit të Punëve të Brendshme, Iliaz Agushit. Ajo, edhe pse pas vitit 1945 kishte mbetur në Kosovë për të punuar kundër sistemit të ri shoqëror.

2. Ajo së bashku me disa fshatarë, i kishte organizuar ata dhe kishte dalë në male për të luftuar kundër partizanëve dhe kundër sistemit të ri, duke penguar UNÇ-në të ndërtojë pushtetin popullor.

3. Gjatë vitit 1944, duke shfrytëzuar njohësitë e mëhershme me bandat balliste, ajo bëri lidhjen e ndërsjellë të tyre me Ismail Goranin dhe Ukë Sadikun, të cilët pastaj sulmuan Gjilanin, Ferizajn dhe vende të tjera.

4. Në fillim të vitit 1945, pasi doli në mal, ajo propagandoi që shqiptarët nuk duhet t’i përgjigjen thirrjes për të shkuar në Armatën Jugosllave, por të dalin në mal për të zhvilluar luftë kundër partizanëve.

5. Në janar 1945 mori pjesë në Kuvendin e Drenicës, së bashku me prijësit e tjerë, siç ishin: Ymer Berisha, Mehmet Gradica, Ahmet Shala, Ukë Sadiku, Shaban Polluzha, Met Dina etj., ku u vendos të sulmoheshin njësitë e UNÇ-së në Drenicë dhe çdokund tjetër.

6. Me të mbaruar lufta e Drenicës, e deri sa u burgos, në vjeshtë të vitit 1945, ajo vazhdoi të jetojë në mal, duke i nxitur luftëtarët e rezistencës antikomuniste. Mori pjesë në shumë kuvende, ku u morën qëndrime për të vazhduar rezistencën me armë, e bindte popullin që të dilte në male, t’u bashkohej luftëtarëve të Shqipërisë etnike.

7. Mori pjesë në Kuvendin e Dobërdolit, në gusht të vitit 1945, ku u vendos që Ymer Berisha të jetë udhëheqës politik, Ukë Sadiku udhëheqës ushtarak i gjithë luftëtarëve të rezistencës në Kosovë.

8. Mbajti lidhje të vazhdueshme dhe të pandërprera me prof. Ymer Berishën dhe me prijës të tjerë të rezistencës.

9. Mori pjesë në betejat kundër Njësive Ushtarake Jugosllave dy herë me radhë, ndërsa në luftën e Siçevës u vranë 11 oficerë dhe ushtarë të APJ-së (ku edhe e akuzuara u plagos).

10. Mbajti lidhje të vazhdueshme me fratin e Pejës, At Bernard Llupin, nga ai mori të holla, letra dhe porosi të tjera.

11. Marie Shllaku, edhe pse e plagosur, kujdesej për grupet ilegale shqiptare, mbante lidhje me ta, dhe u kujdes për tërheqjen e tyre jashtë kufijve të vendit, duke bërë krime që sanksionoheshin me nenin 3, pika 7 dhe 12, të ndëshkueshme sipas nenit 4, alineja 1, të ligjit mbi vepra penale kundër popullit dhe shtetit.

Nga e tërë kjo që u tha më lart, prokurori Ali Shukrija kërkoi që kjo e re 23-vjeçare të dënohej me dënimin më të rëndë: Me vdekje- pushkatim. Në këtë proces u shqiptuan dënime drakoniane: 4 veta u dënuan me pushkatim: Marie Shllaku, At Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini, të cilët më 24 nëntor u ekzekutuan nga eskadroni i vdekjes jugosllave, në Prizrenin e bukur, ndërsa të tjerët u dënuan prej 1- 12 vjet burg.

Është e vërtetë se ajo jetoi pak, por pakkush e jetoi jetën aq intensivisht e trimërisht si ajo. Jeta dhe vepra e saj u vunë pa luhatje në shërbim të atdheut dhe të lirisë dhe kështu, me sakrificën e vet, mbajti gjallë në shpirtin e kombit dëshirat e shpresat liridashëse deri në fitore.