Tragetet e linjës Durrës- Bari nuk do të nisen sot drejt Italisë për shkak të përkeqësimit të motit.
“Duke parë përkeqësimin e motit në ditët e para të vitit 2020 dhe kontaktet me kapitenerinë e portit të Barit, Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se porti i Barit është mbyllur sot dhe tragetet nga Bari për Durrës nuk janë nisur deri në një urdhër te dytë nga kapiteneria e portit Barit”– bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.
“Porti i Durrësit është i hapur dhe në gatishmëri, por për arsye të mbylljes të portit të Barit do ndalojmë nisjen e trageteve nga Durrësi për në Bari për të shmangur qëndrimin e trageteve dhe të pasagjerëve në radën e portit të Barit”– shprehet DPD.
Drejtoria e Përgjithshme Detare kërkon mirëkuptimin e pasagjerëve të bllokuar në portet e Barit dhe të Durrësit, pasi e gjitha bëhet për të garantuar sigurinë lundrimore në situatat detare me mot të përkeqësuar, erë të fortë e dallgë të larta.
“Për çdo ndryshim do ju mbajmë të informuar ose mund të merrni informacion në terminalet e portit Barit dhe Durrësit”– thekson DPD.