MENU
klinika

Nga Alban Daci

Çfarë duhet korrigjuar në propozimin për votën e emigrantëve?

28.12.2019 - 16:08

Në lidhje me votën e emigrantëve!

Së pari, dua të përgëzoj “Propozimin e grupit ndër-institucional të punës për të drejtën e votës të shtetasve shqiptarë jashtë vendit në Republikën e Shqipërisë për Komisionin e Reformës Zgjedhore”.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur padyshim “Ministria e Diasporës”!

Parimisht me këtë propozim jam plotësisht dakord e mendoj se në anën formale është bërë një punë e mirë, edhe pse tashmë në jemi ndjekës i modeleve ekzistuese e mandje jemi të vonuar në këtë drejtim.
Ky propozim parimisht është i ngjashëm me propozimet e mia të bëra para tre vitesh.
Unë, në atë kohë i isha referuar kryesisht modelit italian duke e plotësuar akoma më shumë këtë propozim në këndvështrimin “të jesh i përfaqësuar dhe të përfaqësojnë”, sepse kisha parashikuar kuota kandidatësh e parlamentarësh sipas numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Propozimet ndër-institucionale kanë disa mangësi e mund të korrigjohen për sa kohë jemi në fazë diskutimesh:

1. Është mirë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës:
– institucionet shtetërore;
– forcat politike;
– faktorë nga Diaspora;

2. Nëse ne duam realisht të zbatojmë Kushtetutën si dhe Kartën Europiane të Drejtave të Njeriut, ne duhet t’u japim mundësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë të zgjedhin e të zgjidhen. Ç’do të thotë kjo?

-në raport me popullsinë të caktohen kuota në Parlament për përfaqësimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë;
-të krijohet një mekanizëm që detyron partitë politike të kenë kandidatë nga shqiptarët që jetojnë jashtë;

Mendoj se jemi akoma në kohë për t’i realizuar këto objektiva që do e shëndoshnin më shumë demokracinë tonë!