MENU
klinika

Çfarë ndodh me teatrot?

Teatri për fëmijë dhe çfarë po u mësojmë të vegjëlve

24.09.2018 - 13:35

Ilnisa Agolli/

Çfarë ndodh me teatrot e fëmijëve?

Kjo është një pyetje jo e parëndësishme kur mendon se në ç’dorë ka mbetur fati i marrëdhënies me më të vegjëlit.

Sfera imagjinare ka një detyrë të vështirë për regjisorët e këtyre shfaqjeve për ta kthyer realitetin tonë dramatik në një realitet tërësisht artistik.

Është thuajse një magji më vete ky proçes i cili kalon nga bota reale tek ajo e një riprodhimi poetik, i cili në pamje të parë duket sikur nuk vendos asgjë dhe të rriturit nuk ngulmojnë ta ndjekin sepse ky teatër nuk detyron e as ngulmon.

Por nëse shtrojmë pyetjen sa vlerë ka në vendin tonë një shfaqje për fëmijë, e cila kushtëzohet nga rrethanat e kohës duke vepruar në këtë kornizë, përgjigja nuk është gjithmonë e trishtë. Paska ende shpresë për teatro të tilla në Tiranë.

Duhet të dimë se nisja fillestare e imagjinatës është e fshehur pikërisht në skenën e shfaqjeve për fëmijë dhe frymëzimi fillon nga marrëdhënia që ata zhvillojnë duke ndjekur këto pjesë teatrale. Publiku për fëmijë, është ai publik që ndërton krijues vazhdimisht andaj dhe kujdesi duhet të jetë shumë i madh. Por “Miushet e shkathëta” të cilat mund t’i gjejmë në teatrin e Metropolit duket se janë shumë vigjilente sa i takon kësaj pjese.

Megjithëse jetojnë në papafingo ato arrijnë të sjellin hënën para syve të fëmijëve dhe kjo nuk është një vogëlimë.
Një pjesë e shkruar nga Janet Standfort, autore që i ka dedikuar jetën mënyrës se si të udhëtosh në zemrat dhe mendjet e fëmijëve, bën që kjo shfaqje të jetë interaktive. Në kuadër të platformës edukative për fëmijë dhe të rritur, duket se bordi i teatrit të Metropolit e ka përzgjedhur me shumë kujdes këtë pjesë. Ndërsa regjisorja, Elona Hyseni tregon se të bësh një shfaqje për fëmijë nuk është aq e lehtë sa mund të duket në pamje të parë.

“Kur m’u ofrua të punoja këtë pjesë, kuptova se sa rëndësi kishte çdo gërmë dhe tingull për fëmijët që do të vinin ta shikonin. “Miushet e shkathëta” është një shfaqje që trajton një temë delikate sikundër është varfëria. Që në fillim aktorët dhe fëmijët bëjnë pakt që të respektojnë rregullat e historisë. Është befasuese se si ata janë aq korrekt në gjithçka që i thuhet të bëjnë. Çdo fëmijë në karrige ka një çantë të mbushur me objekte të cilat i përdorin përgjatë historisë. Kështu ata përfshihen në udhëtimin e miusheve drejt hënës dhe ky rrugëtim është nga më të bukurit që kam parë“.

Kjo është historia e dy motrave miushe. Neli dhe Emilia, të cilat nuk kanë asgjë tjetër veç dashurisë për njëra-tjetrën. Nuk kanë dalë kurrë nga vrima ku jetojnë prej frikës së zonjës mace dhe kjo nuk e pengon aspak që realitetin ta shohin plot fantazi dhe shpresë. Për këto dy miushe hëna është prej djathi dhe ndaj duan të shkojnë aty për të ngopur stomakun. Është kjo arsye që e shndërron papafingon në një mekanizëm që prodhon ide, aventurë, fantazi dhe gëzim. Një arsye tjetër kjo që vlen dhe për të rriturit për të kuptuar se kanë harruar ta lexojnë siç duhet fjalën : URI.

“Personazhet që miushet sjellin”, rrëfen regjisorja “janë pjellë e fantazisë së tyre për t’i marrë bashkë me fëmijët, në rrugëtimin që bëjnë. Të them të drejtën kjo punë ka qenë dhe është një eksperiencë e veçantë dhe shumë e bukur në grup. I jam shumë mirënjohëse drejtoreshës së teatrit Metropol, Jonida Beqo e cila më besoi një pjesë kaq të bukur që i dha dritë miusheve Klesta Shero dhe Sara Koçi si edhe prapavijës së bashkëpunëtorëve të tjerë. Ne jetuam të gjithë në atë papafingo!

Kështu, “Miushet e shkathëta” është një shafqje ku fëmijët ndërtojnë pemën e rregullave të mirësjelljes dhe falenderimit. Lirisë dhe dashurisë në mënyrë që edhe këta miushë të vegjël sot, të mësojnë që “në një të nesërme” mund të ndihmojnë të tjerët duke i thënë pikërisht të vërtetën e hënës e cila për dreq është gjithmonë prej djathi.

Përshkruan 300 kilometra për mbi tetë orë

Ky është treni më i ngadaltë ekspres në botë

Vërteton origjinën ilire të shqiptarëve

Fjalë e lashtë ilire-shqipe: “Sica”-Tsika-thika”

Rivaliteti vihet re edhe mes tri fuqive të Boshtit!

Edhe Musolini e Hitleri lakmonin Mitrovicën

"Fotografitë që kam në çantë, t’i çohen nënës!"

Fjalët e fundit të Llazar Fundos! Si u masakrua me porosi të Enverit