MENU
klinika

I spiunojnë bisedat

Anëtari i KLP paralajmëron dorëheqjen

09.01.2020 - 16:45

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga Këshilli për një arsye të pazakontë.

Në mbledhjen e fundit të KLP-së, Cani ka shprehur shqetësimin për spiunimin e bisedave të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, gjatë mbledhjeve formale dhe informale.

Prokurori ka theksuar se çfarë thuhet brenda KLP del jashtë. Cani ka pohuar se nuk është në nderin e Këshillit që të bëjë ciu-ciu me telefon, ndërsa ka paralajmëruar kryetari i Këshillit Gent Ibrahimin se do largohet nga KLP-ja nëse vijon ky fenomen.

“Edhe një gjë tjetër z. kryetar, më vjen shumë keq që pa dalë ende nga kjo sallë, vijnë mesazh për qëndrimet tona. Qëndrimet e mia janë parimore nuk janë për emra. Unë z. kryetar të kam thënë në një takim se nuk vij në mbledhjet informale sepse çfarë thuhet del jashtë, por edhe në mbledhjet formale, akoma pa mbaruar mbledhja, vijnë mesazhet për qëndrimet që mbajmë këtu.

Qëndrimet e mia janë parimore, nuk ka asgjë me asnjë emër, me asnjë prokuror. Por nuk është në nderin e këtij Këshilli që të bëjë ciu-ciu në telefon, ky po mban këtë qëndrim, ai po mban atë qëndrim.

Nëse është kështu, e braktisim këtë sallë dhe kur të shohim se ne sillemi si qytetarë dhe shtetarë, vijmë në këtë sallë. Kjo tregon mungesë respekti për Këshillin, tregon që ne nuk jemi shtetarë. Besnik Cani çfarë ka, e thotë në këtë buton.

Por që të dalin qëndrimet tona pa dalë nga sallë, kjo është fyerje e madhe që i bëhet këtij këshilli dhe mua si anëtar. Por nëse vazhdohet kështu, unë nuk rri në këtë Këshill. Nëse vazhdohet kështu z. kryetar, është më e lehtë për mua të them: Largohem nga ky Këshill, shkoj në Prokurori ku kam emërimin dhe vazhdoj punën time”

“Shqetësimi që ju ngrini është i përsëritur. Unë nuk mund të bëj tjetër veçse një kujtesë etike për të gjithë dhe në rast se nuk funksion, anëtarë të marrim një vendim që të gjithë ne këtu t’i mbajmë celularët jashtë”– ka pohuar kryetari i KLP-së , Gent Ibrahimi.