Partia Demokratike ka reaguar pas plagosjes së kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe. Me një deklaratë për mediat, selia blu thekson se ngjarja e sotme është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel.
Më tej, Partia Demokratike thekson se “çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij”-thuhet mes tjerash.
Reagimi i Partisë Demokratike:
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Bashkinë e Lushnjës është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale.
Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni.
Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij.
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, ble vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë. Për Partinë Demokratike ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kjo krizë përfaqësimi.
Këto janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, të cilat do të largojnë nga drejtimi i vendit kryeministrin me rekordet më të zeza të lidhjeve me krimin dhe korrupsionit dhe për t’u dhënë qytetarëve një qeveri që punon për mirëqenien dhe sigurinë e tyre.