Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, ndërsa janë publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë.
Ajo që bie në sy është fakti se qeveria ka zgjatur ditët e pushimit për punonjësit e administratës. Data 3 janar, e cila i takon që të jetë e premte, është shpallur me VKM si ditë pushimi, duke bërë që të gjithë punonjësit të “shijojnë” pushimet nga 31 dhjetori deri në 6 janar të 2020. Dita e premte që u caktua pushim do të zëvendësohet brenda muajit janar.
VKM PER PUSHIMIN:
V E N D O S I:
- Caktimin e ditës së premte, datë 3.1.2020, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
- Dita e punës e datës 3.1.2020 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda muajit janar.
- Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Këshilli i Ministrave po ashtu ka miratuar një tjetër vendim të rëndësishëm, i cili ka në fokus fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nënorit. Sipas VKM-së, nxënësit të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, anëtarë të familjes së personave që kanë humbur jetën në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë do përfitojnë një bursë mujore prej 15 mijë lekësh të reja.
VKM PER BURSAT:
Përfitojnë bursë në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, anëtarë të familjes së personave që kanë humbur jetën ose janë shpallur të zhdukur në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019.”.