MENU
klinika

“Turizmi, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”

Tërmeti mbledh në Shqipëri ministrat e turizmit të Ballkanit

11.01.2020 - 22:13

Të martën në Tiranë, do të zhvillohet një nga ngjarjet më të rëndësishme për turizmin në Shqipëri.

Për herë të parë, Tirana do të bëjë bashkë ministrat e turizmit të të gjithë rajonit, nga Italia e Greqia, te Kroacia, Sllovenia, e Serbia.

Të gjithë bashkë në një Samit Ndërkombëtar për Turizmin. Por nuk do të jenë vetëm ministrat, por edhe agjencitë lidere të turizmit në rajon, përfaqësues të hoteleve më të rëndësishme, të gjithë operatorët turistikë në vend, të gjithë kryetarët e bashkive, ministra dhe kryeministri Rama në eventin më të rëndësishëm për turizmin, të organizuar ndonjëherë në Shqipëri.

“Turizmi, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, është tema e samitit që po sjell në Tiranë, elitën e turizmit ndërkombëtar në rajon, që këtë herë vjen të mësojë nga Shqipëria, një leksion solidariteti të rrallë për turizmin.

Të mësojë nga solidariteti i lartë i sektorit të turizmit për të ndihmuar mbi 6000 qytetarë të pastrehë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, gjë që nuk është parë askund ku fatkeqësitë janë përballuar në çadra dhe jo në hotele me 5 yje, si në Shqipëri.

Kjo qe arsyeja që Organizata Botërore e Turizmit nxiti bashkimin e gjithë rajonit në Tiranë, për të ndarë përvojë, për të qenë bashkë në përballimin e fatkeqësisë dhe sidomos për të promovuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm turistik.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me UNWTO do të mbaje këtë Samit Rajonal të Turizmit më 14 janar.

Fatkeqësitë natyrore krijojnë kriza të cilat i vënë njerëzit përballë nevojës për strehim të menjëhershëm.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, ku mijëra shqiptare humbën shtëpitë e tyre dhe më shumë se 5000 njerëz u strehuan brenda 24 orëve në hotele, ishte një shembull unik sesi industria turistike nuk është vetëm biznes, por dhe humanizëm, sepse turizmi me strukturat e tij tregoi se është një mbështetës i rëndësishëm i krizës humanitare.

Ndaj për këtë arsye, ky samit do të jetë i rëndësisë së veçantë, sepse Shqipëria do të ndajë me partnerët dhe rivalët në rajon këtë leksion të madh të turizmit shqiptar, por edhe do të marrë mbështetje për të ndihmuar të gjithë familjet e prekura nga tërmeti.