Personalisht, asnjëherë nuk kam besuar informacione që hedhin në qarkullim kolegë që shpesh disponojnë informacione të rezervuara të politikës së lartë. Ky ishte rasti i lajmit për një ultimatum 24-orësh të të dërguarit amerikan Brian Hoyt Yee për palët në Shqipëri, që të zgjidhin krizën.
E pra, më duket se duhet të pranoj se kanë të drejtë. Ka një fakt që e konfirmon këtë ultimatum.
Pse Brian Hoyt Yee, që nuk është se nuk ka punë, po rri ende në Tiranë deri sot pasdite dhe nuk po duket në mexhlis? Nuk dihet asnjë arsye tjetër shqiptare veçse krizës. Faktori kohë ishte më i lakuari në konferencën e tij të shtypit, ku për të respektuar opozitën, megjithatë, ai nuk përmendi fjalën «ultimatum». E faktori kohë, i përmendur nga Hahn, i rimarrë nga Yee, lidhet dhe me afatet kushtetuese brenda të cilave mund të zgjidhet kriza (me ndihmën e Kolegjit Zgjedhor, etj.)
E nëse ka ultimatum, veç Ramës, që duhet të kthehet mbrapsh tek platforma McAllister, Basha është njeriu mbi të cilin po ushtrohet presion i madh. Është krejt e qartë se ai e vuan më shumë nga të gjithë trysninë që i ka ardhur nga të gjithë anët: i formuar në Perëndim, ai e kupton mirë gjuhën e ashpër që vjen nga miqtë perëndimorë.
Basha gjendet në 24 orët e fundit, në një dilemë të fortë: kë duhet të besojë?
Të dërguarin amerikan, që është përfaqësues i tranzicionit të administratës Obama, si e përkufizoi gabimisht njëri nga drejtuesit e PD-së në një emision?
Apo lobistët që po e shtyjnë të rezistojë deri në shtator, kur mbaron tranzicioni? Është krejt e qartë se lobistët nuk arrijnë dot të shndërrojnë rrënjësisht politikën zyrtare të SHBA-ve ndaj një vendi, një qeverisjeje, apo një protagonisti politik. Mund të përmirësojnë, mund të shtyjnë në kohë efektet e një politike, por vetëm kaq. E lobistët duan më shumë kohë në dispozicion, sepse koha nënkupton para. Mbyllja e krizës do të thotë më pak para. Ose hyrjen në lojë të ekspertëve të fushatave.
Basha pra, sot, është nën një tryni të madhe. Nga njëra anë, amerikanët; nga ana tjetër, aleatët e partive të vogla. Ata e hanë më shumë sesa ai presionin amerikan ndaj dje e detyruan të ishin të pranishëm në takim me të dërguarin e Departamentit të Shtetit, duke i ofruar medias një të vërtetë më të plotë rreth ofertës amerikane. Amerikanët, po ashtu, i kanë mbyllur disa shtigje: Brian Hoyt Yee ia ruajti kredibilitetin e liderit, duke mos e takuar Berishën, por telefonata e gjatë me të, si thotë Fevziu, rregullisht i informuar mirë, tregon se diçka serioze është diskutuar dhe me paraardhësin e tij.
PD-ja e Bashës, duke pranuar ofertën amerikane (platformën McAllister), që në fakt është stafetë evroamerikane, do të na mundësojë pranimin e dy të vërtetave të tjera paradoksale për të.
1)SHBA-të nuk ia ruajtën BE-së primatin në zgjidhjen e krizës shqiptare dhe asaj maqedonase, por e morën për vete. Kjo tregon se ata kanë autoritet të shtuar në Ballkan me ardhjen e Trump, dhe duan të luajnë si protagonistë në Ballkan.
2) Politika amerikane në Ballkan dhe në Shqipëri nuk ka ndryshuar me gjithë problemet që krijoi administrata Obama dhe Sorosi i mallkuar që e ndikonte atë.
3) Kurorën e suksesit për zgjidhjen e krizës duhet ta marrë saktësisht një njeri që vjen pikërisht prej kohës së Obamës. E ai do ta pranojë me kënaqësi: për diplomatin zgjidhja e një krize është sukses, pavarësisht se punon në Pakistan, apo në Shqipëri!
Çfarë paradoksesh të dhimbshme për Bashën dhe çfarë dështimi për lobistët!