Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, z.Fabrizio Bucci, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Duke e uruar për përmbushjen me sukses të detyrës së tij shumë të rëndësishme në Tiranë, Presidenti Meta vlerësoi se Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik, si dhe partner kryesor tregtar i Shqipërisë.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit u shpreh se “mirëpresim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve italianë në Shqipëri”.
Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë vendin tonë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, si dhe besimin për vijimin e asistencës italiane edhe për rehabilitimin e zonave të prekura nga tërmeti.
“Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali”- tha Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit inkurajoi që të rrisim bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.