Duhet parë nëse është vendsour një rekord për Guinness, pasi 48 mijë bileta të shitura në më pak se 10 minuta nuk është regjistruar ndonjëherë.
Dhe nuk po bëjmë fjalë për një finale të kupës në futboll apo ndeshje boksi. Është një ku përballë njëri-tjetrit do të jenë dy ikona të tenisit, Roger Federer dhe Rafael Nadal.
Dy nga tenistët më të mirë në botë do të duelojnë mes tyre më 7 shkurt në Cape Town të Afrikës së Jugut. Një ndeshje bamirësie, ku të ardhurat do të shkojnë për fondacionin e tenistit zviceran.
Sfida do të luhet në “Cape Town Stadium”, i ndërtuar për botërorin 2010 të futbollit. Kjo ndeshje pritet të thyejë rekordin e spektatorëve për një ndeshje tenisi, që për momentin mbahet nga Kim Klijsters dhe Serena Williams, vendosur në vitin 2010 në Bruksel (Belgjikë). Në atë takim ishin të pranishëm 35.681 spektatorë.
“Biletat dolën në shitje në orën 9 të mëngjesit dhe pas 10 minutash ishin shitur të gjitha, 48 mijë të tilla. Mbetëm të habitur nga entuziazmi i njerëzve, nuk e prisnim këtë gjë”, – thanë organizatorët e kësaj sfide “shoë”.
Çmimi i biletës varion nga 9 euro, në 119 euro. Çdo blerës kishte të drejtë të blente maksimumi 6 bileta.