MENU
klinika

"Kosova nuk trajtohet si shtet i pavarur nga Serbia"

Haradinaj: S’ka nevojë për ‘Mini Shengen’ me kryeqytet Serbinë

24.12.2019 - 09:16

Udhëheqësit politikë kosovarë kundërshtojnë sërish ashpër nismën rajonale “Minishengeni Ballkanik”, ku Kosova nuk trajtohet si shtet i pavarur nga Serbia.

Takimi i radhës i nismës rajonale për një “Minishengen Ballkanik”, që u mbajt në Tiranë me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, nuk u vlerësua mirë në Kosovë, ku reagimet ishin nga më të ndryshmet. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi të marrë pjesë në këtë takim për shkak të Serbisë, e cila sipas tij, “vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe të pengojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar”.

Haradinaj: Nuk kemi nevojë për një Mini Shengen me kryeqytet Serbinë

Ndaj takimit të tretë me radhë që u mbajt në Tiranë, nismë kjo rajonale për një “Minishengen Ballkanik”, reagoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se “Kosova nuk ka nevojë për një ‘Mini Shengen’ me kryeqytet Serbinë”, duke potencuar se “po vërehet se “Mini Shengeni”, ka për qëllim heqjen e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia”.

“Përderisa Kosova nuk njihet nga Serbia dhe mohohet masakra e Reçakut, iu mbetet t’iu themi puna e mbarë pa ne”, ishte reagimi i Haradinajt ndaj takimit të liderëve të rajonit që u mbajt në Tiranë, duke e argumentuar refuzimin e Kosovës edhe më tutje.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra 6 vende kanë mbetur pa u anëtarësuar në BE. Ne kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Pra, secili vend ka kontratë me BE-në. Kosova e ka MSA-në dhe ne duhet me u fokusuar në MSA. Pra, nuk kemi nevojë për një Mini Shengen me kryeqytet Serbinë ose lider Serbinë të Mini Shengenit tonë. Jemi të interesuar për Shengen në këtë rast, për BE-në”, tha Haradinaj, duke shtuar se “Kosova është vend euroatlantik” dhe kjo është perspektiva e saj.

Kjo deklaratë e Haradinajt duket se e ka nervozuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili pas përfundimit të Samitit, e cilësoi Haradinajn “gënjeshtar”, duke thënë se “nuk ka asnjë kusht ndaj Kosovës për të marrë pjesë në takimin e liderëve të rajonit”.

Rama: Refuzimi i Kosovës për mua i pakuptueshëm

“Haradinaj është një gënjeshtar dhe vazhdon të gënjejë. Nuk e di nëse e bën nga padija, por është gënjeshtar”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas mbylljes së samitit. Më parë, gjatë konferencës së përbashkët me liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, Edi Rama tha se “nisma rajonale nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush”.

“Më lejoni ta them hapur se për mua, refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha Rama.

Kundërshtimi i parë ndaj Samitit të Tiranës erdhi nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që refuzoi ftesën e bërë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Liderët e vendeve të rajonit pa praninë e udhëheqësve kosovarë, për herë të parë janë takuar në Novi Sad dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku janë dakorduar përmes një deklarate që synohet të përmirësohet bashkëpunimi rajonal, apo të krijohet një “Minishengen Ballkanik”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në letrën publike të refuzimit tha se, “Kosova për dallim nga Shqipëria, vazhdon të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vetë nga Serbia”.

Albin Kurti: “Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon përmes Prishtinës”

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës kujtoi në rrjetin e twitterit se iniciativat rajonale duhet të drejtohet nga parimet e gjithëpërfshirjes dhe të reciprocitetit. “Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon përmes Prishtinës”. Ai shkroi se shqiptarët janë një popull dhe “askush nuk mund të qëndrojë midis nesh.”

Thaçi: Kosova në NATO e BE, jo në “iniciativa eksperimentale rajonale”

“Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë. Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, shkroi në profilin e tij social Presidenti Thaçi. Sipas Presidentit të Kosovës, “nuk mund të këtë përparim në bashkëpunimin rajonal pa pasur njohje reciproke, dhe se Kosova synon anëtarësim në NATO e BE” dhe jo në “iniciativa eksperimentale rajonale”.

Analistët kosovarë: Rama nuk e mbron sa duhet nga Serbia subjektivitetin e Kosovës

Ideja e “Minishengenit Ballkanik”, është kundërshtuar edhe nga udhëheqësit e tjerë të partive politike në Kosovë, duke e cilësuar këtë iniciativë si një “devijim” të rrugës euroatlantike.

Reagimet nga Kosova dhe kundërreagimet nga Tirana për nismën rajonale ”Minishengeni Ballkanik”, sidomos për takimin e fundit që u mbajt në Tiranë, prodhuan debat të gjerë në Prishtinë, në disa raste edhe me ofendime publike ndaj kryeministrit të Shqipërisë.

Shumë analistë në Prishtinë po e akuzojnë Edi Ramën si një kryeministër shqiptar që me veprimet e tij nuk po e mbron sa duhet subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës karshi mohimit dhe pengesave që i bën Serbia./DW

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë

Zotohen për thellim të bashkëpunimit

Kosova dhe M. e Veriut nënshkruajnë tri marrëveshje