MENU
klinika

'Plaku i Pleqnive'

Ndahet nga jeta Avdi Rexha, misionari i ‘pajtimit të gjaqeve’

26.12.2019 - 10:01

Ndahet nga jeta në moshën 95-vjeçare Avdi Rexha, misionari që për më shumë se 25 vite pajtoi familjet në gjakmarrje në Tropojë, një zonë me shumë dyer të mbyllura nga frika e marrjes së gjakut.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë kryebashkiaku i Tropojës Rexh Byberi, i cili e cilëson Rexhën si “Plaku i Pleqnive” dhe pasardhës rigoroz i trevës historike të Bujanit.

“Me pikëllim u informova se u nda nga jeta Avdi Rexha,një burrë që jo vetëm për Komunitetin tonë të Tropojës kudo ndodhen por shumë më gjerë ndër shqiptarë sidomos në Kosovë njihet tashmë si “Plaku i Pleqnive”. Si një pasardhës rigoroz i trevës historike së Bujanit të Krasniqes tonë krenare,fisnike e atdhetare, Avdi Rexha la emër të veçantë duke u shndërruar në misionar pajtimi. Ai do ngelet jo vetëm në memorien e bashkëkohësve por dhe të rinisë për të cilët u kthye në edukator shembullor popullor.

Në emër te Bashkisë Tropojë por dhe personalisht përveç trishtimit i përcjell familjes, farefisit dhe miqve të shumtë të këtij burri me cilësi te nalta Ngushëllimet më të ndjera dhe të sinqerta. R.B”, shkruan Rexh Byberi.