MENU
klinika

Mentor Nazarko

Për adhuruesit e historisë: Po pini ujë..të pastër

16.05.2017 - 16:41

Shënim i editorialistit Mentor Nazarko për artikujt historikë të Konica.al që kanë patur dhjetra mijëra lexime dhe qindra shpërndarje

Artikujt e shumtë të botuar në Konica.al për historinë e kombit, për Voskopojën, për statutet e Shkodrës, për motrën e Skënderbeut, etj, etj, kanë gjetur interesim të jashtëzakonshëm. Dhjetra mijë lexues, mijëra shpërndarje, në të gjithë anët e globit kudo ku jetojnë shqiptarë, madje vijnë dhe komente nga lexues maqedonas, serbë, grekë apo në gjuhë të tjera. Të përfshirët në lexime, komente, shpërndarje janë të brezave të ndryshëm dhe kjo është inkurajuese.

Ky interesim i madh është tregues i asaj se shqiptarët janë kuriozë për të kaluarën e tyre. Ky kuriozitet në fakt nuk është thjesht dhe vetëm prej Konica.al, dhe asaj çfarë ajo propozon, por dhe prej portaleve të tjera, serioze, apo më pak serioze. Pavarësisht se nuk kanë të gjithë formim të njëjtë kulturor-disa shkruajnë me gabime, por ndërkohë ne marrim pëlqime nga autoritete të mëdha të historiografisë sonë- ata pëlqejnë këtë cikël tekstesh të propozuar nga Konica.al.  Kurioziteti, interesi për të kaluarën është dëshmi tjetër e ringjalljes së ndjenjës kombëtare, ringjallje që i detyrohet shumë elementëve që meritojnë vëmendje, e që mund të trajtohen në shkrime të tjera.

Në kushtet e këtij kurioziteti dhe interesimi, mund të thuhet dhe diçka.  Ne nuk jemi të interesuar të themi se  kemi qenë, jemi dhe do të jemi qendra e botës. As vetë Konica nuk e thoshte këtë. As se raca jonë është më e përzgjedhura e perëndive, së bashku me gjuhën tonë. Nuk do të afirmojmë kësi pohimesh, megjithëse ato prodhojnë më shumë pëlqime. Ne do t’ i shërbejmë të vërtetës. Sipas mënyrës sonë, sipas mënyrës që të imponohet në kohën tonë : në rrethanat e leximeve të shpejta, jo të tipit akademik.

Por ne duam të bëjmë dhe diçka tjetër që të qetësojmë të dyshuarit, rreth asaj sesa të thella, sesa të besueshme janë artikujt që ne propozojmë, bashkë me pohimet e tyre të forta. Sepse ka dhe dyshues të sinqertë, apo të pasinqertë rreth tyre. Ne do të afrojmë në fund të çdo shkrimi dhe burimet ku ne kemi pirë ujë. Kështu miqtë tanë, lexuesit tanë do të ndihen më të qetë. Por dhe do t’ i bëjmë një shërbim kulturës. Kushdo që ka më shumë interes, më shumë dëshirë, le të shkojë të pijë ujë drejtpërdrejt në burimet tona që përgjithësisht sjellin ujë të kulluar.