MENU
klinika

Dossier/ Pjesa e parë

Boll me qendrën, duhet amerikanizuar periferia

24.09.2018 - 15:02

Nga Eugent Kllapi/

Qendra e Tiranës është sistemuar bukur pavarësisht trumpetave të opozitës dhe ngritjes krye të zërave kundër shëmbjes së Teatrit Kombëtar Shqiptar që duket sikur shkërmoqet dita-ditës për t’u rindërtuar nuk dihet sesi.

Fasada me ndërtim urbanistik të qendrës duket e reshtuar si ushtarët e Duçes, në një projekt të dizenjuar dikur nga të dërguarit e Duçes dhe duke e vjedhur si Duçja me lakminë e tij. Edhe Duçja pavarësisht lakmisë për Perandori, pushtetin e kishte të vrullshëm, famën e madhe dhe fundin e kishte të shpejtë e të hidhur. Industria e ndërtimit në Shqipëri si prioritet bëri që të shembë një ekonomi të tërë në vite me lakminë e Duçes. Ajo thithi gjithçka për vete dhe dha pak për të tjerët, në mos rriti inflacionin disa fish nga një dekadë në tjetrën. Bëmë qytetërim llaç e tulla e beton. Mbi 10 mijë apartamente janë të pashitura dhe çmimet rriten artificialisht.

 

Unë me vapor thoshte dikur Duçja, shqiptarët me gomar, nuk ia dola dot. Kjo do të thoshte se pavarësisht ndihmave, përpjekje për të bërë fasada, rrugë, ura, drenazhime e rregullime, sistemime urbanistike, shkolla dhe qendra kulturore, Duçja nuk ua doli dot shqiptarëve të cilët vidhnin bukur me gomerë.

Tashmë që të jemi të sinqertë lulishtet ta mbushin syrin, edhe vëllezërit Frashëri duan sikur të ngjiten tok me shtimin e kullave moderne që rivalizon Piramidën e famshme. Edhe bulevardi në formë‘’Sëpatë’’ i Duçes që përfundon me Skënderbeun që do t’i korrë të gjithë armiqtë e vendit që vjedhin ashtu barbarisht duket përsëri bukur. Nuk mund ta mohojë kush e jo më turistët që mblidhen grupe-grupe kuriozë.

Tashmë përkrah bukurisë ka dhe vjedhje me lezet. Nuk vjedhin më si kaçakët shqiptarë spahijtë dhe tua japin popullit, po më bukur, më lezetshëm, më në mënyrë fisnike për sqimen.

Të qëndrosh kundruall asfaltit të ri që është hedhur përkrah Piramidës ndjen nevojën të thuash se Shqipëria tashmë është në krizë ekonomike. Aktualisht në Tiranë sipas kryetarit të Bashkisë Tiranë Veliaj janë hapur mbi 100 kantiere, dhe kjo është gjë e mirë për qendrën.

Bukuria e asfaltit pa vijëzime nuk ta vret syrin, jo syrin opozitar që nuk mund të shoh dot dhe ripret vjedhjen e radhës si është mësuar. Lulishtet janë estetike, të reja, komode për udhëtarët që shohin diçka të re, të këndshme, çlodhëse. Trotuaret janë moderne, të kohës. Por pikërisht kjo bukuri të vret. Kjo gjë e re është sa bota e vjetër dhe do të thotë se ne kemi ngelur në kohën e antikitetit me ‘’Agora-n’’ e famshme, nuk kemi ecur fare para në mendësi dhe në veprime. Atëherë kur qyteti, sa më shumë zbukurohesh, aq më tepër shtonte muret dhe ushtarët, edhe shpenzime plot për to.

Asfalti nuk i jep dot krahëmarrje Piramidës që po shembet me nder të stërlavdëruar të komunizmit të dikurshëm, pavarësisht se nga arkitektët botërorë është zgjedhur si një nga veprat origjinale dhe të domosdoshme të Tiranës.

Ky asfalt i vendosur udhëkryq midis së shkuarës së komunizmit, të rilindjes kombëtare dhe modernitetit shqiptar të rilindur, si dhe vetë bulevardi i kohës së fashizmit dhe i protestave të pambaruara në mision, çadrave zhgënjyese, shprehin pothuaj një histori të shtetit ekonomik shumëdekadësh. Pse pikërisht një zhvillim kaq i bukur në qendër të qytetit shpreh njëkohësisht dhe krizën e vet?

Gjë e mirë është që kulla e xhamisë po rikonstruktohet si Universiteti i Tiranës, i rregullt dhe i bukur sot, dikur fshiheshin mostrat e kuesturës, afër shtrihen intitucione të tjera si Presidenca, Pallati i Kongreseve, një nga arkitekturat më domëthënëse ky i fundit. Bulevardet kanë gjak, tortura, intriga dhe vrasje, vetëm se do sy më të thellë të shohësh përtej fasadave.

Pak më tutje për çudi ish hotel Dajti me nam për lavdinë e tij, sot me nam për shëmtinë e tij përballë një lulishte moderne dhe Kompleksit Tajvani. Antipodi i hotel Dajtit të lavdishëm të intrigave të pushtetit të dikurshëm është stadiumi ‘’Qemal Stafa’’. Rast unikal që një kullë ngjitur demonstron se Partneriteti Publik Privat e ka thërmuar shtetin në interesa ekonomike dhe publike me industrinë e ndërtimit që po ri-rikthehet fuqishëm, me një kullë që mund të sajojë dhe ajo intriga e së ardhmes.

Tingëllon pak e çuditshme që epiqendra e një krize ekonomike të një shteti është qendra e kryeqytetit, sa më shumë të zbukurohet ajo, aq më tepër në krizë është shteti. Ajo shton krizën ekonomike me aq forcë sa zbukurohet.

Tirana në vetvete nuk shënjon asgjë si qytet, ajo është arbritaritet në vetvete, por asfalti, ai që i mbivendoset Tiranës jo, ai e bën atë konotativ në kuptim. Dikur thoshin se të gjitha qytetet punonin për kryeqytetin, Tiranën. Po sikur Tirana të punonte për të gjithë qytetet a do bëheshin qytetet model si ajo?! Po sikur gjithë ky asfalt, beton e gurë investimesh miliona dollarë të hidhej në fshatrat përreth, çfarë mund të ngjiste?

Tirana nis rrugëtimin e saj si qytet me tregun e saj. Të gjitha qytetet mesjetare ngjizen nga tregu i mallrave, qytetin e bën prodhimi dhe tregëtia. Pra prodhimi qënka çelësi, jo tregu në vetvete, prodhimi bën 1 mijë tregje, tregu po s’pati prodhim nuk shënjon asgjë në vetvete.

Shqipëria në krahasim me vitet e kaluara ekonomikisht duket sikur ka ritme të shpejta të modernizimit, zhvillimit ekonomik, zhvillimit industrial dhe sidomos ndërtimit, zhvillimit të shërbimeve, të turizmit.

Përgjithësisht, Shqipëria ka modelin e qendërsimit kulturor, ideor dhe ekonomik. Veprimtaritë dhe zhvillimi më i madh është qendra e Shqipërisë Tirana. Gjithashtu Ballkani e sidomos Shqipëria ka për model egocentrizmin dhe narcizmin e vet kulturor, ndonjëherë megaloman, në ekonomi kjo tregohet në komunizëm, një industri e rëndë që rrëzoi një shtet me ndihmën edhe të buxhetit të fryrë që iu dha ushtrisë. Industria e rëndë s’është për vende nallbane, por industria efikase teknike po, i bën vendet nallbane si Zvicra. Kryeqyteti thith ditë pas dite gjithë resurset ekonomike, demografike, politike.

Në çdo pushtet dhe qeveri shikohet se qendra është i vetmi investim afatgjatë, rikonstruksion, apo rilevim të ambienteve, riorganizim të konceptualitetit arkitektonik, të performancës artistike, të imazhit në përgjithësi. Qendra është si të gjitha kryeqytetet moderne. Nga ana tjetër periferia vuan për infrastrukturë, për rikonstruksion për të pasur një jetesë normale dhe për një jetë shoqërore moderne. Meqë nuk mund të rregullohet periferia për hi syve ririgjenerohet dhe rikonstruktohet gjithmonë epiqendra.

Nuk rregullohen rrugët matanë unazës së vogël, më keq në unazën e madhe, lagjet janë mos o zot, plehrat kudo, në çdo lagje mungon një lulishte, pisllëk, shiu e shton këtë pisllëk dhe ta nxjerr para syve, nuk ka sistemim, lulëzim, ka vetëm mjerim telash mbi koka që kryqëzohen për çdo familje që do internet, rrymë elektrike, telefon, drita për natën. Shqipëria albanistan, modernistan, debilistan periferik.

 

Po kjo mund të mbulohet fare mirë me fasadën disa miliardëshe dollarë që kemi ne për qendrën. Më shumë se nusen ne shikojmë gjithmonë fustanin e saj të bukur që të gënjen me mahnitje.

Me po të njëjtën forcë që modernizohet qendra e kryeqytetit, bie periferia e tij. Rrugët e periferisë qelben me po atë forcë që shtrohen rrugët e epiqendrës së Tiranës, gropat në periferi shtohen me atë forcë sa mbishtrohen asfaltet e qendrës së Tiranës. Godinat vjetërsohen po me të njëjtën forcë, po ashtu edhe njerëzit si më me halle duken, duken sikur llafosen me vete ose luten për t’u llafosur me të tjerët. Njerëzit janë thjesht kapistër ku pas tyre fshihet ndonjë entitet i panjohur deri në zgjedhje ku jepet vota.

Skënderbeu në Sheshin e ri që se ka haberin se shqipet do ushqeheshin me kosha plehrash dhe kanaçe në 2018, e 400 000 shqiptarë që do iknin si dikur turqit nga shpata e tij, nuk i sheh dot.

Qendra e kryeqytetit nuk ka më nevojë për investime, ajo është bashkokohore, por pikërisht ajo sforcohet nga investimet pasardhëse, pasi industria e përfitimit aksioner dhe konçesionar hap gojën. Se pikërisht aty del leku, aty justifkohen projektet madhore, planifikimet, strategjitë, harxhet, dhe investimet e çdo qeverie. Në të njëjtën logjikë ecin edhe qytetet e tjera të mëdha. Sa më të vogla të jenë qytetet, aq më tepër presin investimet një herë në 20 vjet kur ka zgjedhje. Më në periferi, në fshatra të gjithë ankohen për urat, shkollat, rrugët e munguara, mjerimin që të zë sytë dhe të bën njeri të tepërt përpara tij. Qendra bëhet si Njy Jorku, periferia si Afganistani në luftë. Ne po e Manhatizojmë, Londërzojmë, Njy-Jokizojmë, Amstredamizojmë qendrën për të fshehur 5 dollarëshit e të papunëve, të lodhurve, të vobektëve që nuk ushqehen dot.

Boll me qendrën, ajo u amerikanizua tashmë, u europianizua, boll me të, lerëni rehat atë të çlodhet, po shqetësoni periferitë për amerikanizim, shoqëria do të jetojë dhe jo vetëm në qendër! Epiqendra e vret mendimin bashkohor të mykur në antikitet.

Deri këtu boll, nuk ka nevojë më për ta rregulluar qendrën por mendjen dhe ideologjitë tona. Prishet e ndërtuara dhe riorganizohet ndreqja e prishjes. Një punë si brumbulli, ndërto e prish, si dikur Rozafa, ngri mur e shkatërro.

Perandoritë u ngritën nga rrugët, rrugët e shembën qendërsimin dhe i dhanë njëkohësisht atij fuqi nga periferia, çdo periferi u bë qendër si vetë qendra. Kjo do të thotë se qendra u lidh me periferitë dhe periferitë u zhvilluan nga qendra. Indianët e Amerikës krijuan autostrada në Ande,

Roma e dikurshme shkoi deri në Izrael, Kina bëri ‘’Rrugën e Mëndafshit’’, Aleksandri i Madh hapi autostradën e dy kontinenteve. Pra rrugët ngrejnë qytetërime, qendërsimi vdes qytetërimet. Sa u qendërsua Roma vdiq nga barbarët, Vdiq dhe Kostandinopoja me zbukurimin brenda dhe ngritjen e mureve të trasha qendërsuese përballë otomanëve, vdiqën me radhë dhe perandoritë kineze si dhe perandoria e famshme e Inkasve që krijonte diplomaci me periferikët, vdiqën periferikët, vdiqën aristokratët inkas diplomatë sa për tërë shqiptarizmin e sotëm.

Qendra, sa më tepër të zhvillohet, aq më tepër ajo është paradoks i vetvetes, aq më tepër ajo fut në krizë vendin. Një fasadë ministrie 3 milionë dollarë mund të rregullonte kushedi sa vreshta fshatrash. Sa fasada të tilla janë bërë?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN