Në Francë numëron vetëm 250 të tillë dhe një prej tyre, nga dita e sotme është shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.
Me dekretin e posaçëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kadare shpallet sot “Grand Officier de la Legion d’Honneur”, pasi fitoi titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, në vitin 2016.
Në vitin 1996, Ismail Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca”; më 2005, fitoi “Man Booker International Prize”, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, ndërsa në vitin 2015, çmimin “Jeruzalem”.
Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë, janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat “Lisi”, “Fëminija”, “Në pyllin afër fronit”, “Katjusha”, “Pranvera”, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë, shqipëruar nga Kadare, janë: Eskili, Hemingueji, Pushkini, Majakovski, Eminesku, Gogoli, Esenini, Mihallkovi, Shçipaçovi, Mickieviçi, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun etj.
Medalja e titullit të sapoakoruar, ka në njërë anë kokën e Napoleonit, ndërsa në anën e prapme shkruhet motoja “HONNEUR” (nder). Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i lartë) dhe Grand’Croix (Kryqi i madh).