Ngado që kam udhëtuar nëpër Greqi, nga Delfi në Korint e në këmbë të Olimpit, nga teatri i famshëm i Epidhavros në Tebën e legjendës së Europës dhe Akropolin e Athinës, nga Salamina e luftës greko-perse dhe ishujt e Egjeut (me ehot e Odiseut), ngado më kanë shoqëruar tregimet homerike, poema që bota moderne nuk mund ti harronte, madje përkundrazi, ato do të përbënin referenca edhe sot, pasi bota njerëzore, pavarësisht nga zhvillimet teknologjike e shkencore, nga evolucionet shoqërore dhe zbritja e njeriut në Hënë, me luftrat dhe mërgimet e mëdha, ne përsëri gjejmë po ato personazhe homerike dhe fate njerëzore, thua se vetë thelbi njerëzor nuk ka ndryshuar, pasi ne rigjejmë po ato drama, vese, virtute, tradhti apo dëshmi përkushtimi, po ato tragjedi të mëdha popujsh e shuarje qytetërimesh sa është e pamundur të mos mendojmë për Homerin dhe poemat e tij. Ja pse vepra homerike na është një referencë e përhershme dhe e kohës sonë./Konica.al
Ne pothuaj nuk dimë asgjë nga bardi i vjetër e megjithatë atë e kemi shumë të pranishëm në jetën tonë. Në bibliotekën time një statuetë me portretin e tij qëndron gjithnjë në heshtje, në një monolog të gjatë, gati të përjetshëm dhe sa herë e shoh, më shfaqen personazhet e tij, Uliksi dhe Penelopa që end pëlhurën ditën dhe e shthurr natën, Akili dhe Kali i Trojës si dhe një mori personazhesh të tjerë që kanë përkundur fëmijërinë dhe adoleshencën tonë, rininë dhe botën tonë me rrëfime të jashtëzakonshme, ku hyjnitë marrin pjesë në jetën e njerëzve. Dhe po kështu të shfaqen dhe veprat e piktorëve të famshëm që pikturuan temat homerike, nga Gustave Moreau me Helenën e bukur tek Chagall me sirenat homerike apo Waterhouse me Cirçen, e mijra artiste të tjerë letrarë, skulptorë, muzikantë, ku tregimet homerike rigjetën shkëlqimet e tyre.
Homer, Homeros, “i verbër”, “njeri i ceremonive” apo ”pengu” në shqip (ai që është i detyruar të ndjekë pas) ishte një bard i fundit të shekullit VIII para erës sonë. Shpesh ai thirret thjesht “poeti”. Shumë hamendësi ekzistojnë për origjinën e tij. Vallë një person historik apo i krijuar më vonë nga shoqëritë e mëpasme. Mendimi i përgjithshëm është se Homeri nuk ka ekzistuar dhe se është një personazh i krijuar, por megjithatë jo pak historianë flasin për vendlindjen e tij, edhe pse këto janë të shumta si Hios (nga fisi Homerides), Smirna, Meles, Sime apo Kolofon, meqë në këtë të fundit ishin njerëz që dinin të lexonin e të shkruanin dhe që mësonin të tjerët, duke thënë se Homeri është me origjinë nga qyteti i tyre. Disa kanë hedhur hipotezën se ai ishte marrë peng nga babilonasit, se ishte nga Itaka, biri i Telemakut dhe Polikastës, por Proklos i Konstandinopojës thotë më së fundi se ai ishte qytetar i botës. Pra gjithçka është e errët rreth origjinës dhe jetës së tij. Vallë ati i tij ishte një skrib, një tregtar apo artizan? Thuhet gjithashtu se nëna e tij quhej Metis, apo Themiste, muza Kaliopi, Himeto, një grua nga Itaka e shitur nga fenikasit.
Megjithatë të gjithë bashkohen në një pikë: Homeri ishte një bard i verbër. Bardin e verbër e gjejmë shpesh si personazh në poezinë e vjetër greke. Dion Krisostomos thoshte se të gjithë poetët janë të verbër dhe se ata besojnë se është e pamundur të bëhesh poet pa qenë i verbër Poeti Ksenokrit i Lokrës duhej të kishte lindur i verbër. Akajos i Eretrisë u verbua nga pickimi i bletës, e cila ishte simbol i muzave. Stesikor humbi shikimin sepse foli keq për Helenën e Spartës. Demokriti u verbua që të këndonte më mirë. Sigurisht jo të gjithë bardët ishin të verbër. Megjithatë, në epikën ballkanike, jo rrallë pikëtakon bardë të verbër që i këndojnë ato këngë. Aristoti thoshte se humbja e shikimit shton kujtesën. Disa hyjni si Tirezias, Ofrone i Mesinës apo Evenios i Apollonisë ishin të verbër. Të tjerë kanë thënë se nëna e tij ishte një grua nga Siqelia dhe se portretin e saj e gjen tek Nausika e librit “Odisea”. Herodoti na thotë se ai ka lindur në Smirne, ndërsa Lucien përmend ishullin Hios. Më pas, studjues të tjerë shtonin se Homeri u verbua kur shkoi të shohë varrin e Akilit. Padyshim, një imazh i poetizuar. Sidoqoftë shumë nga studjuesit ngulin këmbë se nga një poemë fillestare, ndoshta e vetë Homerit, më pas, me kalimin e kohës, shtuan vargje të reja, strofa, bema; të tjerë poetë shtuan mbi këtë poemë, e cila vazhdimisht u pasurua. Siç shkruan Ciceroni, mbreti i Athinës në atë kohë e bëri si ligj që çdo bard që kalonte në Athinë duhej te recitonte gjithçka që njihte nga Homeri. Kështu ndoshta skribët që i regjistronin strofat e tyre krijuan atë që më pas do të quhej “Iliada” dhe “Odisea”. Atë kohë, tekstet homerike shkruheshin në parshëmen apo papiruse (volumina), por asnjë tekst, “ruleau”, siç i quajtën perëndimorët, nuk erdhi deri në ditët tona. Në Egjipt janë gjetur parshëmenë të shekullit III para erës së re por veç si fragmente. Një nga ta është teksti i Sorbonës (Sorbonne iw.255), i cili ka veçse këngën IX dhe X. Në shekullin e III ishin romaket që përhapën modelin e kodikëve (Codex) por këngët e Homerit ne do i gjejmë më vonë si në kodikët e shekullit të X e këtej shkruar në atelierët (scriptoria) bizantine, siç është dhe “Venetus 454A”. Siç pohojnë shumë studjues, lënda homerike, ka qenë në fakt një përzjerje dialektore joniane dhe eoliane. Pohohen gjithashtu se më parë është kompozuar “Iliada” (gjysma e parë e shekullit VIII para erës sonë) dhe “Odisea” nga fundi i shekullit VII para erës sonë./Konica.al
Për jetën e Homerit shkruhet që në Antikitet por në veçanti në disa tekste të rralla që na kanë mbërritur deri në ditët tona. Së pari studjuesi medievist Robert Maggiori veçon “La Vita romana”, një dorëshkrim i shekullit IX i gjetur në Bibliotekën Kombëtare të Romës ku thuhet: “Herakliti deklaron se Homeri është më i vjetër se Hesiodi, por bashkëkohës i Parandros dhe Hipsikrat i Amisos.” Në tekstin tjetër “La Vita Herodotea” shkruhet gjithashtu për Homerin dhe ndoshta është teksti më i gjatë ku shkruhet për të: “Që nga lindja e Homerit, 622 vjet kanë kaluar deri kur Xerxes kaloi nga Azia në Europë në ekspeditën kundër grekëve. Pra Homeri ka lindur 68 vjet pas ngjarjeve të Trojës (kjo luftë ndodhi në vitin 1270 para erës sonë)”. Në fillim për Homerin është shkruar në papiruse dhe pergamenë nga ku vetëm disa fragmente janë kopjuar në formë kodiku, ku më i vjetri siç kemi shkruar më sipër është ai i shekullit X-të. Në gjuhën greke për Homerin është shkruar vetëm në vitin 1488, në Firence, në sajë të një eruditi grek Démétrios Chalchondilas që jetonte atje. Pas kësaj date, tekste mbi Homerin i gjejmë në shekujt e mëpasëm ku bëhet fjalë për dy veprat më të mëdha atribuar atij: “Iliada” dhe “Odisea”. Sigurisht, Homeri ka shkruar dhe tekste të tjera që rrallë i përmendim siç janë dy poema komike: “Beteja e bretkocave” dhe “Margites” si dhe poema tjetër “Himne homerike”. Një gjë është e sigurtë: tregimet homerike janë përcjellë në mënyrë orale, çka ka sjellë dhe përpunimin e vargjeve dhe të situatave dramatike e ku brenda lëndës homerike gjen qindra situate e ngjarje që janë drama më vete. Dhe kështu do të ndodhte: personazhet homerike hynë fuqishëm veçanërisht në artin e Rilindjes europiane ku veprat më të mira iu drejtuan gjithashtu dhe personazheve homerikë, heronjve, njerëzve te thjeshtë dhe hyjnive.
“Iliada”
Kjo poemë e gjatë epike përmban 15337 vargje dhe historianët thonë se është shkruar midis viteve 850-750 para erës sonë. Bëhet fjalë për epopenë e luftës së akenëve dhe grekët e gjithë Greqisë kundër trojanëve. Thuhet se kjo poemë e gjatë kishte në themel Luftën e Trojës por ajo nuk e tregon origjinën e luftës, endjen e grekëve me anijet e tyre për të shkuar në Trojë, vitet e rrethimit të gjatë apo se ç’ndodhi me vdekjen e Hektorit. Epopeja përqëndrohet në zemërimin e Akilit dhe kjo padyshim është një gjetje madhështore, diçka prej shkrimtari gjenial. Ndër figurat qëndrore janë Agamemnoni, udhëheqësi ushtarak i frekëve, Hektori, luftëtari i lavdshëm i trojanëve, Akili, Helena, Patrokli, Ajaksi e shumë të tjerë, një galeri personazhesh të mahnitshëm, në jetën dhe veprimet e të cilëve marrin pjesë dhe hyjnitë.
Kënga e Parë e kësaj poeme nis me murtajën që ka rënë mbi grekët dhe grindjet mes tyre. Në Këngën e Dytë, në ëndërr, Agamemnonit i shfaqet Zeusi dhe më pas ai ëndërron fitoren. Kënga e Tretë tregon gjendjen e dëshpëruar të grekëve që kanë rrethuar Trojën dhe pas 9 vjet rrethimi ndodh dyluftimi midis Parisit dhe Menelaut, meqë Parisi, biri i mbretit Priam, ka rrëmbyer gruan e tij, Helenën. Në Këngën e Katërt i këndohet thyerrjes së armëpushimit. Herë pas here hyjnitë ndërhyjnë sa në një krah në tjetrin duke ndihmuar trojanët apo grekët siç janë Poseidoni, Zeusi, Apolloni, etj.
Ngjarjet vijnë gjithnjë në rritje, me një tension dramatik nga kënga në këngë, duke na zbuluar ngjarje, heronj, dashurinë e të rinjve, gërshetuar ato me ngjarje dramatike e tragjike, siç do ta shohim në Këngën e XVI, me vdekjen e Patroklit. Pas betejës rreth kufomës së Patroklit, në Këngët XVIII i këndohet armëve të Akilit, ndërsa në Këngën XIX në ditën e pestë të luftës vritet Hektori. Më tej, siç do ta shohim në Këngën XXIII pas funeraleve të Patroklit, Akili uk gjen qetësi. Akili tërheq pas kufomën e Hektorit për 11 ditë rresht para syve të familjes së tij. Por hyjnive u vjen keq dhe Zeusi i kërkon nënës së Akilit, Thetis, që ta bindë atë që ti japë kufomën Priamit, babait të Hektorit. Fshehurazi Priami i shkon Akilit në tendën e tij dhe i lutet. Atëherë vendoset paqja për 12 ditë, derisa të bëhen funeralet e Hektorit.
Shumë historianë e studjues nëpër shekuj i janë drejtuar gjithnjë Homeri dhe dy veprave të mrekullueshme të tij, “Iliada” dhe “Odiseu”. E kush nuk u entusiazmua nga këngët homerike? Herodoti e quante atë “princ i poetëve”. Mes të tjerave, Victor Hugo shkruante:”Bota lind, Homeri këndon. Eshtë zogu i këtij agu”… Agu i njerëzimit, i artit dhe kulturës, i epopeve që do të frymëzonin gjithnjë njerëzimin. Ismail Kadare i ka kushtuar një libër më vete Homerit dhe çështjes homerike. Në romanin “Dosja H” ai i referohet dhe dy studjuesve të veprës së Homerit, Milman Parry (autori i studimit “Epiteti tradicional tek Homeri”) dhe nxënësit të tij Albert Lord, të cilët në vitet ’30 të shekullit XX kërkuan të gjejnë prushet homerike në malet e Ballkanit. duke takuar bardët malsorë, (disa prej tyre të verbër si vetë Homeri), rapsodët boshnjakë, serbë e shqiptarë të cilët në Novipazar këndonin në mënyrë homerike me mijra vargje, edhe pse u këndonin ngjarjeve më të vona./Konica.al
“Odisea”
Libri “Odisea” është kompozuar padyshim në një mënyrë mjeshtërore çka e ka bërë atë tu rezistojë shekujve dhe të adhurohet nga gjithë popujt e botës. Homeri nuk e ka shkruar si kronikë por si ngjarje me një dramaturgji të vërtetë e plot suspense, të papritura, ndeshje të forta, ku Odisea arrin gjithnjë t’ia dalë mbanë. Të ngjan me një teatër të shkruar në prozë, pasi çdo personazh luan rolin e tij. Kënga e I-rë nis me Uliksin që është i burgosur nga nimfa Kalipso, e cila do të martohet me të. Por Uliksi mendon gjithnjë për kthimin e tij në Itakë. Të gjitha hyjnitë janë dakort përveç Poseidonit, meqë Uliksi i ka verbuar të birin, qiklopin Polifem. Ndërkohë që Poseidoni ka ikur për një festë të largët, Athinaja i kërkon Zeusit ta lërë atë të lirë që të kthehet. Dhe Zeusi dërgon Hermesin ta detyrojë Kalipson që ta lirojë. Kështu vazhdojnë tregimet deri në fund të Këngës IV. Në Këngën e V-të gjejmë Uliksin që merret me rindërtimin e trapit. Atij i duhen katër ditë për ta bërë gati dhe të pestën ai niset drejt ishullit Kalipso. Tetëmbëdhjetë ditë udhëtim, duke iu afruar Feasit kur Poseidoni, i kthyer nga Etiopia, e pikasi trapin e tij dhe shfryu furtunat kundër tij. Por në sajë të hyjnisë detare Lenkote e cila i jep një pëlhurë mbrojtëse që e mbron kur trapi ngec Uliksi shpëton. Pas dy ditë e netë ai arrin më së fundi në shkëmbenjtë e Feasias. Në Këngën e VI-të hyjnia Athina shkon në pallatin e mbretit Alkinos dhe gjatë ëndrrës e nxit Nausikën të shkojë në breg të detit. Dhe atje ajo gjen Uliksin pothuaj të xheshur e me plagë. Shërbyeset ikin me vrap nga frika, por Nausika, kurajoze, qëndron. Ajo e merr në pallat ku ai lahet dhe vishet. Kënga e VII-të vazhdon me Athinanë e shndërruar si një vajzë e vogël e cila ndihmon Uliksin kur shkon para mbretit Alkinos. Gjatë darkës, mbreti e pyet rreth jetës dhe udhëtimit të tij dhe Uliksi i tregon aventurat e tij detare. Në Këngën e IX-të mbreti shtron një darkë për nder të tij. Nga një bard aty dëgjohet të këndojë historinë ku gjatë luftës së Trojës, Uliksi zihet me Akilin, çka Uliksin, që nuk e ka treguar emrin e vërtetë, kjo gjë e mallëngjen. Më pas zhvillohen gara sportive dhe Uliksi e hedh diskun aq larg sa të gjithë habiten. Bardi Domokos këndon episodin e Kalit të Trojës dhe mbreti ndërkohë i kërkon ti tregojë se cili është në të vërtetë. Me së fundi Uliksi tregon emrin e tij dhe filloi tregimin e aventurave që me nisjes për në luftë drejt Trojës kur me 12 anije, gjithë peripeci, ai më së fundi arrin në Trojë.
Pikërisht këtu hapen kapituj të rinj të historive të Odeseut gjatë kthimit për në Itakë, histori të cilat i kanë shtyrë historianë të ndryshëm jo vetëm të verifikojnë itinerarin e Uliksit, nëse kjo ishte e vërtetë apo thjeshtë një fiksion, por ka nxitur gjenerata artistësh të rindërtojnë vepra dramatike, letrare (si Uliksi i Xhojsit ndër të tjera) e kinematografike. Çfarë ndodhi vallë pas luftës së Trojës, çfarë ndodhi me fatet e personazheve të kësaj mbretërie?…
Dhe tregimet e Uliksit vazhdojnë. Pas luftës, kur qyteti plaçkitet, ai, bashkë me luftëtarët e tij kthehet dhe kalon nga vendi i Logofagëve, ku ai që ha bimën që quhet «lotos», nuk ka më dëshirë të iki nga ai vend. Atëherë Uliksi që e di këtë dhe që do të kthehet sa më parë në Itakë, i merr marinarët e tij me forcë dhe i hip në anije duke u larguar me shpejtësi. Por ai mbërrin në ishullin e Qiklopëve, ku ndodhet dhe Polifemi me shpellën e tij. Pasi arrin të verbojë Polifemin që i mbante si robër, duke u larguar me anije Uliksi tallet me të dhe i tregon emrin e tij, por mjerisht, Polifemi është biri i Poseidonit, perëndise së detrave dhe kjo Uliksit do ti kushtojë.
Kënga e X-të vazhdon me Uliksin që tregon aventurat e tij gjatë kthimit. Më së fundi ata arrijnë në ishullin e Eolit, ruajtësit të erërave. Ai i mirëpret dhe në fund u jep një kacek ku ka futur brenda erërat e tërbuara të detit dhe i porosit që mos e hapin pasi po të hapet erërat do t’i degdisin s’dihet ku. Anija vazhdon udhën dhe Uliksi i lodhur po fle, por dikush e hap kacekun dhe errërat e hedhin anijen tutje, drejt ishullit të kanibalëve. Kur zbresin në ishull për të gjetur ushqime, Uliksi nis një patrullë, por të gjithë vriten. Uliksi e kupton dhe urdhëron të ikin menjëherë por kanibalët i qëllojnë anijet e tyre me shkëmbenj të mëdhenj. Uliksi arrin të shpëtojë vetëm një anije. Kështu, duke udhëtuar në det ai arrin më në fund në ishullin e magjistares Çirçes, bijë e Helios. Në fillim Uliksi dërgon njëzetë marinarë. Çirçja i pret, i ul në strofën e saj dhe u jep një bimë, duke i kthyer pastaj ata në derra. I shqetësuar Uliksi niset me shokët e tij por rrugës takon Hermesin, i cili e mëson si të mbrohet nga magjistarja Çirçe. Kështu, gjatë drekës në shtëpinë e saj, Uliksi nuk pranon të hajë. Ajo e fton në krevatin e saj por Uliksi e kërcënon me shpatën e tij se do ta vrasë nese nuk i liron shokët e tij. Më së fundi ata bien dakort që ajo ti lirojë shokët dhe derrat ti kthejë në njerëz dhe nga ana tjetër Uliksi të pranojë të qëndrojë me të gjatë një viti. Betimin hyjnor magjistarja Çirçe nuk mund ta thyejë. Në Këngën XI tregohet mbërritja e anijes në vendin e Simerienëve që është në një errësirë të përjetshme. Eshtë vendi i të vdekurve. Siç e kishte mësuar Çirçe, kur u ndanë, ai i premtoi Tirezias një dash të zi për të bërë një blatim, një sakrificë për hir të saj. Atëherë, Tirezias e porosit që kur të arrijë në ishullin e Diellit (Helios) ata s’duhet ti vrasin lopët e Diellit dhe të hanë mishin e tyre. Pikërisht atje Uliksit i shfaqet fantazma e nënës ë tij, Antikle, e cila i thotë se Penelopa i është besnike dhe e pret gjithnjë në Itakë. Pastaj Uliksi bisedon me fantazmën e Agamemnonit, Akilit, Ajaksit, shikon Patroklin trim. Në Këngën XII-të Uliksi kthehet tek Çirçe, e cila i tregon se ç’duhet të bëjë kur rrugës për tu kthyer me anije do të pikëtakojnë sirenat. Të nesërmen ai niset me marinarët e tij dhe kalon drejt ishullit Helios. Por për shkak të një stuhije të madhe i duhet të presë atje një muaj. Por ç’e do se marinarët vrasin lopët dhe hanë mishin e tyre ndërkohë që Uliksi refuzon të hajë. Dhe ja ndëshkimi: kur marrin anijet të nesërmen një furtunë e madhe i godet. Të gjithë mbyten përveç Uliksit që nuk i preku lopët e Diellit. Kënga e XIII tregon përgatitjen për të shkuar në Itakë. Uliksi i mbaron tregimet e tij dhe mbreti Alkinos i dhuron një anije që të mund të kthehet në mbretërinë e tij.
Këngë të mrekullueshme me një tension dramatik dhe me aq të papritura çka tregojnë për një fantazi të jashtëzakonshme. Çdo sprovë është drame më vete që kërkon një zgjidhje dhe kështu ato ndjekin njëra tjetrin duke shkuar drejt zgjidhjes përfundimtare.
Më së fundi Uliksi mbërin në Itakë, të cilën nuk arrin ta njohë pasi me vite ka ndryshuar. Ndërkohë i shfaqet Athinaja, e cila e bind se ka ardhur në ishullin e tij, duke i treguar se ç’ndodh me pretendentët ne pallatin e Penelopës, të cilët kërkojnë dorën e saj. Në Këngën e XIV që mos ta njohin, Uliksi vishet atëherë si lypës. Atje ai takohet me Euménë dhe e pyet për fatin e Uliksit, por ai i thotë se Uliksi ka humbur dhe s’duhet të jetë më gjallë. Madje i tregon për ngjarjet në pallat. Kureshtar, Eume e pyet se cili është dhe si quhet, por Uliksi nuk ia tregon menjëherë identitetin e tij, duke i thënë se vjen nga ishulli i Kretës. Kënga XV-të nis me Athinanë që shfaqet dhe i del në ëndërr Telemakut, birit të Odiseut, duke i kërkuar që të kthehet në vendin e tij, në Itakë pranë Eumeut. Dhe Telemaku niset. Në Këngën e XVI-të Telemaku kthehet. Eumé i tregon për lypsin që ka ardhur tek ai. Telemaku e dërgon plakun të shohë se çfarë po ndodh në pallat. Në këtë kohë, Uliksi vendos ti tregojë të birit se cili është në të vërtetë. Të dy bëjnë plane se si ti ndëshkojnë pretendentët dhe të shpëtojnë mbretërinë. Kënga XVII tregon vajtjen e Telemakut në pallatin mbretëror ku Penelopa pret pretendentët të cilët kanë ardhur. Telemaku e takon dhe i tregon se Uliksi është gjallë në ishullin Kalipso dhe se ai po vjen. Pasdite, Uliksi dhe Eumé nisen drejt pallatit, por rrugës pretendentët e keqtrajtojnë. E megjithatë, ai arrin të hyjë në pallat. Telemaku e pikas edhe pse është veshur ndryshe. Kënga XVIII nis me ardhjen në pallat të një lypësi të njohur të qytetit, i cili kur e sheh lypësin-Uliks aq të mjerë, fillon ta godasë e ta shajë. Pretedentët i vënë dy lypësit në ndeshje mes tyre, por duelin e fiton Uliksi. Ndërkohë, Penelopa i qorton pretendentët që tallen me lypësit. Në Këngën e XIX tregohet Uliksi dhe Telemaku që fillojnë të armatosen. Uliksi i flet Penelopës, por ajo nuk e njeh. Ai i thotë se Uliksi po kthehet dhe i tregon disa detaje nga rinia e Uliksit në mënyrë që ajo ta besojë atë lajm. Një shërbyese e vjetër e pallatit i lan këmbët dhe ajo papritmas njeh plagën e vjetër të zotit të saj, duke e njohur kështu mbretin Uliks. Kënga XX-të nis me Penelopën që përgatitit garat për atë që do të fitojë të drejtën që të martohet me të. Ajo merr harkun e vjetër të Uliksit bashkë me shigjetat. Penelopa u thotë pretendentëve se cili nga ata e çon shigjetën në 12 vrima, ajo do të pranojë. Por ajo e di që asnjëri nuk do mund ta bënte këtë përveç vetë Uliksit. Antinos, një nga pretendentët tallet me lypësin duke i thënë që ta provojë se kushedi martohet me Penelopën. Penelopa pranon t’ia japë harkun. Uliksi qëllon me shigjetë dhe arrin ta çojë shigjetën në shenjë. Pas kësaj, menjëherë ai nis të qëllojë me shigjeta armiqtë e tij. Po kështu dhe Telemaku. Kënga XXII-të tregon vrasjen e gjithë pretendentëve dhe se ç’ndodh në pallat. Në Këngën e XXIII, Uliksi takohet me Penelopën. Që të dy bien në krahët e njëri-tetrit. Më së fundi Kënga XXIV-të tregon Hermesin që çon në ferr shpirtrat e pretendentëve të këqinj. Tashmë Uliksi takohet me të atin e tij Laert.
Edhe pse historitë dhe bëmat homerike duken se i përkasin qytetërimit pellazgjik dhe helen, veçanërisht ne shekullin e XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX, historianë të ndryshëm, nga Cyprien Robert, Albert Dumont apo konsulli francez Degrand në Shkodër e të tjerë, kanë shkruar se si në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri, prushet e tregimeve homerike kanë jetuar gjatë shekujve në traditat shqiptare, ritet dhe zakonet e tyre./Konica.al
Nga: Luan Rama