Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka reaguar për nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç për krijimin e projektit të ashtuquajtur “Minishengen”.
Ky reagim i ASHAK-ut vjen pas një serie deklaratash të kryeministrit Edi Rama, në drejtim të politikës dhe institucioneve të Kosovës që kanë kundërshtuar një ide të tillë dhe kanë refuzuar ftesat për pjesëmarrje në një tavolinë me Serbinë dhe anasjelltas.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës konstaton se një nismë e tillë ka për qëllim rrënimin e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit.
Sulmet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në drejtim të Kosovës, ASHAK i sheh si një hakmarrje të paarsyeshme që ka konotacion shqetësues për të ardhmen e raporteve Kosovë-Shqipëri.
Në reagimin e lëshuar sot nga ASHAK-u, thuhet “në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës ‘pyetje patetike’; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës”.
ASHAK-u ndër të tjera thotë se një ide e tillë për ‘Minishengen’ nuk mund të jetësohet duke qenë se Serbia do të ketë rol dominues aty dhe bazuar në faktin se Beogradi zyrtar vazhdon me qasje destruktive ndaj Kosovës, nuk e njeh si shtet dhe çdo ditë e lufton subjektivitetin ndërkombëtar.
“Kosova nuk mund të marrë pjesë në një nismë të tillë përderisa Serbia vazhdon ta mbajë në kushtetutën e saj”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në letrën e lëshuar nga ASHK-u gjithashtu është kritikuar shoqëria civile dhe bota akademike në Shqipëri si dhe faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut të cilët nuk kanë reaguar .
DEKLARATA E PLOTË
Të përballur me kriza të brendshme dhe me dështime të njëpasnjëshme në çështje të reformave dhe të integrimeve evropiane; me rritjen e vazhdueshme të autoritarizmit dhe të pushtetit të pakontrolluar të oligarkëve; me cenimin e pashembullt të lirisë së shprehjes dhe të veprimit opozitar; me përfshirjen e pandalur të të gjithë pushteteve në një paqëndrueshmëri institucionale, tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial në opinionin tonë me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Europës, me të ashtuquajturin “mini-Shengen ballkanik”, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm: çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve.
Duke e parë këtë rrethanë dhe duke vërejtur dëmin e konsiderueshëm që shkaktoi kjo nismë në politikëbërjen shqiptare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është e shtrënguar të reagojë, duke konsideruar se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimit e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, duke krijuar alternativa minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë proces. Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës “pyetje patetike”; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës. Po kaq i pakuptueshëm dhe thellësisht i parëndësishëm, madje i zmbrapsur dhe i pavlerë ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk gjeti mënyrë të artikulojë një qëndrim që do të shkonte një hap më larg se interesat e ngushta të politikës provinciale.
ASHAK fuqimisht mbështet qëndrimin se “mini-Shengeni ballkanik” nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve.
Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të përfshihet në një proces të udhëhequr nga Serbia, përderisa ajo vazhdon ta mbajë Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë e këtij shteti dhe aq më pak të përfshihet në aleanca që shkojnë kundër interesave tona kombëtare dhe krijojnë alternativa të kundërvënies ndaj integrimeve europiane dhe euro-atlantike. Kosova nuk mund të bëhet pjesë e aleancave që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë zhbërjen e saj. Historia më e re e Kosovës është histori e vlerave të civilizimit perëndimor dhe e parimeve të lirisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje. Më anë tjetër, Kosova është shtet sovran, ka subjektivitetin e saj politik, ka organet e saj legjitime dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pranojë vendimmarrje të imponuar dhe sjellje paternaliste.
Duke u mbështetur në këto parime, ASHAK gjithnjë do të punojë dhe do të mbështesë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në të gjitha fushat, do të bëhet pjesë e të gjitha proceseve të përbashkëta integruese dhe do të përpiqet të minimizojë dëmet që shkaktohen në këto marrëdhënie nga politikat e pamatura dhe kundërvënëse ndaj procesit normal të integrimit të ndërvetshëm.